Fitorja si humbje dhe humbja si fitore
Artan FUGA
1 - Dy partitë kryesore parlamentare kanë paraqitur listën e tyre të kandidatëve për deputetë. Duke gjykuar nga emrat e paraqitur, si do t’i cilësonit këto lista dhe çfarë të reje kanë sjellë secila parti, PD dhe PS, në grupet që do të garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit?
Ka një përqindje të caktuar figurash që krijojnë vazhdimësi në Kuvend, çka është e domosdoshme.
Ka personalitete me shumë vlera, pa dyshim, por edhe individë që ende askush nuk u njeh ndonjë vlerë. Krejt të panjohur.
Ka mjaft kalime individësh nga administrata lokale ose qendrore drejt pushtetit ligjvënës. Nëpunës që bëhen ligjvënës. Kur e meritojnë përse jo, sepse kanë përballuar dosje të rëndësishme të pushtetit ekzekutiv, por në rast të kundërt do të më dukej e tepërt.
Zërat disi «grindavecë» në grupet e dikurshme kuvendore janë falënderuar përpara sesa t’i përcjellin pa dajre në shtëpi.
Pak, shumë pak gra, barazia gjinore nuk është mbajtur fare parasysh.
Ka individë që pa bërë ende asnjë punë në shtet ose pa u marrë asnjëherë me politikë, bëhen direkt deputetë, çka nuk më duket edhe aq normale po të mendosh se përfaqësimi i kombit në Kuvend është gjëja më serioze dhe e mundimshme në botë. Të jesh deputet është fundi i një karriere politike, maja e saj, së paku, dhe nuk mund të jetë natyrshëm fillimi i një karriere politike.
Askush nga kandidatët nuk do të pranojë se ka fituar ose ka humbur për meritën e tij, por këtë do ta lidhë me rreshtimin e vet në listën e partisë.
Ka kandidime për deputet në zona ku personat në fjalë nuk kanë asnjë lidhje politike apo identitare.
Ka shumë kandidatë të djegur që pa hyrë, sepse dihet që matematikisht në vendin që u është rezervuar nuk kanë asnjë mundësi për të dalë fitues.
2 - Udhëheqësi historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, në paraqitjen e tij mediatike në këtë javë shprehu publikisht bindjen se Partia Socialiste do t’i humbasë këto zgjedhje. Ai ia faturoi koston e kësaj humbjeje kryetarit aktual, Edi Rama. Cili është komenti juaj?
Të them të drejtën, nuk pata mundësi ta ndjek atë intervistë sepse isha duke parë një film në një kanal tjetër televiziv. Por, e lexova të zbardhur në shtyp ditën tjetër, kështu që besoj se pata pak më shumë kohë ta analizoja me kujdes. Fillimisht, dëshiroj t’ju kërkoj leje të bëj dy komente paraprake. Komenti i parë ka të bëjë me termin «lider historik» që ju përdorni. Nuk e di nëse sot ky term ka ndonjë rëndësi dhe nëse e shton apo e pakëson besueshmërinë e personit në analizat që bën dhe në përfundimet që arrin. «Historik» si etiketim do të thoshte për mua si një dikush që tani i takon historisë, pra jo aktualitetit. Nuk më shfaqet pra si diçka vlerësuese në planin e aksionit politik. Komenti i dytë, lidhur me atë që thoni se zoti Fatos Nano në këtë intervistë bëri parashikimin sipas të cilit Partia Socialiste do t’i humbiste zgjedhjet e datës 28 qershor. Nuk besoj se ai ka dashur të vihet në rolin e fallxhorit për të dhënë verdiktin e parashikuar qysh tani se çfarë do të ndodhë atë ditë. Por, le ta lëmë këtë gjë… Nuk më duket se Fatos Nano në atë intervistë ishte i qartë në ndonjë parashikim për rezultatin e zgjedhjeve. Edhe ai, i zgjuar sikurse është, e la çështjen të hapur. Pra, rrafshi parashikues i asaj interviste m’u duk gjëja më pak e rëndësishme dhe fare e paqartë. Politikanët, në përgjithësi, ata që kanë interesa në fushatën elektorale, ndofta janë subjektet më pak në gjendje nga të gjithë të japin parashikime të sakta për ecurinë e zgjedhjeve. Edhe për njëfarë mirësjellje, për të mos thënë pastaj për hipokrizi, të gjithë u thonë : «Mos ki merak, ty do të japim votën» dhe pastaj sheh që nuk ka ndodhur kështu…
Nga ana tjetër, m’u dukën me interes të tjera gjëra që Fatos Nano tha, si edhe kundërdeklaratat që mori të nesërmen si nga kryetari i Partisë Socialiste ashtu edhe ai i G99-s.
