E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubikoni i Arjan Lekës



Pas paraqitjes që Arshi Pipa i ka bërë romanit të Kadaresë “Kronikë në gur”, duke na dhënë modelin unikal të një studimi kritik mbi letërsinë bashkëkohore; në poezi, krejt në të kundërt nga ç’shkruan, shkrimtari Zija Çela bën udhërrëfyesin kritik të poezisë së Arjan Lekës. Modeli që na ofron romancieri për poezinë e Lekës përfaqëson një strukturë të pangjashme deri tani në letrat shqipe. “Shpirti shëtit me poetin”, (Rubikoni i Arjan Lekës), më shumë se sa një strukturë studimore-eseistike, na ndërhyn në vlerat njerëzore, e sidomos të këtij rangu shkrimtarësh që pranohet me “një synim të rëndësishëm; një dialog me vlerat që i përkasin tjetrit”. Është kjo fjali që Zija Çela lë autografin mbi libërthin e vogël, që shoqëron numrin e ri të revistës kulturologjike “Mehr Licht”. Më poshtë kemi shkëputur dy fragmente nga eseistika e gjatë prej 80 faqesh

Muzika

Kishim shëtitur së bashku edhe asaj dite, por pastaj u ndodhëm në një mjedis të mbyllur, ku kishte muzikë në sfond. E përsëris, muzikë në sfond. Dhe po vërshonte muzgu. Kishte mbërritur ora mizore, ato çastet e pezullisë mbizotëruese kur të gjithë e dimë se çfarë kemi jetuar, por nuk dimë çfarë na pret. Një mendje më thoshte se, ashtu si drita që këmbehet me hijet, dalëngadalë na rrëshqasin shpirtërisht edhe pamjet e afërta, të cilave u bëjnë trysni vegimet e së nesërmes, një vërshim të panjohurash herë plot shpresë, herë të krimbura në pasiguri e dyshim. Ndoshta prej shoqërimesh të tilla të pavetëdijshme, befas, përjetova një shkapërcim ndjesish edhe fola kështu: “E di çfarë, kjo muzikë po më kujton poezinë tënde”. Poeti nuk u vonua të përgjigjej: "Kur shkruaja Strabizmin, kam dëgjuar vazhdimisht Djivan Gasparyan-in". Për atë Zot, murmurita disi i çliruar, i paskam rënë shenjës si qorri! Sepse, duke mos qenë ndonjë specialist i poezisë, e di mirë se është paturpësi që një i verbër të vetëdeklarohet për shenjëtar.

Afërsisht dhjetë vjet të shkuara, Arjan Leka e kishte shprehur të vërtetën e tij duke pohuar se, aty ku mbaron poezia, dëgjon muzikë (Sacro&Profano). Por dukej se nuk ishte krejt marrëzi as e kundërta ime, aty ku dëgjon muzikë, jeton edhe poezia. Sa është për t'u besuar dhe sa haset kjo qasje? Ndoshta rrallë, fort rrallë, por më në fund po mendoja se e kisha bërë "zbulimin" tim.

Poezinë e Lekës e kam ndjekur prej fillimeve, teksa enigmatika & manjetika e saj gjithnjë më kishte mbetur e fshehtë. Pra, tashmë e kisha një përgjigje përse poezia e tij më kujtonte atë llojin e muzikës së misterit, të akordeve të zanafillës e të thellimit metafizik, të përmallimit e të trishtimit të butë, të ndjesisë që të pushton nganjëherë sikur jeta, universalisht jeta, ka pësuar një trandje të thellë pikërisht në burimet e saj, prandaj ose po rreket për t'ia nisur nga e para, ose ka arritur shkallën më lartë të amortizimit, fazën kur kërcënohet për shkatërrim të përgjithshëm. Dhe dua të shtoj se tonaliteti i kësaj poezie i përjashton ekstremet, ashtu si britmën edhe psherëtimën, ajo nuk ka as shpërthime ekslamative dhe as diafragma emfaze. Por ka diçka nga fryma e përmbajtur e erës që, megjithatë, shpërndahet në hapësira të mëdha si vetëlëvizje. Ka dhe diçka nga lutja e vogël, një Te Deum, që ndonëse është murmuritëse, artikulohet me besimin se shkon larg, shumë larg, deri te Hyji.

