Rruga e Elbasanit, kur kthen kokën pas...
Tirana, për kë ka lindur para viteve ‘90, është qyteti që ende ruan me shumicë “qoshe” nostalgjike, copëza rrugësh të paprekura, ku kujtimet e së shkuarës ende nuk janë “varrosur” nën beton, nën bojëra, apo vitrinat ku shkëlqejnë mallrat e mijëvjeçarit të ri. Ndër ato gjëra që ruajnë të shkuarën “nën lëkurë”, janë edhe disa rrugë kryesore që mbartin nga vitet e mbetur pas, veç “qosheve” edhe emrat, që ndoshta, brenda pak kohe, do të mbeten të vetmet relike nga Tirana e vjetër. Emri lidhet me një personazh, apo ngjarje, por sipas një tradite botërore, shpesh rrugëve të një qyteti u vendosen emrat e simotrave të tjera të vendit. Kjo ndodh në rastet kur një rrugë merr për nga vendndodhja e një qyteti të afërm, apo të largët. Në Tiranë kemi plot rrugë të tilla, si “Rruga e Durrësit”, “Rruga e Dibrës”, ajo e “Kavajës” etj., që si çdo rrugë kanë historitë e tyre të vjetra e të reja. Një e veçantë është se ndërsa shumë rrugëve të tjera u janë ndërruar emrat, rrugët me emrat e qyteteve kanë mbetur, të paktën në emërtim, po ato. Po edhe sikur këto emra të ndërrohen, do të duheshin shumë vite që njerëzit të mësoheshin me gjetjen e re. Duke qenë se janë arterie kryesore, kanë qenë dhe janë “pre” e ndryshimeve më shumë se rrugët periferike, madje disa janë ndryshuar aq shumë në pamje të parë, saqë dikush që nuk e ka shkelur Tiranën 10 vitet e fundit, mund të orientohet vetëm nga emri. Por po të baresësh pak nëpër trotuare, do të vësh re se diku, midis ndërtimeve të reja e të larta, gjen tek-tuk ende shtëpi të ulëta, që në një të shkuar përbënin tavanin e lartësisë mesatare të kryeqytetit. Diku më tutje, po të vësh kujtesën në punë, do të të vijë ndër mend se pas fasadës ngjyrë vishnje të errët të një shitoreje që tregton veshje të brendshme, dikur ndodhej dhoma modeste lyer me bezhë e bibliotekës së lagjes. Ka vende që në të shkuarën liheshin djerrë e që në pranverë harliseshin nga gjelbërimi i çrregullt e spontan i stinës, duke na dhuruar aromën e rrallë të barit nën peshën e vesës, por që tani janë zhdukur nën betonin e kafeneve, lojërave të fatit, boutique-ve. Horizonti fshihet gjithnjë e më tepër pas lartësive të betonit, formave e ngjyrave të reja.
Një rrugë që ka ndryshuar shumë, por që ruan fizionominë e vjetër, të paktën në disa detaje të saj është edhe Rruga e Elbasanit. Ajo është një nga daljet e Tiranës për në jug të vendit dhe ka luajtur gjithmonë rolin e një ure, ndoshta sepse zanafillën e ka pikërisht te njëra prej urave të lumit kryeqytetas. Vite më parë lidhte zonën më të skajshme të asaj që mund të konsiderohej si qendra e Tiranës me njërën prej periferive të saj. Kjo e fundit ishte dhe mbetet shumë interesante. Dikur përbëhej nga të ardhurit e vendosur në ndërtimet e reja të realizuara në vitet ‘70-‘80, diplomatët e huaj, që kishin këndin e tyre shumë të veçantë në njërin prej “xhepave” të rrugës, si dhe nxënësve e studentëve. Autoktonët, pra ata që kanë pasur aty shtëpitë e tyre të ulëta prej dekadash, ishin shumë të paktë. Duke qenë se ishte një rrugë “të ardhurish”, ishte shumë e larmishme.
