Rruga e kombit, hapet traseja e zgjatimit

Thuajse fotokopje si në Thirrë ka qenë ceremonia e zhvilluar dje në Vërmicë, pikërisht pjesën matanë kufirit që e ndan fshati i Kukësit Morini, siç quhet edhe pika kufitare me Kosovën. Shpërthime eksplozivi, fjalime të shumta, politikanë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe ambasadorë të rëndësishëm. Ka nisur dje në mesditë ndërtimi i autostradës Morinë-Merdarë, ose siç është ‘pagëzuar’ tani nga shqiptarët, “Rruga e Kombit”, që vlerësohet si investim dhe vepër madhore e Kosovës në këta vjet. Me shtypjen e një butoni për shpërthimin simbolik të një sasie të eksplozivit nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nisi zyrtarisht procesi i ndërtimit të autostradës Morinë-Merdarë. Në orën 13:30 minuta në Vërmicë, mu pranë kufirit Kosovë-Shqipëri, kanë mbërritur krerët kryesorë të shtetit kosovar, si dhe të qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve të autostradës, ëndërr e kamotshme e kosovarëve. Në ceremoninë e inaugurimit të punimeve merrnin pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komunave dhe ata të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. Kryeministri Berisha dhe ministri i Transportit shqiptar, Sokol Olldashi, ishin në krye të delegacionit shqiptar i cili është ftuar në këtë ceremoni. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha në fjalën e tij se sot nis zbatimi i "një ëndrre të kamotshme", e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën ekonomike kosovare, por gjithashtu do të mbajë më afër shqiptarët me kosovarët. “Kjo autostradë shënon përfundimin e ndarjes që na është imponuar për shekuj me radhë”, nënvizoi Sejdiu. Ambasadori amerikan, Christopher Dell, në fjalën e tij përshëndetëse tha se projekti ishte provë se vendimi i pavarësisë së Kosovës është i drejtë. “çdokush që vë në pikëpyetje nëse pavarësia është vendim i drejtë atëherë shikon mijëra qytetarët që kanë ardhur sot. Le ta dinë se sa i rëndësishëm është pavarësia e Kosovës”. Dell garantoi se SHBA do të jetë në krah të qeverisë në realizimin e këtij projekti. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm historik. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se vendimi i qeverisë së Kosovës për ndërtimin e autostradës është një “vendim madhor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”. Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, u shpreh i bindur se me ndërtimin e autostradës po hapet “epoka e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Kosovës”. “Sot, kur nisim rrugën e kombit, më lejoni të përkujtojmë me respekt ëndrrën dhe sakrificën e stërgjyshërve dhe baballarëve tanë me kufij të ndarë dhe t’u themi me zë të lartë dhe shtetëror: po, sot, në këtë ditë, po e nisim rrugën tonë, rrugën e munguar, rrugën e kombit, rrugën e ëndrrave tuaja dhe ëndrrave tona, rrugën e afrimit dhe komunikimit, rrugën e zhvillimit ekonomik dhe emancipimit shumëdimensional të shoqërisë kosovare. Sot, po e fillojmë rrugën që, nga Kosova në Shqipëri, Prizreni në Kukës, kishte një distancë një shekullore. Një shekull vuajtje, një shekull përpjekje, një shekull pritje. Ky është çmimi i kësaj autostrade që po fillojmë sot”, tha Thaçi. Ndërkohë, ministri i Transportit dhe Postë-telekomunikacionit në Kosovë, Fatmir Limaj, tha se me ndërtimin e autostradës po thyhen, siç theksoi ai, muret e së kaluarës. “Kjo autostradë në zemër të Kosovës bëhet një udhëkryq për të gjithë popujt e rajonit”, tha Limaj për të theksuar se përmes autostradës Merdare-Morinë po ndërtohet rruga drejt Europës. Ai tha se Kosova do të bëhet më tërheqëse për investime të huaja, se do të ketë dalje në det dhe se do të lidhet me rrugët e shteteve fqinje. Rruga e integrimit pritet të ndërtohet gjatë tre vjetëve të ardhshëm dhe vlerësohet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas autoriteteve në Kosovë, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës në ndërtimin e autostradës Vërmicë – Merdare. 40 për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës thuhet se do t’i kryejnë kompanitë vendore. Manifestimi me rastin e nisjes së punimeve në autostradën Morinë-Prishtinë-Merdare, ndërkohë, pritet të zgjasë deri në mbrëmje me programe të përgatitura artistike.
Sulejman Dida, Ylli Pata
#