Aso kohe, më kishte rrëshqitur pohimi i Marquez-it, patjetër i rëndësishëm për një dekan të prozës, por jo shterues për këtë shënim. Një studiues i tij, ka gjasa rastësisht, te “Njëqind vjet vetmi” kishte vërejtur të njëjtën strukturë me poemin simfonik “Kossuth” të Bartokut, ndërsa vetë Marquez pranon (Letër një shkrimtarit të ri) ndikimin nga Simfonia IX e Beethoven-it, të cilën e dëgjonte aso kohe.

Kur shkruaja “Strabizmin”, kam dëgjuar vazhdimisht Gasparyan-in, më kishte thënë pa ngurrim Arjan Leka. Por ja që, tek e fundit, nuk kam parasysh vetëm anët formale. Formalen te poeti e ka pikasur mirë Gentian Çoçoli dhe e ka shprehur me pak fjalë: "Arjan Leka, në dallim nga brezi i vet krijues, spikat sidomos me strukturat muzikore, me të cilat ka kompozuar jo thjesht një poezi, por një krijimtari të tërë".

Përpara studimeve të larta për letërsi, Leka ka bërë një shkollë të mesme artistike, ku ka studiuar flaut dhe piano sekondare. Nga ana tjetër, qysh herët ka dhënë prova gjithfarëshe për ta lidhur fjalën me muzikën. Prandaj në librat e tij gjen: rondo, kënge, glisando, jare, serenatë, sinkopë, kanto, organo, lahutë, harpë, piano, violi, fagot, violonçel, flaut, fyej, violinë, orkestër, do, la, sol, si bemol, madje dhe një masë muzikore nga Simfonia V e Beethoven-it. Të gjitha këto e dëshmojnë ndërlidhjen e poezisë së tij me muzikën, por sërish janë të pamjaftueshme, madje duke qenë të jashtme, të dallueshme edhe nga syri, mund të krijojnë përshtypje të njëanshme dhe ta mbulojnë të padukshmen deri në "asgjësim".

Në thelb, është tjetër ta gjesh muzikën te poezia dhe tjetër poezinë te muzika. Për poezinë nuk mjaftojnë as shenjat e hershme strukturore, si ritmi, rrokjet, rima, asonancat, këngëshmëria, rimarrjet, muzikaliteti tingullor etj. Dhe s'kanë mjaftuar qysh në kohët antike, kur edhe tragjedia ishte poezi dhe poezia kishte kor.

Ajo që spikat tek Arjan Leka është shkalla e lartë e metaformizimit të poezisë.

Pikërisht prej kësaj shkalle në poezinë e tij vjen hapja e pazakontë, hapja dhe jo mbyllja e rëndomtë, liria thuajse në maksimum për polivalencë kuptimore të tekstit, çka bie në "kundërshtim" me natyrën e Fjalës që, gjithsesi, ka kufizimet e veta nga funksioni komunikues. Nga të gjitha sekretet që ekzistojnë në krijimtari, po t'i referohem Barthes-it, poeti ka refuzuar vetëm njërin: t'i japë vetë tekstit një sekret, çka do të thotë t'i japë një kuptim të fundit, të pacenueshëm e të padiskutueshëm, pra një kuptim dogmatik. Metafora cilësohet me të drejtë si Mbretëresha e tropeve, por muzika është Mbretëresha e arteve për identifikimin e vetvetes me metaforën. E gjithë brendia e muzikës është metaforë, aq sa edhe kur është e kënduar, teksti shoqërues mund të zëvendësohet me një të përafërt, ose edhe të shmanget krejt, sepse pentagrami thotë gjithnjë më shumë se teksti. Kështu, në mënyrën gati më paradoksale, jo duke i bërë sa më të largët, por duke i afruar kufijtë gjinorë të arteve, Arjan Leka e bën më të dallueshëm artin e tij poetik. Ajo që thotë Xhevahir Spahiu, se "Leka mendon dhe ndjen gjuhësisht", është e drejtë. Por unë e perceptoj edhe ndryshe: poeti Arian Leka mendon dhe ndjen metaforikisht. E kjo të kujton kompozitorët.

