E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi "Zogby": PS 39%, PD 34%

Risi e sondazhit të muajit Shkurt është G99 që renditet me 2% dhe ulja e numrit të votuesve të pavendosur



TIRANË- Nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, Partia Socialiste do të kishte shanset më të mëdha për të fituar zgjedhjet parlamentare.

Sondazhi i organizuar nga kompania "Zogby International" (për muajin Shkurt) nxjerr PS-në në vend të parë me 39% të votave, ndërsa Partinë Demokratike me 34% të votave.

Sipas të dhënave të sondazhit të organizuar nga "Zogby International", ku janë pyetur 1 mije persona, dhe ku gabimi në sondazh mund të llogaritet +-3% duket qartë se për të dy partitë kryesore në vend krahasuar më një muaj më parë, (Janar) ka një rritje konstante. Për Partinë Demokratike, krahasuar me muajin Janar ka një rritje prej 4% ndërsa për PS-në 2%.

Por sondazhi i djeshëm ka sjellë një risi për një tjetër parti, G99 e cila renditet me 2% të votave më shumë se çdo parti tjetër e vogël, që militojnë prej vitesh në jetën politike në vend. Ndryshe nga sondazhi i muajit të kaluar vihet re edhe futja e dy partive të tjera të vogla PSD-së dhe PAA-së të dyja këto parti me nga 1%.

Në rast se do ti referohemi koalicioneve të mundshme, që mund të konturohen në të ardhmen, rezulton se PS bashkë me G99, PBDNJ-në dhe PSD-së kryeson me 43% të votave, pa llogaritur LSI-në, e cila ashtu si edhe muajin e kaluar, nuk ka pësuar rritje edhe për këtë muaj. Ndërsa PD, në anën tjetër me 34% të votave bashkë me përqindjen e PR-së dhe PAA-së (përjashtuar PDK-në) shkon në 36%.

Të pavendosurit

Një tjetër risi e sondazhit të djeshëm ishte edhe ulja e përqindjes së votuesve të pavendosur, me plot 7%. Muajin e kaluar, numri i votuesve të pavendosur ishte 19%. Ndërsa për muajin Shkurt kjo përqindje është 12%.

Pra me sa duket votuesit më kalimin e kohës duket se po kristalizohen në qëndrimet e tyre se për cilën parti do të votojnë. Ndërsa 4% e të pyeturve nuk kanë pranuar të tregojnë votën e tyre.

Në një nga tabelat e reja që ka ofruar Zogby International në sondazhin e organizuar për muajin Shkurt përfshihet edhe pyetja se çfarë mendojnë votuesit e pavendosur për kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës Edi Rama. 76% e tyre kanë opinion negativ për kryeministrin e vendit dhe 67% kanë opinion negativ për liderin e opozitës.

Ndërsa 22% kanë një mendim pozitiv për kryeministrin ndërsa 29% kanë për kryetarin e opozitës, Edi Rama.


Performanca

62% e të pyeturve japin një vlerësim negativ të punës së kryeministrit krahasuar me 36% që mendojnë se po bën një punë pozitive.

Kjo përqindje pak a shumë nuk ka ndryshuar krahasuar më muajin Janar pasi në këtë muaj ishin 35% që mendonin se kryeministri ka bërë një punë të mire ashtu siç ka një përqindje në ulje edhe për vlerësimin negativ të kryeministrit.

Në muajin Janar 66% mendonin se përformanca e punës së kryeministrit ishte negative.

E njëjta pyetje lidhur me perfomancën është drejtuar edhe për liderin e opozitës, Edi Rama. 44% e shqiptarëve të pyetur mendojnë se performanca e liderit të opozitës është pozitive, ndërsa 54% e tyre japin një vlerësim negativ.

Sipas këtij sondazhi, krahasuar më muajin Janar, performanca e liderit të opozitës në aspektin pozitiv nuk ka ndryshuar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›