Rrumbullaku: U kryen të gjitha procedurat hetimore për vrasjen në Pogradec

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dha detaje të reja lidhur me vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga, 4 ditë më parë në Pogradec.
Rrumbullaku në konferencë për mediet mesditën e sotme, bëri të ditur se nga hetimet e deritanishme të Policisë së Shtetit nuk rezulton që 42-vjeçari është vrarë për gjobëvënie, por se ka qenë një konflikt i çastit.
Ai mohoi njëkohësisht aludimet se Policia e Shtetit tentoi që të fshehë vrasjen e Egli Progës.
“Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë. Kjo ngjarje është vlerësuar maksimalisht nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe ato të Komisariatit të Policisë Pogradec”, u shpreh Rrumbullaku..
Ai shtoi se do të merren masa për zbardhjen e qëllimit të dezinformimit.
“Policia e Shtetit nuk është as e përsosur dhe as e pagabueshme. Por baltosja e saj si në këtë rast është jo thjesht e pabazuar, po është e dënueshme moralisht dhe ligjërisht, sepse cenon integritetin dhe besueshmërinë e garantit të rendit publik. Dua të bëj me dije se, Policia e Shtetit do të ndërmarrë hapa ligjorë për të bërë deri në fund transparencë mbi shkaqet dhe qëllimet e përhapjes së këtij dezinformimi dhe keqinformimi të qëllimtë mbi rolin e saj në këtë ngjarje”, tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku tha se grupi hetimor ka kryer të gjitha procedurat dhe ka zbardhur ngjarjen në kohë rekord. Më tej Rrumbullaku tha se policia e Shtetit ka referuar në prokurori ngjarjen si “vrasje me dashje”.
“Në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk është tentuar të fshihet apo të minimizohet ngjarje e rëndë. Është vlerësuar maksimalisht nga komisariati i Pogradecit. Është shkuar në vend ngjarje, janë sekuestruar kamerat e ambienteve përreth, janë shoqëruar disa persona, janë kryer veprimet e hetimeve. Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes. Është identifikuar autori dhe arrestuar tre të tjerë për moskallëzim krimi”, shtoi ai.
“Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë. Por të pretendohet dhe të propagandohet se, Policia e Shtetit tentoi ta fshihte ngjarjen apo të zbuste rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë në kohë rekord dhe me motivin “Vrasja me dashje”, kjo është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme”, përfundoi drejtori i Përgjithshëm i Policisë.