Më duket se, për t'i kaluar diçka kujtesës së atyre që vijnë pas nesh, një mënyrë e tillë mund të jetë më afatgjate.

Dashuria

Në poezitë erotike të Lekës, ndonëse janë të pranishëm edhe qielli, edhe yjet, edhe hëna e romantikëve, mungojnë abstragimet idealizuese dhe sublimiteti me funksion filtrues. Shqisorja dhe joshqisorja kanë pesha rëndese te ky poet, çka e bën unin lirik të ngrihet mbi pluhurin e rrugës, por pa iu shmangur pluhurit të jetës.

Aromat e situatave poetike janë të larmishme (asnjëherë të parfumuara artificialisht), kurse njëra mbetet zotëruese, ajo e shtëpisë. Në një rast, shtëpia te Leka i afrohet kultit, çka vetë nuk ka dashur ta fshehë: shtëpi, shtëpi, lama sabakthanfi. Temjani i apoteozës këtu ngrihet mbi kulmin e çatisë, por më pas, thua prej vetëdijes se situatat tokësore të poezisë së tij do ta linin në baltë, steka ulet në nivelin e qemerit të derës, aty ku menteshat kërcasin. E këtë e provon edhe marrëdhënia me të zonjën e shtëpisë, së cilës i drejtohet kështu:

Kush vjen të mbytet në sytë e tu

kur unë jam larg

dhe krahët s'më ndihmojnë të kthehem?

Gishtat e mi pranë trupit tënd

pushojnë si nizamë.

Oi, oiiiiiioio!

Fitoret e djersitura të natës

harrohen në mëngjes

kur ti del prej vdekjes e para

për të më ngrohur kafenë

pa të cilën unë fle

ose vazhdoj të vdes.

(Glisando)

Kjo është poezia e Erosit me pizhama. Erosi bashkëshort. Sado që i nxirret thepi, xhelozia nuk provokohet më tej, nuk cilësohet marrëdhënia seksuale (shëtit, mos po krëkëllin susta e krevatit? po sikur fëmijët të dëgjojnë matanë?!), por mjaftojnë "fitoret e djersitura të natës". S'ka përse të përmendet stina, kur kuptohet se është verë dhe, me gjasë, dritarja e hapur. Andej vjen rënkima e ushtarit të Qabesë? Mbi të gjitha, përse vjen ajo rënkimë në këtë skenë familjare kaq reale? Ndoshta pakëz i ndragur midis kofshëve, me një shuk lecke ndërmjet (ka përdorur prezervativ? do të ngrihet për të vajtur në banjë?), i gatshëm pas shkrehjes për një gjumë si në vdekje, por i trazuar nga elementët e baladës së vjetër, ai do t'i lërë së shoqes amanet ca fjalë, një vëth në vesh. Sipas paralajmërimit në vargjet e para, mund të hamendësojmë: Në rast se një ditë

