E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, hidhen në qarkullim autobusët e rinj

Bashkia e Tiranës ka ofruar një numër të konsiderueshëm autobusësh të rinj, me standarde europiane, në shërbim të popullatës kryeqytetase. Ky projekt synon transformimin rrënjësor të të gjitha linjave urbane të transportit publik. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kjo ndërhyrje do të shtrihet te të gjitha linjat e kryeqytetit, duke vënë në dispozicion 30 mjete të reja për të qarkulluar lirshëm dhe në kushte moderne. Fillimi i zbatimit të kësaj pakete të re të masave për përmirësimin e transportit publik në linjën e Unazës parashikon zëvendësimin e të gjithë parkut të mjeteve në këtë linjë me mjete të reja, me kilometrazhin “zero”. “Një tjetër parti autobusësh të rinj, me ajër të kondicionuar dhe me standarde tërësisht europiane, hyjnë sot në qarkullimin e kryeqytetit dhe bëhen pjesë e projektit tonë për transformimin rrënjësor të linjave urbane të transportit publik”, theksoi Rama. Këto ndryshime, sipas tij, do të inkurajojnë qytetarët, që për qarkullimin brenda për brenda Tiranës, të lënë makinat personale, të kursejnë dhe të mund të qarkullojnë me kushte plotësisht cilësore, duke lehtësuar qarkullimin në kryeqytet dhe buxhetin e ekonomisë së tyre familjare.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›