E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Kosovës: Nismë e guximshme - barrë e madhe

Aq shumë është folur për rrugën e Kosovës në media gjate 15 viteve të fundit sa që deri para dy viteve mendohej se kjo rrugë nuk do të realizohej kurrë. Ky togfjalësh dukej se ishte një shprehje politike ku çdo anë nxitohej ta përfshinte në premtimet e veta politike por tejet e guximshme për të hedhur hapa konkretë. Bëhet fjalë për segmentin nga Miloti në Morinë pasi pjesa nga Durrësi në Milot konsiderohet rrugë me parametra të lartë. Segmenti Milot-Morinë është i gjatë rreth 110 km dhe kalon në zonat e banuara Milot-Rubik-Rrëshen-Rreps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë.

Hapi i parë lidhur me këtë segment u hodh nga qeveria Majko në vitet 1999-2000 me nismën e tij të quajtur taksa e rrugës së Kosovës, e cila u mblodh por kurrë nuk u morr vesh se sa dhe çfarë vrime të shtetit tonë te brishtë mbylli. Flitet se u mblodhën rreth 40 milionë USD, por kjo shumë ishte shumë larg (ulët) vlerave që kjo rrugë do të kërkonte për zbatim.
Po gjatë kësaj kohe u hartua edhe fizibiliteti i kësaj rruge nga TEKNIK dhe MOT MC DONALD.

Më pas ishte përsëri një qeveri e majtë që hodhi edhe një hap tjetër duke hartuar projektet e zbatimit të segmenteve relativisht më të thjeshtë të kësaj rruge me shpresën se duke patur projektet do të mund të gjendeshin investitorë. Banka Botërore kishte shprehur vullnetin për të financuar segmentin e parë dhe më të thjeshtë Milot-Rrëshen. Ky segment i parashikuar me një sërë parametrash të lartë me një gjatësi prej 26km dhe gjerësi 11m dhe një kosto prej rreth 50 milionë EURO u kërkua të reduktohej sipas kërkesave të Bankës Botërore me pretekstin se ata kishin alokuar vetëm 26 milionë EURO! Aktualisht ky segment është në zbatim e sipër sipas kërkesave të Bankës Botërore.

Segmenti tjetër dhe më i vështiri Rrëshen-Kalimash dukej se ishte një sfidë politike dhe financiare pasi ishte e kuptueshme se kostoja e saj shkonte më shumë sa vlera e gjithë investimeve në rrugë në Shqipëri gjatë gjithë viteve pas 90 të marrë së bashku nga buxheti i shtetit dhe investitorë të huaj!

Do të duhej një nismë e guximshme e qeverisë së djathtë të sapoardhur në pushtet në 2005 që kjo rrugë të hynte në zbatim. Kjo qeveri e shpalli rrugën e Kosovës prioritetin kombëtar dhe për këtë hodhi tre hapa. E para kontraktoi zbatues shqiptarë dhe të huaj për zbatimin e rrugës Kalimash –Morinë përveç një segmenti të vështirë prej 5km që ende nuk ka filluar. Rruga Kalimash-Morinë me gjatësi rreth 25km dhe gjerësi 20m ka 1 vit që po zbatohet.

E dyta kjo qeveri nëpërmjet një procedure tenderuese angazhoi 2 kompani të huaja për hartimin e projekt zbatimit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash me gjatësi rreth 55km dhe gjerësi 20m pra me katër krosi.
Nuk vonoi shumë dhe qeveria lidhi një kontratë me një nga kompanitë e zbatimit më të mëdha në botë kompaninë amerikane Bechtel në bashkëpunim me kompaninë turke Enka për zbatimin e këtij segmenti nëpërmjet një procesi të përshpejtuar i cili u kontestua nga opozita për arsye se u tenderua pa projektin e zbatimit. Kjo rrugë pritej ti kushtonte buxhetit të shtetit rreth 450 milionë EURO.

Ndërkohë që projekti paraprak i hartuar nga dy kompanitë një italiane dhe një franceze e nxori segmentin Rrëshen-Kalimash në vlerat e rreth 700 milionë EURO! Sigurisht që kjo ra si bombë mbi qeverinë e cila tashmë i kishte hyrë një rruge pa kthim. Buxheti i shtetit do të vështirësohej por nuk mjaftoi, për këtë qeveria do të kërkonte kredi tregtare me interesa të larta pasi Banka Botërore nuk pranoi ta investonte.

Ende pa përfunduar projekti qeveria i alokon kompanisë zbatuese një avancë prej 100 milionë EURO për të filluar me mobilizimin e kantierit dhe punime fillestare në zbatim. Me marrjen e avancës Bechtel-Enka kreu mobilizimin dhe ka filluar zbatimin.

Aktualisht segmenti prej 5km ne dalje të Kalimashit dhe që përben edhe segmentin e fundit të pa financuar dhe me kosto rreth 45 milionë EURO pritet te investohet nga Banka Islamike e Zhvillimit.

Duket se qeveria i ka bërë hesapet e financimit dhe dashtë Zoti kjo rrugë do të përfundojë. Por a i ka bërë hesapet kjo qeveri se çfarë dëmi i kryet buxhetit të shtetit? Se si do ta paguajë borxhin e jashtëm? Se çfarë projektesh të tjera në të gjitha fushat do të sakrifikohen për hir të kësaj rruge? A duhej kjo rruge të zbatohej dhe investohej me 4 korsi që në fillim? Sigurisht që koha ka për ta vërtetuar, por dashtë Zoti që qeveria të ketë përgjigje për të gjitha këto pikëpyetje.

Shënim: Autori ka marrë pjesë në hartimin e projekteve të segmenteve të rrugës Milot-Morinë; shifrat janë të përafërta dhe të rrumbullakosura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›