nuk jam më ndër të gjallët, mos guxo të ma dredhësh bishtin me ndonjë tjetër, edhe sikur korbat të m'i kenë ngrënë sytë, lugat do të çohem në flagrancën tënde!.. Jo, ka qenë vetëm një kurth, kurthi i çastit kur zhvlerësohen parimet e mëdha për lezetet e vogla të jetës. Asgjë më shumë, ai do t'i lërë amanet eliksirin modern të mëngjesit, ekspresin e parë. Ardian Christian-Kyçyku, në një ese për Lekën (shkruar më tepër si panoramë për lexuesin rumun, prandaj jo analitik), bën këtë përgjithësim: "Një poet përballet gjithnjë... me mëdyshjen nëse është i veçantë falë atyre që shpreh, apo atyre që fsheh." Këtu më vjen ndërmend theksimi i J. Derrida-s për prirjen eliptike të poezisë. A thua ndahet qimja më dysh, nëse do të provoja ta ndaja elipsin në dy gjysma, të cilat ose marrin e japin, ose nuk marrin e japin me njëra-tjetrën? Pra, në elipsin që përjashton dhe në atë që mirëfilli fsheh. I pari e ka ajamin veçanërisht në kinematografi, ku përjashtimi i shërben ritmit. Një kinoregjisor mund ta fillojë filmin me mbarimin e luftës së Trojës, kurse sekuenca pasardhëse kalon menjëherë në Itakë, sepse çfarë ngjet më pas i ka interesuar atij. Ai përjashton kështu tërë udhëtimin e mundimshëm të Odiseut, të cilin Homeri e jep me aq hollësi. Pyetja shtrohet: A do të ndjehen dhe si do të ndjehen në film efektet e udhëtimit të protagonistit?

Elipsi i dytë i shkon për shtat sidomos poezisë dhe pikturës, kur fshehja e bën të padukshëm, por jo edhe të pandjeshëm përjashtimin. Në vargjet e Lekës e kam kërkuar dhe s'e kam gjetur Kopshtin e Edenit. E ka ngrënë ky burrë mollën e Evës? Kjo nuk ka nevojë të fshihet, përderisa çdo mashkull e nxjerr femrën nga ashti i brinjës po aq herë, sa ç'kanë brinjët eshtra. Mirëpo në “Shenja të fshehta” del se tabloja bashkëkohore i ka nën vete rrënjët e Edenit biblik: "Ti flak në ajër veshjet e bardha, se qielli kishte mbetur pa re, mollët ishin të tharta dhe unë isha vetëm...". Në këtë fantazi të harlisur, gjithë energji dhe frenim përmbysës, ndonëse autori e përjashton praninë e çiftit të botës, Evës dhe Adamit, nuk e fsheh faktin se për pasardhësit, në Edenstanin human, mollët shpesh nuk janë të ëmbla. Bardhaku mikrobik i jetës e uthullon jo vetëm mushtin e dashurisë, por edhe vetë shpirtin, që bëhet ena e tij. Me një sinqeritet rrëqethës, pikërisht në poezinë që sapo citova, gjendet antiteza e Glisandos. Këto dy poezi sikur janë shkruar në fletët e mbyllura të një pine, e cila ka brenda perlën e vogël. Nëse dikush dëshiron t'i hapë fletët, perla rri diku mes rrënjës së përbashkët të guaskës, por nëse dëshiron t'i ndajë, gjithsesi margaritari anon në fletën që është zgjedhur. Shenjat e mbingarkesës së shpirtit sërish nuk lexohen, pasi poezia përqendron shpërthimin, atë akt intim të skajshëm që zakonisht e fshehim, por që subjekti lirik e vetëdenoncon. Është çasti kur njeriu ka etje për të tradhtuar sytë, gruan, djemtë, miqtë, fjalën, letrën. E përse? Për atë tjetrën.

Se vjen një ditë me shpirtin bosh,

kur të ka mbetur një dëshirë:

të tradhtosh

Veten

Jetën

Falur si lëmoshë.