Pra, sipas meje, nuk ka shumë rëndësi të arsyetojmë nëse Fatos Nano bëri apo nuk bëri parashikime të sakta për rezultatet e zgjedhjeve (në fakt ai nuk bëri ndonjë parashikim të prerë), por ka rëndësi nëse vetë intervista apo pozicioni i tij në këtë prag fushate elektorale do të ketë ose jo ndikim në zgjedhje. Për mua kjo anë e dytë ka pasur më shumë rëndësi.
Në fakt, kritikat e Fatos Nanos ishin të ashpra. Sigurisht, është ai që e mban peshën e deklarimit të tyre.
Po t’i përmendja një pjesë prej tyre, do të filloja me atë që deklaroi se modeli i Bashkisë së Tiranës nuk është, sipas tij, një model socialist. M’u duk gjithashtu një deklaratë «bombë» ajo që bëri kur tha edhe se nëse më parë e kishte quajtur atë si një model qeverisjeje, këtë e kishte bërë thjesht si marifet fushate elektorale dhe asgjë më tepër. Në gjykimin e tij nuk ka socialista që qeverisin në Tiranë.
Po kështu, ai konsideroi në bllok se figurat që paraqiten nga Partia Socialiste tanimë para publikut janë ose pa identitet politik ose që kanë turp për të kaluarën e tyre politike. Të parët, ai i konsideroi si të lidhur dhe përfaqësues interesash private, ndërtuesish, kurse të dytët, ish-bashkëpunëtorët e tij, i konsideroi si «travestitë» politikë, pra që kanë hequr dorë nga përvoja dhe rezultatet, që sipas tij, ka pasur qeverisja socialiste në të kaluarën.
Po kështu, ai sulmoi demokracinë e brendshme në parti, ku sipas tij, parimi i zgjedhjes së kryetarit «një anëtar - një votë» ka lejuar nxjerrjen nga funksioni të lirive politike dhe të shprehjes brenda partisë.
Po të mos zgjatesha më tej, do të thosha edhe se diçka tjetër më bëri përshtypje, fakti që Fatos Nano tha se Partisë Socialiste i mungon alternativa ndryshe nga ajo e modelit të sotëm qeverisës. Me një fjalë, ai u shpreh se nuk e njeh Partinë Socialiste sot si vazhduese e asaj Partie Socialiste që ai ka udhëhequr prej kohësh, si edhe u shpreh i gatshëm që në një moment disfate për Partinë Socialiste, çka mund të ishte edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, ai do shfaqej kandidat jo vetëm për postin e kryetarit të Partisë Socialiste (kjo i dukej gjëja më minimale për t’u bërë), por edhe si mobilizues dhe përbashkues i së majtës, duke e përgatitur atë pastaj si një opozitë e re deri në zgjedhjet e vitit 2013.
Sipas tij, fakti që Edi Rama nuk kandidon në ndonjë qark, kjo shënohet si ai komandanti që nuk lufton bashkë me ushtarët e tij, duke i lënë këta vetëm në fushë të betejës.
Pra, nga kjo analizë, unë kuptova se zoti Fatos Nano e konsideronte si shans politik humbjen në zgjedhje të Partisë Socialiste, duke e legjitimuar e argumentuar idenë e tij me atë se kjo do të hapte rrugë për rikrijimin e një të majte të re si alternativë socialiste. Nuk bëri parashikim, sipas meje, nuk besoj se e pati këtë pretendim, m’u duk se shprehu më shumë një vullnet politik dhe si mundësi për t’i hapur rrugë aksionit të tij politik të mëpastajmë.
Ndërkaq, edhe pse shkaqet e ndarjes së tij me Ilir Metën ia «faturoi» këtij të fundit, përsëri e la të hapur mundësinë e bashkëpunimit të ardhëm me të përderisa e quajti si socialist. I ikur nga Partia Socialiste, por përsëri i mbetur socialist. Kurse zotin Gjinushi dhe zotin Milo i quajti «ushunjëza» të Partisë Socialiste, që ndoshta kanë pasur efekt shërues, por që më pas nuk i shqepen asaj.
