E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e afrimit drejt BE

Shqipëria sapo ka dalë nga një periudhë e vështirë politike. Si Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, dëshiroj ta shoh Shqipërinë të bëjë hapa të dukshëm në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Opinioni i Komisionit Evropian dhe rekomandimet që mund të bëhen nga Komisioni për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët shqiptarë, janë piketat e ardhshme të kësaj rruge.
Përpjekjet që shënuan progres në 2009. Një punë e konsiderueshme është bërë vitin që shkoi dhe arritje te rëndësishme u realizuan në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian hyri në fuqi në prill. Zgjedhjet parlamentare të qershorit u vlerësuan që ishin në përputhje me shumicën e standardeve ndërkombëtare, edhe pse u vunë re disa probleme të cilat duhen zgjidhur. Vendi juaj aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 28 prill 2009, dhe Këshilli Evropian ftoi Komisionin Evropian të përgatisë një “opinion” mbi aplikimin e Shqipërisë.
Të përballesh me sfidat e 2010 duke u mbështetur në suksesin arritur. Rezultati i punës që Komisioni Evropian po bën aktualisht për opinionin mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk duhet paragjykuar. Vlerësimi do të jetë objektiv dhe i drejtë. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet kriterit politik, duke përfshirë këtu edhe funksionimin efikas të institucioneve shtetërore. Përmbushja e kriterit politik është një parakusht për të ndërmarrë hapin tjetër në rrugën e integrimit drejt BE-së. Shqipëria ka kaluar një rrugë të gjatë për të plotësuar kushtet për heqjen e vizave për në BE. Liberalizimi i vizave bazohet në meritën e secilit vend. Në këtë kontekst, përballja me vendosmëri me mangësitë si dhe dhënia e provave të besueshme për zbatimin e legjislacionit përkatës do të japin frytet e tyre. Përparimet në fushën e vendosjes së shtetit ligjor, përfshirë këtu luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë thelbësore për Shqipërinë si për liberalizimin e vizave, ashtu edhe për procesin e integrimit në përgjithësi.
Dialogu konstruktiv politik në Parlament si themel për demokracinë dhe kusht për përparim të mëtejshëm. Unë vij nga një vend ku debati politik nganjëherë ka qenë i ndezur dhe konfliktual. Nëse një debat i tillë zhvillohet në mënyrë konstruktive në parlament dhe ndihmon në lindjen e ideve të reja dhe analizimin me imtësi të propozimeve të bëra, atëherë kjo mund ta çojë vendin përpara në rrugën drejt reformave. Përgjegjshmëria politike e të gjitha krahëve dhe përpjekjet e përbashkëta janë receta për t’u afruar drejt anëtarësimit në BE. Kërkimi i një konsensusi të fortë brenda shoqërisë dhe mobilizimi i shoqërisë civile janë pjesë e kësaj recete.
Partneritet për të mbështetur përpjekjet për integrimin në BE. Unë e kam përjetuar personalisht fuqinë transformuese të procesit të zgjerimit teksa vendi im u bë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2004. Jam i bindur se anëtarësimi në BE është çelësi i së ardhmes për vendet e rajonit. Në vitet që vijnë Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga ndihma teknike dhe financiare e Bashkimit Evropian, dhe kjo ndihmë do të rritet ndërsa marrëdhëniet tona intensifikohen. Sidoqoftë, përgjegjësia për të ardhmen e Shqipërisë qëndron në duart e popullit dhe qeverisë së Shqipërisë. Bazuar në arritjet tuaja, ju do të jeni në gjendje t’i afroheni më tej anëtarësimit në BE. Unë jam i vendosur të punoj ngushtësisht me qeverinë, institucionet, partitë politike dhe shoqërinë civile të Shqipërisë, në mënyrë që të arrijmë përparim të qëndrueshëm drejt qëllimit tonë të përbashkët, anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Titulli origjinal: Rruga e afrimit drejt BE-së: përgjegjshmëria politike dhe përpjekjet e përbashkëta do të japin frytet tyre

*Komisioner i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësise
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›