A thua Leka është poet i protestës? Sipas meje, është vetmitari i dhembjeve që kanë për shtysë një trishtim aktiv. Është një nga protestuesit pa ndjesinë e demofilisë, ata që kurrë nuk i sheh nëpër protesta publike. Personazhet e tij konstatojnë thellësisht, por nuk realizojnë ndryshime, siç ndodh përherë në poezinë e pastër. Edhe për dashurinë Leka bën katarsis në vetmi, pa spektakël, pa klarkë të paguar apo spektatorë që paguajnë. Ai nuk këndon dashuritë e të tjerëve pa "u bërë" të tijat, nuk ka situata të shtira që mbahen me simulues farmostilistikë. Të gjithë ata, që quhen heronj (subjekte) lirikë, duket se njëlloj lindin, lindin nëpërmjet përjetimit, por reagojnë në mënyra nga më të ndryshmet. Prandaj nuk kemi një, por disa Dashuri.

Te “Kumbona” e dytë burri familjar nuk është më shpërthyesi, por i përvuajturi, shpirti i fashitur që kalon fazën e dashurisë së zvjerdhur, kohën kur i var pantallonat prapa derës së dhomës së gjumit, teksa bombardohet nga bubullimat e së shoqes dhe teksa mendon se në botë nuk është një qenie e rrallë, plot njerëz si ai ndihen të vetmuar, vetëm - vetëm, dhe tamam sapo hyjnë në shtëpi, sapo janë me njerëz. Në një faqe tekst, aq e detajuar është situata, sa më duket sikur një çift aktorësh do të mund ta interpretonte edhe si pantomimë, duke përdorur vetëm një strishë: "Odise, mor Don Zhuan i Mançës, kaq vonë... prapë i pirë?" Çfarë tragjiko-medie në këtë harbim të bashkëshortes, kur një bashkëshort telef dhe përfundimisht i dorëzuar shihet edhe si Uliks, edhe si Don Zhuan, por Zhuan nga Mança e Don Kishotit. Po të kërkohej nofka e gruas, një ballkanas do ta kishte në majë të gjuhës, njëlloj si nofkën e këtij burri, kështu pantomima do të titullohej “Bisha dhe qyqari”.

Jam kthyer mbrapa me këtë poezi, sepse i takon krijimtarisë së hershme të autorit. E përse pra, përse me “çon prapë te varka e mbytur? Zot, pse katër stinë? Jam një dhe i vetëm...”. Natyrisht, një është artisti. Dhe, nëse e ka të lindur, shfaqet që në fillim me shenjën e tij. Prandaj më ngjan se, kur ka qenë djalë, ky poet i ka kënduar dashurisë edhe si burrë, ndërsa kur është bërë burrë, nuk ka harruar t'i këndojë edhe si djalë. Në një prerje të tillë, ku jepet e merret, e shoh edhe raportin midis përjetimit dhe punës në studio. Çfarë ka qenë më drejtpërdrejt e përjetuar, ka marrë limën e studios dhe çfarë mund të ketë lindur në studio (Syth, Lëneshat), ka kaluar përmes zhardhokut të përjetimit.

Mushkëritë e tua nuk japin as frymën e shegëve:

Unë ty moj të kam dasht, ahiii të kam dasht!

I këmbeva dhe unë, si të gjithë, miqtë e largët

me të njohurit që m'u ndodhën pranë...

Një Oi,oiiiiiioio te “Glisando” dhe kjo ahiii te “Blasfemë e vogël” nuk janë vokalica në erë. E para shpreh ison polifonike të Skraparit, e dyta psherëtimën e jares shkodrane. Lekës mund t'i qasesh edhe me duart në xhepa, por është më mirë me një bagazh folku. Pasi, fjala bie, edhe në poezinë Bejan (bejte, e ka përdorur i pari Nezim Frakulla) vargu onomatopeik "jakum - tirum - pirirum" nuk është një sajesë, autori e ka qëmtuar nga vallet e vjetra të detarëve të Ulqinit, ashtu si edhe thirrjet

Popo, Lele te RAP (SODI), janë rimarrje që të sjellin ndërmend vallet e myzeqarëve me takije.