Të nesërmen e kësaj interviste, sikurse të gjithë qytetarët e tjerë, edhe unë lexova deklarimin e zotit Edi Rama, sipas të cilit, Fatos Nano e ka braktisur Partinë Socialiste, i ka kthyer krahët asaj dhe se përbën ndofta të vetmin rast ku një ish-themelues e kryetar partie uron humbjen e partisë që dikur ka themeluar e drejtuar vetë. Më e ashpër ishte edhe përgjigja e Erion Veliajt, i cili sigurisht i lënduar, ngaqë Fatos Nano e konsideroi jo si përfaqësues i rinisë së majtë shqiptare, e quajti këtë të fundit as më shumë dhe as më pak por si «gërmadhë politike» dhe në njëfarë mënyre si shpërdorues i parave të taksapaguesve shqiptarë për shkak të mungesave të gjata që ai ka bërë në Kuvendin shqiptar dhe bile e akuzoi se më shumë jeton jashtë vendit sesa brenda tij.
Jam i bindur se të gjitha këto lexuesi i di, i ka lexuar po ashtu sikurse unë, nuk ka ndonjë gjë të re, por desha t’i përmbledh edhe një herë. Unë nuk do t’ju jap dot luksin që të pretendoj se mund të gjej se cilat nga këto kritika të ndërsjella është safi e vërtetë dhe cila e ekzagjeruar. Secila nga ato meriton analiza shumë të gjata që sa herë kam pasur mundësi i kam zhvilluar. Rëndësi kanë sot disa anë të tjera.
Përfundimi i parë është se përçarja dhe debati i brendshëm «thikë më thikë» brenda Partisë Socialiste ka arritur në këto ditë që u dha intervista dhe u pasua ajo, në një nga pikat kulmore të saj. Në një pikë shumë të nxehtë. Nuk është shprehje e ndonjë demokracie të brendshme sikurse shpesh bëhen përpjekje për ta legjitimuar. Është vazhdim i KPD-së së dikurshme që fatkeqësisht hapi këtë kulturë «larjesh hesapesh» në publik pa asnjë vetëpërmbajtje. Janë debate dhe politika eliminuese që bëhen jashtë strukturave të partisë, në media, sepse dihet që demokracia e brendshme nuk është në gjendje ta lejojë këtë liri debati dhe alternativash.
Po kështu, ajo që duket qartë, është se nuk pamë një debat për programin, për politikën, për alternativat e së majtës në përgjithësi dhe ato të Partisë Socialiste në veçanti. Ka vite e vite që ky debat parimor nuk ka vend brenda gjirit të socialistëve shqiptarë dhe ky është problemi më i madh. Ajo që ndofta do të dëshironin socialistët shqiptarë, të gjithë të majtët shqiptarë, do të kishte qenë pikërisht një debat i hapur, i kulturuar, i qetë, fisnik, midis alternativave që paraqit zoti Fatos Nano dhe shokët e tij nga alternativat që paraqet zoti Edi Rama dhe miqtë e tij.
Pyetja që bën publiku është pikërisht kjo: Përse brenda Partisë Socialiste nuk ka vend për një debat idesh që kundërshtojnë njëra-tjetrën? Si është e mundur që të gjithë politikanët e sotëm socialistë, edhe të djeshmit, ose paraqiten në një unitet monolitik përreth disa sloganeve elektorale, ose pastaj i degjenerojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit duke i quajtur një palë «kleptokratë», kurse pala e kundërt të parët «gërmadha politike»? Çfarë ka dhe çfarë i ka ndodhur së majtës shqiptare që nuk shndërrohet dot në një forum debatesh të hapura, bashkëjetesë alternativash sikurse do t’i takonte një krahu të majtë, popullit të majtë, nëse vërtet në Shqipëri ka vend, ka ardhur koha, janë pjekur kushtet për një «popull të majtë»? Kjo është pyetja: Çfarë po ndodh që nuk po lind ende kultura e majtë, duke u ngjizur pas debatesh miqësore dhe demokratike, tolerante?
Nga ana tjetër, unë do të desha që të tërheq vëmendjen për faktin se për çfarë arsyeje ata që zoti Fatos Nano i konsideron «ish-bashkëpunëtorët» e tij nuk u ndien, nuk thanë asnjë fjalë, nuk reaguan, qoftë duke e përkrahur qoftë duke e kritikuar atë. Si është e mundur që politikanët që preken nga intervista e dhënë nuk kanë kurajon e duhur për ta thënë të vërtetën e tyre politike hapur dhe pa ndrojtje. Çfarë presin?
