Legalizimet; Shpërndahen tapitë e para nga ZRPP-ja në Tiranë
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë nisi dje shpërndarjen e tapive të para të legalizimeve. Gjatë një ceremonie u shpërndanë 43 lejet e para, ndërkohë priten që në vazhdimësi të shpërndahen mijëra të tjera. Marrja e tapisë në ZRPP është hapi i fundit dhe më pas ndërtimi pa leje konsiderohet si pronë e regjistruar dhe tërësisht e ligjshme
Fillon në kryeqytet ndarja e tapive për ndërtimet informale. Në një ceremoni të veçantë, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë ndau 43 tapitë e para. Në këtë ceremoni, zv.kryeregjistruesja Sonila Jazaj deklaroi se tashmë në vazhdimësi pritet të ndahen mijëra certifikata pronësie në të gjithë vendin. “Procesi i regjistrimit të lejeve të legalizimit është shtrirë në të gjithë territorin e republikës dhe po ecën me ritme shumë të shpejta”, - tha Jazaj. Familjet e para që morën tapitë në Tiranë ishin ndër qytetarët, që kishin përfunduar tërësisht procedurat me Agjencinë e Legalizimeve. Pasi u legalizuar ndërtesa e tyre informale dhe pasi paguan të gjitha tarifat përkatëse që kërkon ligji, ata morën dje certifikatën e pronësisë. Me marrjen e tapisë nga ZRPP-ja, merr fund procesi i legalizimi, pasi përfundimisht ajo që dje mund të quhej pronë informale, tashmë është pronë e ligjshme. Deri në këto momente, sipas Sonila Jazaj, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raportojnë se fluksi i aplikimit të qytetarëve është i madh dhe niveli i përpunimit të praktikave nga ana e ZVRPP-ve u përgjigjet kërkesave të tyre. Nëpërmjet një udhëzimi, familjet që legalizohen nga Agjencia e Legalizimit, ndjekin procedurën për në ZRPP. Pronari me leje legalizimi në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZNI-t dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t’i dërgojnë qytetarit akt verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni, duhet t’i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë. Në përfundim të procesit, qytetari do të pajiset me certifikatë pronësie në rastet kur zona është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ose me vërtetim pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në sistemin e ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve, do të kenë sanksione administrative nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Pas miratimit të ndërtimeve në qeveri, pronari i ndërtimit paguan detyrimet sipas kushteve përkatëse dhe shumën që përcakton ligji. Jepet leja e ndërtimit dhe pas këtij procesi, pronari i tokës shkon në hipotekë dhe merr certifikatën e pronësisë, duke regjistruar pronën e tij si pasuri e paluajtshme. Pronarët e ndërtimeve pa leje, të cilëve u është miratuar dosja nga Agjencia e Legalizimeve, do të duhet të paguajnë sipas ligjit shumën përkatëse që ata detyrohen. Por sipas udhëzimit, shuma mund të paguhet me këste, por në rast se paguhet menjëherë, përfitohet 20 për qind ulje. Njëkohësisht, për familjet në nevojë, do të ndërmjetësohet që të merret një kredi me interes zero. Ky është fundi i procesit kur prona mund të quhet jotja ligjërisht. Nga procesi i legalizimit do të përfitojnë vetëm objekte që janë vetëdeklaruar dhe kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit. Deri më tani janë llogaritur rreth 350 mijë objekte, të cilat pritet të legalizohen.