Shumëllojshmëria arrinte kulmin, por kjo ndodh edhe sot e kësaj dite, në pjesën fundore të rrugës, aty ku ndodhet shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja dhe fakultetet e Universitetit të Tiranës. Po le ta nisim udhëtimin tonë retrospektiv nga ura. Ka shumë nga ata 30-vjeçarë, apo 40-vjeçarë që kanë shuar urinë në byrektoret e piteritë e famshme të hyrjes së rrugës, në dyqanet buzë Lanës. “Gjatë verës nuk para kishte punë, se njerëzia shkonin në plazh e hanin në shtëpi, por kur dyndnin studentët më 1 shtator, byrektoret ishin plot me çupa e djem që merrnin nga tre e nga katër byrekë, sidomos në fillim, kur mensat studentore nuk ishin hapur ende”, kujton një zonjë plakë, tashmë banore e një lagjeje të rinovuar. Kujt do t’ia merrte mendja në ato kohë se vendi ku njerëzit dyndeshin për të blerë byreçka me gjizë ose me spinaq, specialitetet e vetme që ofroheshin, do të shndërrohej në shitore moderne celularësh e aksesorësh elektronikë! Po të merrje një byrek në dorë e të vazhdoje të ecje në drejtim të juglindjes, sidomos po të kishe me vete ndonjë vocërrak, do të ishte e pamundur që ai të mos të të kërkonte të ndaleshit te parku i lodrave. “Shtatë xhuxhat”, emri i tij i ri, vazhdon të mbetet vend zbavitës për fëmijët, por kush e ka jetuar këtë moshë në fundvitet ‘70-‘80, me siguri duhet ta ketë të fiksuar diku në ndonjë foto të zbërdhulët bardhezi atë trenin që bënte “çaf-çuf” prej vërteti e që kur i hipje, të sillte aq gëzim e emocion sa ç’mund të na sjellë sot një udhëtim në vagonët modernë të Orient-Ekspresit. Ishte aty edhe ajo dhoma-labirint me pasqyra e xhama, ku merrje “mësimet” e para e të rëndësishme për jetën: hap sytë, mëso të orientohesh, mëso nga gabimet. Kur i lije pas lodrat, por jo pa bërë dhe një xhiro të fundit e përmbyllëse në rrotullamen që ishte kthyer në një nga simbolet e kryeqytetit, një nga objektet që ishte bërë si pikë referimi për gjithë rrugën, e madje edhe për atë zonë të Tiranës, ishte posta. E kuqe, me kabina të mbyllura telefonike, me telefona që shpesh nuk funksiononin e me gra që të shërbenin duke ngrënë bukën me gjalpë të thekur në siguresën poshtë banakut.
Edhe sot dëgjon jo rrallë togfjalëshin: “Te posta e Rrugës së Elbasanit”. Mua për vete sa herë ma zë veshi, më bëhet se ndjej erën e bukës së thekur të grave të postës. Diku përballë saj fillonte edhe blloku i parë i shtëpive të ulëta, që sot i quajmë vila. Një pjesë tani janë prishur, të tjerat janë restauruar e janë dhënë me qira. Dikur shtëpitë, në formën e tyre të vjetër, banoheshin nga disa familje bashkë. Muret rrethues ishin lyer me gëlqere të bardhë e mbi ta ishin vendosur, siç e donte zakoni, copa xhami të thyer për të penguar ndonjë kalim të mundshëm të vjedhësve. Diku në buzë të rrugës ka ekzistuar për shumë vite një shitore që sot nuk është më, ose të paktën jo në atë formë. Ishte një shitore vajguri. Të tilla pika, jashtë të cilave qytetarët me bidonë teneqeje mbanin radhë të gjata, kishte shumë nëpër Tiranë. Duke qenë se vajguri ishte ndër të vetmet lëndë djegëse që përdorej për gatim e larje rrobash, ai ishte karburanti më masiv për amvisat. Madje vitet e fundit dolën edhe dushet me vajguri. Toka përballë dyqanit ishte aq e ngopur me lëndën djegëse, saqë era e tij mbushte gjithë rrugën dhe shpesh të bënte të mendoje se po të binte në atë pellg ndonjë shkëndijë, do të ndizej i gjithë qyteti. Në kryqëzimin e vetëm që ndodhet edhe sot në mesin e