E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalendari i legalizimit të banesave informale

ALUIZNI publikon agjendën e shpërndarjes së lejeve. Datat për banesat dhe shtesat pa leje, në të gjithë vendin

Pas legalizimit të objektit pa leje, hapi i fundit do të jetë regjistrimi në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme.


TIRANË - Zyrat e ALUIZNI-t në të gjithë vendin nisin shpërndarjen e lejeve të legalizimit.

Duke filluar nga sot, deri më datë 3 prill, drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t do të shpërndajnë në mënyrë masive lejet e legalizimeve të objekteve, për të cilat është përgatitur dokumentacioni tekniko-ligjor dhe që, deri në këtë moment, konsideroheshin informale.

Për lehtësimin e këtij procesi dhe për të koordinuar sa më mirë atë, kjo zyrë ka miratuar një kalendar veprimi, ku përcaktohet data dhe ora e dhënies së lejeve të legalizimeve për çdo qark të vendit. Janë 4504 objekte informale për të cilat ka përfunduar shqyrtimi i dokumentacionit dhe do të jenë të parat që do të përfshihen në procesin e legalizimit.

Pronarët e objekteve në fjalë, kanë shlyer edhe detyrimet financiare dhe tashmë nuk kanë asnjë pengesë ligjore për legalizimin e objekteve të tyre.

"Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit, sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar", - citohet në njoftimin për shtyp të kësaj zyre.

Referuar ALUZNI-t, në mbarë vendin janë në proces përpunimi më shumë se 134 mijë dosje objektesh informale. Nga ana tjetër, ALUZNI bën me dije se ka përfunduar përgatitja e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet të legalizohen afro 12,300 objekte informale të tjera.

"Edhe pronarët e këtyre objekteve janë në fazën përfundimtare të likuidimit të detyrimeve financiare", - citohet nga ALUIZNI. Hapi tjetër që do të ndiqet pas legalizimit të objekteve informale, do të jetë regjistrimi i tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, dhe për të shkuar në pajisjen e tyre me tituj pronësie.

Për shkak të numrit më të madh të ndërtimeve, zyra e ALUIZNI-t e ka ndarë në dy faza procesin e shpërndarjes së lejeve së legalizimit.

Kështu, ditën e enjte, më datë 12 mars, kjo zyrë do të shpërndajë lejet vetëm për shtesat pa leje të pallateve, ndërsa më datë 25, lejet për ndërtimet e tjera.

Bëhet e ditur se, vetëm në Tiranë, janë plot 6620 shtesa pa leje, të cilat presin të legalizohen brenda javës së parë të muajit prill.

Pas fillimit të procesit të legalizimit të ndërtesave informale, kjo zyrë kishte shpërndarë një numër të vogël të lejeve tek pronarët. Legalizimi i objekteve pa leje i bën ata që i kanë blerë apo që i kanë ndërtuar, ligjërisht pronarë të tyre.

Prej vitesh, pronarët "de facto" të ndërtesave të pa legalizuara, hasnin në pamundësinë e kreditimit nga bankat tregtare, pasi ligjërisht ndërtesat nuk figuronin në emër të tyre, për t'u konsideruar si garanci nga bankat.

Përfundimi i procesit të legalizimeve dhe dhënia e titujve të pronësisë, pritet t'i zhbllokojë këto pasuri dhe t'u ofrojë atyre mundësi kreditimi nga ana e bankave tregtare.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›