E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga e ferrit

Shkrimtari i njohur shqiptar Visar Zhiti sjell në një botim të ri e të ripunuar veprën e tij ‘Rrugët e ferrit’, në të cilën përshkruan arrestimin, gjykimin dhe dënimin e tij me burg shkaku i poezisë.

‘Rrugët e ferrit’, shkruar nga Visar Zhiti, konsideruar si një vepër monumentale, vjen në një botim të ri e të ripunuar. Shtëpia botuese “OMSCA-1” ka bërë të ditur lajmin duke thënë se libri është plotësuar me ndodhi, kumte e ndjesi, por edhe me dokumente autentike, që në tërësinë e tyre kanë dhënë një vepër të kujtesës kolektive, nga më të vyerat e më të arrirat, që, edhe pse pasqyron vuajtjen dhe dhunën e kaluar, është e dobishme për të sotmen dhe çka është më e rëndësishmja, për të ardhmen.

“Me talentin e tij të mrekullueshëm, me forcën magjepsëse të penës së tij, Visar Zhiti këtë përvojë e ka shndërruar në bukuri tronditëse artistike, në letërsi, një lloj eposi modern, ku gërshetohen, përmes mallit të pashterur për jetën, tragjikja e shkaktuar nga shteti me brishtësinë e njeriut, e vrazhda e kohës me qëndresën e pakohë, dhembja me humorin e zi, porosia për shpresë edhe kur nuk ka shpresa”, thuhet nga botuesi.

Rreth 580 faqet e këtij libri, të ndarë në kapitujt e nënkapitujt, veçohet fryma humane e poetit që ngrihet mbi atë përditshmëri tiranike.

“Vlerë tjetër fondamentale është se të gjitha ngjarjet e ndërkallura të tij, shpesh të pabesueshme, janë të vërteta, të përjetuara nga autori apo bashkëvuajtësit e tij, sepse, sipas autorit, gjithçka e krijoi ai realitet diktatorial në epokën e komunizmit dhe nuk kishte pse të fantazoje për më tepër, fati diabolik krijoi dramën e një populli dhe vepra ‘Rrugët e ferrit’ është një dëshmi e madhe dhe besnike me nivel të lartë artistik e një pjese të saj, asaj të nëndheshmes, më të rëndës, ku ishin rroposur kundërshtarët e regjimit. Dhe pikërisht prej saj kuptohet më së miri e tëra”. Vepra nis me një arrestim të beftë, kalon te hetuesia sfilitëse, gjyqi, dënimi, absurd dhe dhunues për sot, vetëm nga shkaku i poezisë, që është metaforë e njerëzores, e lirisë së brendshme, e ëndrrës dhe e kundërshtimit. Pastaj burgu i tmerrshëm i Spaçit, minierat e tij si një ferr real. Po kështu dhe gjithë personazhet atje janë të vërtetë, me emrat e tyre të njëmendët, të identifikueshëm, të mirë e të këqij, të njohur e të panjohur, me uniforma burgu e me uniforma ushtarake, të dënuar e të padënuar, politikanë, të çmendur, artistë, provokatorë, policë, gjyqtarë, kuaj, mace, qen, minj, spiunë, shkelje të drejtave të njeriut, dëlirë, vdekje, trishtim pafund dhe libra, libra në burg. Këtë na tregon ky roman, një mjedis të mbyllur e mbytës, burgun dhe minierat e tij, pra mungesën e hapësirës, por ai ka hapësirat e pa masa të njerëzores, ngushtësia zëvendësohet me thellësinë, dashuria me ëndrrën, sofra familjare me urinë për jetë, jeta dhe vdekja me mosjetën dhe vrasjen e ngadaltë. “Visar Zhiti ka ringritur një ferr dantesk, ku dhe vetë Dantja do të ndihej keq, i hutuar, se edhe rrathët klasikë të ferrit janë copërluar duke u shndërruar në copëra rrugësh që nuk të çojnë asgjëkund, përveçse të lënë në vend, në ferrin shkretan shqiptar”, shkruan botuesi Luan Pengili.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›