E Diel, 1 Nëntor 2026

Albtelekom indiferent ndaj ankesave, u mohon qytetarëve informimin mbi koston e bisedave

Qytetarët vazhdojnë të ankohen për faturat  e telefonisë fikse
Ndonëse ankesat e abonentëve por dhe ZMK-ja bashkë me Avokatin e Popullit, nuk kanë reshtur së denoncuari prej kohësh zhdukjen e shërbimeve telefonike, Kompania Albtelekom, ende vazhdon të heshtë, duke i diskriminuar si qytetarët e thjeshte, ashtu edhe institucionet që mbrojnë interesat e tyre. Kërkesa parësore e abonentëve, të cilët marrin shërbimin telefonik fiks nga Kompania Albtelekom, është pajisja me fletën analitike për bisedat telefonike, pasi qytetarët kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me shumën e faturave mujore telefonike. Prandaj, konsumatorët kërkojnë nga kompania të zbatojë një detyrë që u takon ligjërisht, e cila do tu jepte fund dyshimeve dhe pakënaqësive, pasi kostoja e shërbimit telefonik fiks do të kontrollohej lehtësish nga çdo abonent. Këmbëngulja e qytetarëve për tu pajisur me fletë analitike të therjeve krahas faturës telefonike, ka ardhur si rezultat i tarifave të mëdha mujore për këtë shërbim, tarifë e cila sipas abonentëve nuk përputhet aspak me thirrjet e kryera gjatë muajit. Megjithatë, kjo kërkesë, gjithashtu edhe detyrim ligjor që kompani duhet tua ofrojë abonentëve të saj, nuk është respektuar, duke e thelluar në këtë mënyrë më tej, grabitjen e ekonomike ndaj qytetarëve. Çdo ditë, pranë zyrës së ankesave të Kompanisë Albtelekom, ankohen me dhjetëra qytetarë për shumën e faturave telefonike, dhe që të gjithë marrin të njëjtën përgjigje shkurajuese. Ndërkaq, për tu pajisur një qytetarë me faturën analitike të thirrjeve, duhet tu nënshtrohen disa procedurave burokratike, të cilat si nga koha ashtu edhe nga kostoja, shpeshherë janë të pamundura të ndiqen nga qytetari. Megjithëse, në ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, theksohet se abonenti ka të drejtë të informohet pa detyrime financiare apo kohore, për koston e shërbimit që ai konsumon. Gjithashtu, edhe në kontratën e anëshkruar midis abonentit dhe kompanisë, në listën e detyrimeve që ka kompania ndaj qytetarit, është e përcaktuar edhe informimi për koston dhe kohëzgjatjen e bisedave telefonike. Janë me qindra qytetarë që ankohen për shërbimet e kufizuara të Kompanisë Albtelekom, për vlerën e faturave telefonike, për heqjen e fletëve analitike, për zhdukjen e kodit ( * 3.9 # ), ku abonentët informoheshin për impulset e harxhuara në çdo ditë gjatë muajt, për ndërprerjet e shpeshta të sinjalit telefonik, gjithashtu edhe për pamundësinë për të zgjedhur një shërbim tjetër. Përderisa nuk ekziston edhe një kompani tjetër që të kemi mundësi zgjedhje për shërbimin e telefonisë fikse, ne do të vazhdojmë të diskriminohemi financiarisht. Edhe strukturat shtetërore nuk ndërhyjnë për të kontrolluar shërbimet, nëse përputhen apo jo më ligjet dhe kontratën e nënshkruar. Pikërisht, sot kam ardhur për të kërkuar shpjegime për vlerën e faturës, por nuk më jep kush arsye. Megjithatë, nëse situata nuk do të ndryshojë në vazhdim, ne si familje do ta ndërpresim kontratën për këtë shërbim, u shpreh për gazetën SOT familja Toçi. Shumë qytetarë, të cilët kërkojnë për tu pajisur me fletën analitike të thirrjeve telefonike, sapo njihen me procedurat absurde që duhet të ndjekin, zmbrapsen duke likuiduar faturën si gjithmonë. Përveç vendosjes së një taksi kundrejt këtij shërbimi, qytetarët duhet të bëjnë edhe një kërkesë me shkrim, duke paraqitur arsyet se pse dëshirojnë fletën analitike, gjithashtu duhet të presin disa ditë për ta tërhequr. Gjithsesi, fleta analitike për bisedat telefonike është një nga lista shërbimeve që Kompania Albtelekom u ka mohuar qytetarëve të kryeqytetit.          
Fleta analitike për bisedat telefonike
Fleta analitike për bisedat telefonike, është një detyrim ligjorë që Kompania Albtelekom duhet të pajisë falas abonentët e saj, bashkangjitur me faturën telefonike mujore. Fleta analitike përmban në mënyrë të detajuar dhe të vërtetë, tërësinë e thirrjeve mujore që kryen abonenti, kohëzgjatjen dhe koston sipas natyrës së tyre, gjithashtu edhe kohën kur është kryer biseda bashkë me vendndodhjen gjeografike të numrit të thirrur.  

Last Updated on Monday, 27 April 2009 11:20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›