Rruga Vraniç – Mushtisht, një muaj pas inaugurimit ka nis të plasaritet

Rruga që lidh dy fshatrat Vraniç dhe Mushtisht të Suharekës ka vetëm një muaj që është lëshuar për qarkullim, tre vjet pas nisjes së punimeve në të. Por qysh tash rruga e asfaltuar ka nisur të plasaritet dhe të formohen disa gropa. Banorët e fshatrave nga kalon rruga ankohen se rruga tri kilometra e gjatë është asfaltuar me një bazë shumë të dobët, andaj është krijuar kjo gjendje, transmeton KTV.
Kritika për projekte si të kësaj rruge ka dhënë edhe opozita në Suharekë, e cila i quan projekte të dështuara dhe të manipuluara. Edhe drejtues të Komunës së Suharekës kanë pranuar se në disa vende asfalti i ri është prishur, por kanë kundërshtuar se këto projekte kanë dështuar. Sipas tyre, kompania e kontraktuar në këtë projekt, i cili ka kushtuar mbi 300 mijë euro, do të obligohet t’i sanojë prishjet. /Indeksonline/