Ndonjë kritik i letrave, duke dashur të më kundërshtojë, mund të thoshte se Arian Leka nuk ka shumë poezi erotike në specifikën e termit, madje edhe ato që ka, janë "jakum - tirum - pirirum" dhe jo "jahni - dashuri - qiri". Por unë e lë mënjanë erotizmin e shalëve për hir të erotikës së zemrës (alternativa e autorit), e cila më pas dihet se çon edhe te këmbët. Unë e marr si vuajtje erotike, si afsh vërshues erotik heqjen e lëneshave në breg të detit (ajo heqje e shpirtit është zbatica), të cilat kthehen aty për të varrosur varkat, sepse "pritën gjer në vagullim e askush nuk erdh' veç reve ngarkuar me gra që era i pru si tundim, askush nuk u kthye të thotë si plaken ditët pasi bëhen net, do vijë ndokush t'i rrëmbejë? t'i hedhë krahëqafë? t'i çojë matanë dallgës lëneshat fatpadalë? Lule mbi det. Monedha të arta. Hi. Sumbulla loti të shkrirë dhe heshtje e plotë". Të shkruash për dashurinë, do të thotë që në art edhe të çmendesh në emër të saj. Arian Leka e përmbush detyrimin e Kavalierit të Artit, ai ka falisur nga trutë, kur shkruan për vajzat që:

përçarten në gjumë

dhe mbeten shtatzënë me një fik.

E gjithë poezia “Garbi”, erë e fortë që fryn nga perëndimi dhe sjell shi, është një shtjellë surrealiste me peizazhe dhe figura njerëzore fantazmagorike. Në këtë pëlhurë fjala bën punën e penelit, për shembull, të Salvador Dali-së. Përfytyroni tani sesi i përhap era farërat e fikut, këtë spermë bio që, nga brigjet mesdhetare, shpesh i bën shtatzënë edhe shkrepat e Kaukazit.

Gjon Pagëzori e pyeti dikur Krishtin se cili ishte mesazhi i tij. Krishti u përgjigj: Dashuria. Gjoni tha: Dashuria nuk është mesazh.

Pas pak do bjerë shi dhe do të mbyllen portat

Kush hyri hyri, s'ka të tjerë nga pas.

Dy gota verë, një kalë i zi tek broka

Sot kam çdo gjë, por s 'kam me ke i ndaj.

(Vetëm)

Zotit i qofshim falë për situatat që na sjell, por kësaj here po tregohem i pacipë: megjithëse kam me kë, nuk pranoj ta ndaj gabimin me Gjon Pagëzorin. Ndoshta Arian Leka nuk ka shumë tituj erotikë, por poezia e tij ka shumë dashuri, shumë Dashni. Bazuar në mitologjinë më të hershme, askush nuk e thotë se cilët kanë qenë prindërit e Erosit. Por megjithëse nuk e përkëdheli një dorë më parë, Erosi është më njeri dashësi midis gjithë hyjnive, pikërisht pse erdhi për të dashur të tjerët. Simbolika e tij e kompletuar, mesazhi i Dashnisë, mbetet shtylla që mban njerëzimin më këmbë. Pikërisht në këtë shtyllë, si një talisman për Njeriun, e ka vënë zemrën Poeti.

