Ruajeni botën

Një spektakël dedikuar ambientalizmit dhe që përcjell mesazhin e madh: Të shpëtojmë botën: Asnjëherë nuk është vonë!
Shfaqja nuk ka për qëllim të shpëtojë botën e aq më pak të imitojë “An Inconvenient Truth” të Al Gore. Spektakli, që e sjell Akademia e Arteve e Tiranës, ka historikun e ngjizjes shumë më të thjeshtë.
Autori i tij, një personazh i njohur i botës së televizionit, Rezart Aga, vërtet është frymëzuar nga një dokumentar që ka lidhje me ambientin dhe thirrjen për shpëtimin e tij, por idenë e vërtetë e ka marrë nga një personazh shqiptar i zbuluar në një spektakël talentesh, “Ti vlen”.
Prej performancave të Fatmir Murrës lindi “Save the World”, një spektakël që për nga mënyra e realizimit dhe asaj çka ofroi u tha se është një risi për publikun shqiptar.
E tëra ka të bëjë me një shfaqje në një skenë të vogël, rrethuar nga tavolina elegante të ndriçuara, të vendosura si copëza tokë: burim uji, pemë, gurë, rërë.
Ndërsa personazhi i vetëm interpreton jetën, rolin e njeriut që hyn në skenë, mbase pa e kuptuar se çfarë ndodh dhe reagon me gjithçka përreth.
Ai shndërrohet herë në kafshë e herë në njeri, herë lind jetën dhe herë e ndërtonte atë. Pikturon në rërë, luan me ujin dhe ujëvarat, shijon pemët dhe trazon gurët.
Bota ka nevojë të ndihet e lirë dhe ne po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme.
Shkencëtarët thonë se kemi dhjetë vite në dispozicion për të ndryshuar mënyrën tonë të jetesës në mënyrë që të shmangim shterimin e burimeve natyrore dhe në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjithë.
Personazhi i ngjitur në skenë nga Rezart Aga, kur është pyetur për këtë shfaqje nga mediet shqiptare, kishte thënë se shfaqja “ka qenë pasojë e dy ndjesive.
“Ndjesia e parë erdhi në momentin kur pashë disa teknika të një prej fituesve e talent show që u zhvillua në Top Channel, “Ti vlen”, Fatmir Murra. Teknika të teatrit alternativ apo të rrymave alternative. Sot mund të komunikosh me publikun me të gjitha mënyrat dhe nëpërmjet Fatmirit u miqësova me mënyrën se si ai punonte me ujin, me rërën, me imitimin e kafshëve, me pantomimën e kafshëve etj”, kishte thënë ai.
Kurse e tërë kjo shfaqje tashmë do të vjen e ekranizuar nëpër ekranet e televizioneve tona.
Një shfaqje spektakël që e kemi humbur më parë, por që nuk duhet lejuar ta humbim tani kur shfaqet në kanalin DigiGold, që në Kosovë e sjell Kompania IPKO.
Autor i shfaqjes është Rezart Aga, skenari është shkruar nga Koloreto Cukali, ndërkaq regjia është bërë nga Ergys Lubonja.
Shfaqja ka vetëm një aktor në skenë dhe ai është Fatmir Murra.