E Diel, 1 Nëntor 2026

Të përndjekurit politikë të Durrësit kërkojnë largimin e Alibeajt

Të përndjekurit politikë në Durrës i kanë kërkuar kryeministrit Berisha të shkarkojë ministrin e Drejtësisë Enkeled Alibej dhe drejtorin te Institutit për Integrimin e të përndjekurve dhe burgosurve politikë, Simon Miraka. Gjatë një konference për shtyp, ata i kërkuan këto shkarkime për shkak të veprimeve që po bëhen me shpalljen e listave për dëmshpërblimin e kësaj shtrese për vitet e burgut politik. Përfaqësuesi i këtyre të përndjekurve Asllan Patrioti, midis të tjerash deklaroi se shqetësimet e ngritura nga të përndjekurit nuk janë marrë parasysh nga Simon Miraka, i cili as nuk takon më me të përndjekurit, ndërkohë që për ministrin e Drejtësisë Enkeled Alibeaj, ata kanë hedhur akuza më të rënda. Në deklaratën e të përndjekurve Alibeaj etiketohet si një njeri me sjellje rrugaçi që nuk do tia dijë fare për këtë shtresë, duke u thënë se nuk është ai që i ka future në burg këta njerëz e për pasojë nuk u detyrohet. Sipas përfaqësuese të të përndjekurve të Durrësit ka patur përplasje dhe akuza të ndërsjellta në kohën që është zhvilluar një takim me ministrin në zyrën e tij në Tiranë. Të përndjekurit janë dhunuar nga rojat e ministrisë, ndërkohë që disa prej të pranishme janë nxjerrë jashtë nga takimi për shkak të sharjeve dhe akuzave. Gjithashtu të përndjekurit kanë kërkuar punësim për të papunët e kësaj shtrese, rimbursimin e barnave, pajisjen me viza për jashtë shtetit, si dhe shpalljen në mënyrë të drejtë të listave për të përndjekurit që duhet të dëmshpërblehen. Gjithashtu, të përndjekurit kanë bërë akuza të rënda duke akuzuar disa persona që sillen si sekserë, të cilët u marrin para njerëzve të ndryshëm apo ish të burgosurve ordinerë për tiu futur në lista të dëmshpërblimit, ndërsa nga ana tjetër shumë të përndjekur politikë nuk figurojnë në këto lista. Duke e quajtur skandaloze situatën ata i bëjnë thirrje kryeministrit Berisha, të marrë në dorë këtë problem dhe të shkarkojë Alibeajn. Sipas përfaqësuesve të kësaj shtrese, ata jo vetëm që nuk janë përfshirë në listën e dëmshpërblimeve por nuk janë përfshirë as në listat zgjedhore. Për këto probleme shoqata e ish të dënuarve politikë do të vërë në dijeni ambasadën amerikane dhe do të kërkojë mbështetjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›