Zija Çela, gjesti si fenomen letrar

Sa i rëndësishëm është një lajm i mirë kur kjo ka të bëjë me njohjen, dhe jo më gëzimin siç mund ta presim në të zakonshmen njerëzore?! Njohja - si perceptim biblik, pa ngarkesë filozofike, por thjesht si ndërgjegje, vetëdije për ndijimet shqisore - bëhet nevojë për të ditur kush jemi, nga e marrim frymën, dhe përjetësinë. Sikur kjo “njohja” të mos ekzistonte, si dituri, si urtësi, si zbulesë e botës deri në konkretizimin fizik atëherë do të ishim të bindur se bota do ishte e mbushur me shpirtra të vetmuar. Në koordinata të paimagjinueshme, e padiskutueshme lidhje hyjnore, ndodh pikërisht lidhja, dialogimi, si proces i rëndësishëm që të çon drejt njohjes së vetes, dhe ky drejtpërdrejt, automatikisht është edhe tjetri. Sikur të pranojmë marrëveshjen e fjalës se ky është një gjest - në autoritetin e njohjes shkrimtari Zija Çela na sjell për herë të parë, në një libër të vogël pikërisht këtë synim të rëndësishëm.

Pas paraqitjes që Arshi Pipa i ka bërë romanit të Kadaresë “Kronikë në gur” duke na dhënë modelin unikal të një studimi kritik mbi letërsinë bashkëkohore; në poezi, krejt në të kundërt nga ç’shkruan, shkrimtari Zija Çela bën udhërrëfyesin kritik të poezisë së Arjan Lekës. Modeli që na ofron romancieri për poezinë e Lekës përfaqëson një strukturë të pangjashme deri tani në letrat shqipe. “Shpirti shëtit me poetin”, (Rubikoni i Arjan Lekës), më shumë se sa një strukturë studimore-eseistike, na ndërhyn në vlerat njerëzore, e sidomos të këtij rangu shkrimtarësh që pranohet me “një synim të rëndësishëm; një dialog me vlerat që i përkasin tjetrit”. Është kjo fjali që Zija Çela lë autografin mbi libërthin e vogël, që shoqëron numrin e ri të revistës kulturologjike “Mehr Licht”. Ndërsa bindemi në këtë hark kohor se është koha e gjestit, që shkrimtari Çela po e përsërit më se nga kjo herë - duke i afruar lexuesve sigurinë, fuqinë e penës dhe mendjes së shkrimtarit për t’i besuar atij në zmbrapsjen vetjake për të na bindur më lehtë në gjithë këtë rrumpallë leximi.

“Rubikoni i Arjan Lekës”, e vështirë për të bërë një shënim, mbi shënimin, në 80 faqe, të një formati libër xhepi, kthehet në një referencë të fortë për studiuesit e rinj- në një lëmë të panisur deri më sot, për këtë brez shkrimtarësh të rinj. Çela për herë të parë hedh një hap të guximshëm duke shmangur çdo apologji letrare, por shikon kthjellët mbi veprën poetike të Lekës, duke mbërritur në një grup referencash që përfshijnë jo vetëm paralele më poetë të huaj. E reja e padiskutueshme në këtë studim ka të bëjë me referencialin kritik, ku bie në sy emrat e poetëve tanë që kanë shkruar mbi librin e Arjan Lekës. Duhet thënë fort kjo gjë, pasi nuk kemi të bëjmë vetëm me fenomenin e referencës, por me referimin që bën vetë shkrimtari Zija Çela, duke krijuar respektin letrar mbi ç’është thënë nga vepra e poetit. Pra, ky shkrimtar, studiues kryen gjestin e dyfishtë- të shërbimit për njohjen letrare të poetit, dhe reformimin, rikujtesën, e referencialit studimor. Pasi deri tani kemi parë në treg botime që nuk mbështeten në asnjë shtrat referimi të kësaj natyre, duke mohuar në një farë mënyre qoftë autorin, si rimarrës i vetmuar, ashtu dhe vetë tekstin studimor- si të pabesueshëm dhe arrogant. Në rrafshin studimor, libri i Zija Çelës mbi ter librat poetikë që ka shkruar deri tani Arjan Leka, është vlen për t’u parë si model kritik, se si i hyhet në damar, në rrënjë, në gjak, dhe ngjesh gjithë diturinë mbi stilistikën, strukturën, tematikën dhe më të rëndësishmen, fjalën dhe gjuhën.

Violeta Murati

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›