E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubens Shima: Ja muzeu pa pikturë banale

Zgjidhet dilema: muze apo galeri? Gati në prill Muzeu i Artit Figurativ Shqiptar i shtrirë në të tri kate të Galerisë Kombëtare. Katër faza zhvillimi të pikturës qytetare, të pikturës së viteve '30, të realizmit socialist dhe të bashkëkohësisë. Rubens Shima tregon projektin ambicioz, së shpejti realitet


Galeria Kombëtare ka parashikuar që 24 prilli të jetë dita kur brenda saj do të hapet muzeu i arteve figurative. Drejtori Rubens Shima deklaron kështu se po bëhet realitet zgjidhja e dilemës që herë pas herë kanë pasur paraardhësit e tij për një status më të qartë. Galeria ka jetuar deri më sot si institucion hibrid që ka xhiruar ekspozita dhe ka varrosur për një kohë të gjatë fondin.


Më në fund ky fond po hapet dhe prej tij po dalin 70% e veprave që përbëjnë linjat e përhershme. Muzeu është i ndarë në katër pavijone që paraqesin zhvillimin e artit shqiptar i cili sipas Shimës përvijohet në periudhat e pikturës qytetare, piktura e viteve '30, arti i realizmit socialist dhe i bashkëkohësisë.


Më shumë se një shekull histori arti e shtrirë në tri kate të Galerisë Kombëtare duke i lënë asaj për ekspozime të përkohshme vetëm sallën e madhe të katit I.

Puna një vjeçare që Rubens Shima ka bërë për realizmin e muzeut dhe për një prezantim të plotë të historisë së artit shqiptar, do të duket në prill. Në intervistën për "Shekullin" ai zbulon paraprakisht modelin dhe përmbajtjen e pjesshme të muzeut.

Si është konceptuar ky muze i arteve figurative?


Muzeu prezanton katër periudha kryesore. Fillesat e pikturës, ajo që quhet piktura e qyteteve, çka i takon fundit të shekulli të 19 dhe fillimit të shekullit të XX.


Kjo periudhë ka të bëjë me fillesat laike të pikturës shqiptare, këtu nuk i referohem traditës pas bizantine, ikonografisë.

Është një pikturë laike që nuk ka lidhje me traditën fetare. Kryesisht i referohem dy qyteteve të para ku fillon dhe piktura shqiptare, Shkodra dhe Korça. Këto janë qytete ku piktura lindi paralelisht me fotografinë.

Aty ka elemente të theksuar të një fryme romantike. Periudha e dytë është ajo realiste e cila cilësohet e tillë për prirjen realiste që shfaq piktura shqiptare në vitet '30, kohë që përkon me shkollën e parë shqiptare të vizatimit.

Asokohe një grup artistësh studion në Perëndim, më pas kthehet dhe ndërton, le të themi, një lloj tradite të mirëfilltë në artin shqiptar.

Periudha e tretë është e realizmit socialist duke përfshirë gjithë zhvillimet që pati ai brenda një 30-40 vjeçari. Dhe e fundit: prirja moderniste, periudha e artit bashkëkohor ndërmjet viteve 88-89 deri në vitet 2000.


A mund të përmendni autorë apo vepra që ekspozohen për herë të parë?


Në fondin e GKA ka vepra që mund të mos jenë ekspozuar asnjëherë, për arsye të një lloj ideologjizimi që ka ekzistuar. Janë vepra të autorëve të njohur si Pjetër Marubi. Ai njihet si fotograf, si themelues i dinastisë së fotografëve "Marubi", por njëkohësisht ishte edhe piktor.


Kur ju fola për periudhën e pikturës qytetare kisha parasysh artistë si Kolë Idromeno dhe Marubi në Shkodër, apo Thoma Gjinin nga Korça etj. Autorë të cilët formësojnë një lloj tradite piktorike brenda qyteteve.

Janë vepra që nuk janë ekspozuar asnjëherë, janë blerë nga galeria, dhe kanë qenë për vite me radhe pjesë e fondit.

Asnjëherë nuk është parë e arsyeshme që këto vepra dhe autorë të ekspozohen. Sot, ato do të gjejnë vendin e duhur sipas linjave që është konceptuar muzeu. Të tjerat po i lëmë surprizë kur të vizitoni muzeun. Jo çdo gjë mund të zbulohet tani.

Sa e keni shfrytëzuar fondin e GKA i cilësuar thesar dhe varrezë njëherësh?


