“Ruani pavarësinë e SPAK!” Komisionerja Kos reagon mbi raportin për Shqipërinë

Shqipëria është e angazhuar në mënyrë serioze për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Vlerësimi erdhi nga Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë seancës plenare të Parlamentit Europian, ku u diskutuan raportet e progresit për vitet 2023 dhe 2024 për vendin tonë.
Gjatë fjalës së mbajtur para eurodeputetëve, Komisionerja Kos vlerësoi përparimin e shënuar nga vendi ynë në reformën në drejtësi dhe sidomos rezultatet e arritura nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të cilën e cilësoi si institucionin më të besuar në Shqipëri. Ajo theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë së kësaj strukture.
“Përparimi në reformën në drejtësi dhe vetingun e magjistratëve, si dhe rezultatet e mira të strukturës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë. Reforma në drejtësi është një proces i pakthyeshëm dhe përparimi i shënuar në të jo vetëm që duhet ruajtur, por edhe duhet konsoliduar më shumë. Përpjekjet për të luftuar korrupsionin, veçanërisht në nivel të lartë, duhet të vijojnë me vendosmëri të madhe. Në këtë kontekst, pavarësia e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK – duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet të ruhet dhe fuqizohet,” deklaroi znj. Kos.
Më tej, Komisionerja Europiane theksoi rëndësinë e ruajtjes të të drejtave themelore, veçanërisht lirinë e medies. Kos bëri thirrje për marrjen e masave për mbrojtjen e gazetarëve, duke siguruar pavarësinë si të rregullatorëve të medieve, ashtu edhe të transmetuesit publik, si dhe duke promovuar pluralizëm të vërtetë dhe transparencë në financimin e medieve.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/