E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rrugorja” vijon kontrollet intensive, mbi 12 mijë shkelje të konstatuara gjatë javës së fundit në Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet e vazhdueshme në akset lidhëse dhe rrugët me frekuentim të lartë, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Gjatë javës së fundit janë evidentuar 12 505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjithashtu, janë konstatuar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, për të cilat autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.

Një rast i veçantë lidhet me një drejtues automjeti, i cili është proceduar penalisht pasi ka tentuar të korruptojë një punonjës policie duke i ofruar 2000 lekë të rinj, me qëllim shmangien e masës administrative. Drejtuesi po qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit.

Gjatë kontrolleve janë vendosur masa administrative për shkelje të ndryshme, ndër të cilat:

  • 74 masa për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, shkelje që krijon manovra të rrezikshme dhe vështirësi në qarkullim;
  • 12 masa për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
  • 31 mjete janë bllokuar dhe janë larguar me mjet ngritës për parkim apo ndalim në kundërshtim me Kodin Rrugor;
  • 1562 masa administrative për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit dhe mungesë të kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve.

Policia Rrugore apelon të gjithë përdoruesit e rrugës të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë përgjegjshmëri të shtuar, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›