Nga fondi që ka Galeria Kombëtare e Arteve ka dalë për linjat e muzeut rreth 60-70% e pasurisë së pikturës, e cila do të ekspozohet në katin e parë, të dytë dhe të tretë të Galerisë. Muzeu është definitiv dhe nuk do të ketë më ndryshim në aspektin e ndarjes së periudhave kryesore që përbëjnë historinë e artit shqiptar.

Ky muze ka për të qenë vendi ku do të paraqiten përvojat e të shkuarës në historinë e artit shqiptar, të ndara dhe të zbërthyera në të gjithë shtrirjen e tij në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Jemi përpjekur gjithashtu të ekspozojmë skulptura në bronz. Në galeri nuk aplikohen ekspozitat me skulptura në gipse pasi nuk janë praktike.



Përmendët shkollën e parë të vizatimit. Si e keni konceptuar hapësirën për ata artistë që mbajtën gjallë pak aromë Perëndimi në artin figurativ shqiptar për dyzet vitet në vijim dhe që u bënë mësuesit e shumë të tjerëve?


Të gjithë autorët që përfshihen në muze, janë autorë të rëndësishëm për periudhën që jetuan dhe krijuan.


Sigurisht që ka një lloj prirje për të vajtur më tej pikturës së qytetit me elementë të romantizmit dhe diku e përzier me amatorizëm dhe mungesë profesionizmi.

Prej këtej, dalim tek hapja e shkollës së vizatimit që është një moment kthese në historinë e artit shqiptar, ku përgatitet dhe grupi i parë i studentëve që shkon në Perëndim dhe më pas kthehet për të punuar në Shqipëri rreth viteve '35-'45. Këta krijuan deri në vitet '50-'60, shfaqin një lloj prirjeje jo drejt një realizmi social por drejt një realiteti shoqëror.

Mund të përmend Abdurrahim Buzën, Sadik Kacelin, Foto Stamon, Abdulla Cangonjin. Po këta autorë janë të parët që fillojnë dhe priren për të pikturuar tema politike.

Dhe vetë jeta e tyre është e ndarë në dy periudha të para dhe pas instalimit të regjimit komunist. Për arsye të formimit dhe shkollimit të tyre këta nuk mund të ishin grupi i artistëve që konstruktonin stereotipin e realizmit socialist.

Duhej pritur një grup tjetër që vinte nga shkollat e Lindjes ku mund të përmend Kristaq Ramën e Jakup Kerrajn të cilët i dhanë tiparet, karakteristikat e vërteta dhe të plota të realizmit socialist.

Ndërsa piktura e atij grupi artistësh të cilët kishin studiuar në Perëndim tashmë ishte e panevojshme për sistemin. Të gjitha këto aspekte do të tregohen në muze.

Si do të paraqitet periudha e realizmit socialist?


Mund të ravijëzohen qartë dy kategori artistësh të cilët jo gjithmonë kanë pasur këtë lloj fizionomie. Rreth viteve '69-'73 është një periudhë që quhet periudha e liberalizimit në art, ku artistë të ndryshëm, (thuajse të gjithë) eksperimentuan dhe bënë kërkime të avancuara estetike, në formë, por jo në përmbajtje.

Pra brenda temës së realizmit socialist pati një prodhim artistik ndryshe, gjë që bllokohet rreth viteve '74 dhe pastaj gjithë ky grup artistësh transformohet dhe kthehet në një lloj klisheje që transmetoi realizmi socialist përgjatë gjithë kësaj periudhe.

Pra në qoftë se në këto vite kemi dhe një lloj kërkese estetike, madje në disa raste edhe "rrëshqitje" në modernizëm, deri në vitin '73, pas mbylljes së kësaj periudhe, po të njëjtët autorë për arsyet e veta oportune me pushtetin, kthehen dhe ndërtojnë klishe dhe stereotipe të pikturës.

Pra janë po të njëjtët autorë që kanë bërë kërkime estetike dhe pasi ajo periudhë u mbyll për arsye politike, u kthyen dhe krijuan klishe të realizmit socialist.


Prirja për të ndërtuar një muze është kryesisht shmangia e banalitetit të pikturës atje ku mundet dhe kuptohet që ne përpiqemi të shpjegojmë fenomenin dhe jo të merremi shumë me emrat e artistëve.

Për momentin është shumë e rëndësishme të dëshmohet ç'është kjo periudhë, çfarë prodhoi etj. Kjo është e rëndësishme për ne. Nuk ka rëndësi të tregojmë zhvillimin e një artisti sesi ka punuar në një kohë apo në një tjetër.

A mund ta konsiderojmë si shans për një jetë të dytë të artit të realizmit socialist, po të mbajmë parasysh edhe kërkesat jo të pakta për të koleksionuar vepra të asaj kohe?
Manifesti, traktati i realizmit socialist ishte instrument për atë që quhet "lavazhi i trurit" të një shoqërie.

