Rruga lidhëse me Gjirokastrën,problem madhor për banorët e fshatit Poliçan

Shkëputja e herëpashershe e energjisë elektrike është kthyer në shqetësim për banorët e fshatit Poliçan në Njësinë Administrative Pogon.Ata shprehen se, jo në pak raste, u janë dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake, për të cilat s’mban njeri përgjegjësi. Ndërsa, rruga që të çon në këtë zonë, tejet e amortizuar, mbetet problemi më i madh për këta banorë, shumica prej të cilëve të moshuar.
“Na shqetësojnë disa probleme.Së pari rruga që na lidh me Gjirokastrën, gjendja e së ciles përkeqësohet dita-ditës.Tashmë, kjo zonë po vizitohet shumë nga turistë vendas e të huaj dhe është e domosdoshme ndërhyrja në të.Shkëputja e energjisë elektrike për disa orë na ka sjellë edhe dëmtime të pajisjeve.Duhen marrë masa nga OSHE – ja pasi nuk është ajo që na dëmshpërblen për to.” – shprehet një prej banorëve.
“Kërkojmë të investohet për rrugën që na çon në Gjirokastër.Eshtë emergjente,pasi këto fshatra kanë marrë edhe vëmendjen e turistëve. Duhen krijuar kushte për të thithur sa më shumë vizitorë.Gjithashtu, kërkojmë nga OSHE – ja të ndërhyjë në rehabilitimin e rrjetit elektrik.”
Poliçani, fshati 40 km në juglindje të qytetit të Gjirokastrës sot numëron 80 banorë ,për shkak të emigracionit. Me një peisazh natyror të mrekullueshëm ka potenciale të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit natyror.