Rruga pranë Parlamentit pronë e deputetëve, ndalohet qarkullimi i qytetarëve
Prej disa muajsh qytetarë të kryeqytetit u është mohuar e drejta për të kaluar, ashtu siç kanë kaluar gjithmonë, përpara institucionit të Parlamentit. Gjithashtu, edhe të moshuarit nuk janë lejuar të qëndrojnë në mjediset e gjelbëruara brenda telve, ndonëse kjo pronë, zyrtarisht njihet si pronë publike dhe ka shërbyer si mjedis çlodhje për të gjithë qytetarët. Ndërkaq, me burgosjen e kësaj rruge, çdo qytetar këmbësor, për të lëvizur nga qendra në drejtim të Rr. Elbasani, duhet të bëjë disa minuta më tepër rrugë në këmbë, gjithat edhe nën rrezet e diellit, pasi në sheshin para Parlamentit, ku mund ti bie më shkurt, ndalohen nga gardianët e armatosur.
Kështu, jo vetëm të rinj, por edhe të moshuarit janë ndaluar kategorikisht të kalojnë në këtë rrugë tradicionalisht të lirë, sidomos në ditë kur në parlament zhvillohen seanca plenare. Madje gjatë kohës kur zhvillohen seancat, jo vetëm në rrugën brenda sheshit, por edhe në trotuar qytetarët e kanë të vështirë të kalojnë, ngaqë pengohen nga parkimi i paligjshëm i makinave të deputetëve. Shumë të moshuar, ankohen për burgosjen e padrejtë të kësaj hapësire të gjelbër publike, në të cilën ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë. Gjithashtu edhe kalimtarët e tjerë shprehen të revoltuar për këtë fenomen dhe kërkojnë nga Bashkia e Tiranës dhe instancat e tjera qeveritare, çlirimin e këtij mjedisi në shërbim të qytetarëve. Ata kërkojnë shpjegim nga Bashkia e Tiranës, apo nga qeveria për burgosjen e kësaj hapësire të gjelbër në mënyrë krejtësisht të padrejtë. Në anë lindore të sheshit bri rrënojave të kalasë së Tiranës, janë vendosur shirita me breza të kuq, gjithashtu edhe rojet e armatosur qëndrojnë në këmbë, duke zmbrapsur çdo qytetar që tenton ti bie për shkurt duke kaluar në këtë rrugë, apo çdo të moshuar që dëshiron të pushojë në këtë mjedis. Edhe stolat e vendosur benda këtyre mjedisi janë të boshatisur për këtë shkak. Ky është një veprim diskriminues i qeverisë ndaj qytetarëve të thjeshtë, nën pretekstin e ruajtjes së sigurisë së zyrtarëve.