Kjo është bërthama e realizmit socialist. Nuk mendoj se e thënë ose e rithënë në një kontekst ndryshe ose duke e ripropozuar, tjetërsojmë esencën.

Esenca është po ajo. Por kur duam të flasim për eksperienca të së shkuarës nëpër të cilat ka ecur arti shqiptar, kjo është një pjesë e konsiderueshme, të cilën as mund ta fshehim as mund ta mohojmë por vetëm thjesht duhet ta ekspozojmë dhe duhet ta shpjegojmë. Kjo lloj fryme praktike artistike lindi në shërbim të sistemit dhe pati jetëgjatësi po aq sa sistemi.

Çdo lloj periudhe artistike ka ciklime, riciklime dhe propozime, thuhet dhe rithuhet herë pas here. Në këtë rast, ne, realizmin socialist duhet ta pozojmë të plotë, me të gjitha ndikimet që artistët brenda kësaj tendence kanë pasur nga autorë të ndryshëm.

Është një periudhë tek e cila duhet të ndalemi dhe ta studiojmë për të kuptuar më mirë se çfarë ka ngjarë, dhe nuk mendoj se duke e ekspozuar këtë periudhë i japim një jetë të dytë. Ai art ka jetë aq sa ka pasur, ka një lindje dhe një skadencë.


Veprat e realizmit socialist janë përdorur për të ilustruar historinë e Shqipërisë, madje ndonjëra ka pasur dhe lajthitje të mëdha edhe për të ilustruar historinë e PPSH-së.

Por ka një kategori artdashësish si koleksionistët që e preferojnë këtë lloj arti...
Realizmi socialist është pjesë e një dialogu të mbyllur artistik që lindi dhe u zhvillua për shkaqe thellësisht politike.

Mbaroi me rrëzimin e atij sistemi. Dhe kur arti është politik dhe në të njëjtën kohë tregon atë çka ishte kitsch-i i kohës, stereotipin e kohës. Prodhoi si të thuash një lloj të pavërtete artistike.

Ishte i gjithë në shërbim të instrumenteve të propagandës së sistemit, me rrëzimin e sistemit përfundojnë dhe kushtet që bënë të mundur zhvillimin e këtij arti.

Në këtë moment merr vlera antikuariati. Kur një periudhë mbyllet nuk ka më gjasa të riciklohet, gjithçka e prodhuar në këtë kohë fillon dhe mbart vlera antikuariati.

Kjo është arsyeja pse sot ka shumë koleksionistë mendojë unë, që dëshirojnë ta kenë pjesë të koleksioneve të tyre.

Në radhë të parë është vlerë, jo vlerë artistike por një fakt historik që ka të bëjë me një periudhë. Momenti i dytë besoj se ka hyrë si një lloj trendy i kohës, një dëshirë për ta pasur dhe një formë ndryshe.

Shumë galeristë sot dhe tregje të artit e ekspozojnë e promovojnë e risjellin këtë art. Ne kemi jetuar brenda këtij vendi, ka qenë mënyra jonë e jetesës dhe pjesë e artit të realizmit socialist.

Por për Perëndimin ka mbetur gjithmonë një lloj arti i pakuptuar, pasi nuk ka kaluar në të njëjtat eksperienca politike.

Prandaj kurioziteti dhe ekzotizmi që paraqet ky lloj arti është dhe një arsye për ta koleksionuar dhe për ta mbajtur.

Si është gjendja fizike e veprave?

Jo e mirë. Të gjitha kanë kaluar në një proces restaurimi të lehtë. Ka vepra të cilat kanë mbi pesë muaj që janë në proces restaurimi.


Bëhet fjalë për punë që kanë vite pa u restauruar dhe kanë probleme serioze për sa i përket gjendjes fizike.

Çdo lloj vepre si skulptura ashtu dhe pikturave u është ndërruar telajoja (shasia) si dhe janë pajisur me kornizë të gjitha pikturat që do të ekspozohen.

Madje dhe shtyrja e datës së hapjes së muzeut ka ndodhur sepse gjendja e veprave nuk ishte e mirë.

A është bërë rivlerësimi i tablove?


Nuk është bërë. Është një procedurë që duhet bërë herë pas here në varësi të ndryshimeve të kërkesës së ofertës në treg. Pikturat janë pjesë e fondit dhe janë vlerësuar. Një pjesë e tyre madje, janë vlerësuar me kuota më të ekzagjeruara se tregu. Besoj se do të vazhdojë procesi i rivlerësimit me kartelë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›