Kam dëgjuar disa politikanë të krahëve të ndryshëm sot që thonë të gjithë se çështjet do t’i zgjidhin pas 28 qershorit, pra më 29 qershor. Unë e di se 29 qershori do të jetë ditë e së vërtetës së madhe. Do të dalin në dritë shumë gjëra. E gjithë politika shqiptare, e të gjitha krahëve, i gjithë personeli politik shqiptar, do të ketë pësuar një transformim të madh. Por, kur politikanë të ndryshëm i lënë gjërat për t’i thënë pas 28 qershorit, qytetarët kanë të drejtë të mendojnë se këtu ka një pragmatizëm politik, dhe jo ideale politike. Ne i duam analizat dhe marrjen e qëndrimeve politike sot, jo më pas, pas beteje, «po qe se është djalë, të më rrojë, po qe se është vajzë, ta mbash me shëndet». Nuk është politikë kjo.
Çfarë presin që të reagojnë për ose kundër? Kam të drejtë të dyshoj se presin datën 29 qershor. Ndofta jo të gjithë, por disa medoemos sepse e kanë treguar edhe më parë që i vetmi fanar drejtues i tyre është shefi i radhës. «Mbreti vdiq, rroftë mbreti». Kështu mbetesh në politikë pa fund, pa kohë, i përjetshëm.
Kam druajtjen se bëhen llogaritë sipas teorisë së lojërave: «Po qe se Edi Rama fiton, atëherë i përvishemi edhe një herë Fatos Nanos duke i thënë: Ti na çove në humbje në 2005-n, ti na le në baltë, ti nuk erdhe në mbledhje të grupit parlamentar, ti mungove në mbledhjen e organizatës së partisë së lagjes, ti nuk ke paguar as kuotizacionet mujore të anëtarësimit në parti, ti nuk erdhe në marshimin që bëmë në bulevard me rastin e humbjes së të ndjerit Kosta Trebicka, ti ende nuk ke lënë duhanin etj…»
Kurse po qe se zotit Edi Rama i rrëshqet këmba, atëherë kemi një fjalim tjetër ndaj Fatos Nanos: «Hajde, mirëserdhe zoti kryetar, këtu na ke, gati si përherë, si atëherë kur të pritëm për të dalë nga burgosja jote politike, kur na pastrove në ato KPD-të katarsiste ashtu sikurse ne e meritonim në fakt, mezi të pritnim, ne vetë e sabotuam fitoren që të ikte ky uzurpuesi me ushtarët dhe ushtaret e tij dhe të rivije ti…»
Edhe dita e këtyre debateve është më se e studiuar. Fatos Nanon e heqin nga lista e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste me një të rënë të lapsit. Ku është kujtesa kolektive e socialistëve? Ai dhe mund të mos vihej kandidat sepse askush nuk mund ta konsiderojë kolltukun e deputetit si dhuratë apo haraç që të tjerët ia detyrojnë atij. Por, nga ana tjetër, ky vendim kërkonte patjetër një vendimmarrje politike, të qartë, të argumentuar, institucionale, të hapur. Po kështu, edhe vetë i dëmtuari kishte pasur kohë katër vjet për t’i bërë kritikat e tij dhe për t’u distancuar, nëse e dëshironte këtë, nga drejtuesit e sotëm socialistë, përse e la ta bënte këtë «katarsis» tamam ditën kur e sheh veten jashtë listave për kandidat për deputet?
Përfundimisht, unë them se çështja duhet shtruar ndryshe. Nuk mendoj se argumentet kritike dhe akuzat e zotit Fatos Nano ndaj lidershipit të sotëm të Partisë Socialiste do të bëjnë të pakënaqur në radhët e së majtës dhe do t’i ulin asaj elektorat. Do të ndodhë diçka tjetër: Të pakënaqurit ndaj politikës së sotme të lidershipit të Partisë Socialiste do të përdorin akuzat e ish-kryetarit të tyre për të mbajtur qëndrime elektorale që ai i këshillon. Ajo intervistë nuk besoj se ka fuqi të bëjë të pakënaqur ndaj Partisë së sotme Socialiste. Ajo ka fuqi vetëm të bëjë që të pakënaqurit tashmë nga kjo politikë të besojnë se ata vetë janë socialistët e vërtetë dhe se formula e tyre është: «Po humbasim zgjedhjet për të fituar partinë».
Për ata, fitorja elektorale është disfatë politike dhe disfata elektorale është fitore politike.
Se sa do të jenë këta, a një masë elektorale, a një grusht militantësh, këtë mund ta thonë, si gjithmonë, vetëm më datën 29 qershor…