Rrugës së Elbasanit nis edhe pjesa më e bukur e rrugëtimit. M’u aty ku rruga me kurorë ahesh, që të nxjerr te godina e Televizionit Publik, nis e merr djathtas, zë fill edhe pjesa e rrugës që qarkohej nga gështenjat e egra. Në pranverë ato jeshilonin dhe e mbushnin rrugën me petalet e bardha të luleve të tyre të mëdha. Sot kanë mbetur disa syresh, por dikur, duke qenë se ndërtimet buzë rrugës ishin të ulëta, na dukeshin pemë të larta, ndërsa tani të bëhet se janë shkurre të mbuluara nga pluhuri. Rruga e gështenjave niste nga Liceu Artistik e përfundonte te kangjellat e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja, “Asim Vokshi”. Por, para se të shkoje aty, në të djathë ndodhej lagjja më e veçantë në Shqipëri, pas Bllokut të Udhëheqjes. Pranë njëra-tjetrës, në një kompleks vilash rezidenciale e të mirëmbajtura për kohën, madje disa me një look krejt të ndryshëm nga shtëpitë tipike shqiptare, ishin vendosur disa ambasada të huaja. Në sy binin vetëm dy prej tyre, Ambasada Franceze, me muret prej tulle të kuqe të pjekur, që në pranverë rrethohej nga një gardh i madh me lule jargavani e dorëzonjash, dhe Ambasada Italiane, e zëvendësuar tani nga ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte një lagje që tërhiqte sidomos vëmendjen e studentëve që vinin nga rrethet, veçanërisht atyre të gjuhëve të huaja, sepse ishte e vetmja dukje, sado e censuruar, e një bote përtej tonës, që këtu brenda ishte stigmatizuar keqmas, por që nga lëndinat apo biondët që lëviznin herë pas here përtej kangjellave të ambasadave nuk dukej aspak kërcënuese apo e egër.
Ato godina shpesh janë bërë objekte planesh arratisjeje, që kanë mbetur gjithmonë në tentativë, derisa një ditë të bukur të fillimviteve ‘90 disa shqiptarë u futën në Ambasadën Italiane, për të mos dalë më prej saj. Ishte një ngjarje që bëri bujë dhe paralajmëroi të tjerat që pasuan shembjen dhe hapjen e madhe shqiptare. Pasi kalon rrugën e ambasadave, mjedisi bëhet më rinor, madje fillimisht përballesh me adoleshentët shumëngjyrësh që mësojnë gjuhë të huaja e më pas me më të rriturit që i thellojnë dijet e tyre në fakultetet aty pranë. Vite më parë mbizotëronte e zeza e përparëseve të vajzave të shkollës së mesme që grupe-grupe dilnin në pushim për të blerë farat, ingranazhet apo akulloret që servireshin nga shitësit ambulantë. Më pas ato u zëvendësuan nga pikat ku përgatiteshin hamburgerët e parë në fillim të viteve ‘90. Tani, në vend të tyre ka pallate të larta me kafene trendi e restorante klasi. Shijen e një kohe të shkuar mund ta provosh vetëm po të dredhosh e të hysh në thellësi të parkut kombëtar të liqenit, që ruan ende disi të paprekur peizazhin e gjithëkahershëm. Nëse do të vazhdosh të ngjitesh më tutje, deri në kufijtë e rrugës që të përcjell për në fshatrat dalëse të Tiranës e të çon në Elbasan, edhe aty gjërat kanë ndryshuar. Gjelbërimi është i paktë dhe buzërruga është e tejngopur me ndërtime. Vetëm dy objektet që i japin fund rrugës kanë mbetur të pandryshueshme dhe jo sepse janë lënë në harresë, por sepse është e pamundur të rinovosh një varrezë dhe një ish-Pallat Mbretëror. Ato qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, secila në domenin e vet, duke zënë sipërfaqe të mëdha toke. Pandryshueshmëria e tyre, pavarësisht gjithë vrullit të ndërtimeve që ka përfshirë përrethësinë, tregon se ka disa gjëra që nuk tjetërsohen, pavarësisht se ndoshta rrotull mund të duket se po bëhet hataja.
#