Nga Austria për të parë Kukësin. Vlerësojnë natyrën, mikpritjen historinë

Erwin Mair dhe Helmut Eggertberger bashkë me dy miq të tjerë kanë udhëtuar nga Austria.
Ata i takojmë në afërsi të Kolshit, në rrugën nacionale Kukës–Fushë-Arrëz, ku kanë ndaluar për një pushim të shkurtër dhe për t’u orientuar me udhëtimin që do të ndjekin drejt Shkodrës.
Erwin vjen për herë të parë në Shqipëri dhe në këtë itinerar lëvizjeje.
“Ne vijmë nga Austria. Jemi katër miq të ngushtë. Punojmë gjithë kohën dhe pas punës kishim disa ditë pushimi në dispozicion. Vendosëm të vinim në Shqipëri. Është hera e parë për ne. Në Kukës qëndruam një natë. Me motor kemi përshkuar më shumë se 5 mijë kilometra, nga Austria, Polonia, Rumania, Hungaria, Serbia, Maqedonia, Kosova në Shqipëri. U kënaqëm shumë gjatë këtij udhëtimi. Përshtypjet për Shqipërinë e për Kukësin janë të pakrahasueshme. Natyrë, mikpritje, ushqim perfekt. Na bëri përshtypje në veçanti liqeni dhe lugina e Komanit. Njerëz të mirë e mikpritës. Na ndihmojnë gjatë gjithë ditës dhe kudo për çdo gjë kur pyesim. Është gjithçka në rregull. Janë shumë të sjellshëm,” thotë turisti austriak.
Kur bëhet fjalë për krahasimet me Austrinë, Erwin thotë se ka shumë ndryshim.
“Këtu është gjithçka ndryshe. Në Austri kemi shumë njerëz dhe qytete të mëdha. Këtu ka më tepër qetësi. Panorama është mahnitëse dhe shumë natyrale,” shton turisti.
Ndërsa Helmut është marangoz me profesion, por ka një lidhje të jashtëzakonshme me natyrën.
“Jam njeri i lirë dhe e dua paqen me natyrën. Kështu do të jem deri në fund të jetës sime. Është gjithçka e bukur dhe e veçantë në Kukës. Nuk e prisnim kaq ndryshe nga sa mendonim. Udhëtimi në Koman shumë i veçantë, ndërsa në Kukës do të kthehemi edhe herë të tjera, pasi ka vende që duhen vizituar. Do të shkojmë në Berat e më pas rikthim në Shkodër. Përmes kufirit do të kalojmë në Mal të Zi e Bosnjë. Në Shkodër vizituam Kalanë e Rozafës, ku morëm edhe suvenire, flamurin shqiptar për të dekoruar motorët tanë,” tregon turisti.
Grupe të tillë turistësh, veçanërisht me motoçikleta, herë në grupe të mëdha, herë në grupe më të vogla, përshkojnë çdo ditë Kukësin dhe alpet shqiptare.
Numri i tyre sa vjen e rritet vit pas viti, duke e rikonfirmuar këtë zonë si një nga destinacionet e kërkuara turistike.
Gazetar: Bujar Muçmata
/rtsh.al/