E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i arsimit, ministri përballë rektorëve

Komisioni i Arsimit mbledh rektorët. Kërkohen dy konferenca drejtuesish, një për publikët, tjetër për privatët

Debati për ligjin e arsimit të lartë ka vijuar të zgjerojë rrethin e këndvështrimeve. Tanimë edhe qëndrimi i rektorëve apo profesorëve nuk po jepet në të gjitha rastet i qartë dhe i qëndrueshëm. Nisur nga kjo, por edhe nga mospërputhjet e deklaratave, përfaqësuesit e Komisionit të Arsimit janë bërë konfuzë për çfarë po ndodh me ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë. Dje, të gjithë këta përfaqësues kanë dëgjuar për më shumë se tri orë deklaratat e ministrit të Arsimit, të cilit i kanë bërë edhe pyetje, ndërkohë që më pas kanë dëgjuar njëri pas tjetrit edhe rektorët e disa prej universiteteve në vend.

Sakaq, të ndjerë të përfshirë në çështje krejtësisht teknike, anëtarët e Komisionit parlamentar të Arsimit kanë dëgjuar me vëmendje të gjitha sqarimet që janë dhënë nga palët.

Ministri i Arsimit, i pari i cili tha sqarimet për këtë projektvendim, sqaroi për anëtarët e komisionit se ky draft është diskutuar me universitetet, është diskutuar në Konferencën e Rektorëve madje është diskutuar me studentë. Sipas kreut të Shkencës, Myqerem Tafaj, ky projektligj ka ndryshime të cilat nuk cenojnë as autonominë, as nuk diskriminon ciklet e studimit dhe as nuk është miratuar pa konsensusin e përfaqësuesve të universiteteve në vend.

Mospërputhshmëria e deklaratave

Dje, në komision deklaratat mes përfaqësuesve të universiteteve dhe ministrisë kanë rënë ndesh në disa kuptime...

Ndërkohë që edhe vetë përfaqësuesit e universiteteve nuk dolën në një qëndrim të përbashkët, ashtu siç ishte thënë prej tyre.

Ndërsa kryetari i Konferencës së Rektorëve ka paraqitur në mënyrë eksplicite të gjitha nenet që bien ndesh me Kushtetutën, autonominë universitare të garantuar me ligj, apo Kodin e Punës, kreu i Universitetit Politeknik ka sqaruar se ai binte dakord me ciklet e studimit dhe mund të krahasonte këtë iniciativë me përvojën e universiteteve amerikane. Nga ana tjetër, kreu i Universitetit Bujqësor ka theksuar se nuk mund të jetë për t’u përgëzuar aspak ideja për t’i përfshirë të gjithë në masterin shkencor apo doktoraturë. Pavarësisht kësaj, anëtari i komisionit, Alfred Dalipi, kërkoi sqarime nga kreu i Arsimit për sa u takon cikleve të studimeve, duke vendosur theksin te vitet e humbura të atyre që kanë përfunduar arsimin e lartë katërvjeçar dhe kanë përfunduar ose janë në proces të masterit të nivelit të dytë. “Si mund të barazohet kjo kategori me ata që kanë bërë tre vite shkollë plus një vit master”, ka kërkuar shpjegim Dalipi.

Konfuzioni

Konfuzioni mes deklaratave të njërës palë dhe tjetrës, vështirësisë për të kuptuar thellësisht problematikën që përfshihet brenda “llojit” por edhe mes palëve, anëtarët e komisionit të arsimit nuk kanë mundur të bëjnë asgjë tjetër, veçse të dëgjojnë dhe të prekin përciptas ato probleme që duken më problematike në pamjen e parë.

Enkeleda Shkreli ka sugjeruar gjetjen e një zgjidhjeje alternative dhe shqyrtimin edhe një herë të nenit që përcakton si kusht për master, dhënien e provimit të TOEFL-it. Ndërkohë që anëtarët e komisionit mes tyre kanë satirizuar, duke thënë se rezulton që me këtë ligj, edhe përfaqësuesit e popullit duhet të vazhdojnë studimet për të plotësuar dhe për të mbajtur titujt e përfituara deri tani nga ciklet e studimeve që kanë ndjekur.

Nga ana tjetër, ministri i Arsimit, para se të largohej ka shprehur gatishmëri për të diskutuar dhe për të shqyrtuar gjithçka që kërkohet.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›