E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rubio: SHBA-ja po negocion për përfundimin e luftës Ukrainë-Rus. Sanksionet shtesë dëmtojnë procesin

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po luajnë rolin e mediatorit në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, por nëse presidenti Donald Trump vendos sanksione të reja ndaj Moskës, kjo aftësi do të humbasë.

Kwtw deklaratë Rubio e bwri në një intervistë me emisionin “NBC Today”, transkripti i së cilës u publikua nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së të martën.

“Ne jemi vendi i vetëm në botë që mund të flasim vërtet me të dy vendet e përfshira – ne jemi të vetmit që mund të flasim me Ukrainën dhe Rusinë, dhe të gjithë na kanë inkurajuar të luajmë këtë rol. Në një moment, ky rol mund të përfundojë,” tha Rubio në intervistë.

Ai theksoi se SHBA-ja po përpiqet të shmangë një eskalim që do të zgjasë luftën për vite të tjera, duke shkaktuar mijëra viktima shtesë.

Rubio hodhi poshtë idenë se Uashingtoni mund të ketë keqkuptuar qëllimet e presidentit rus Vladimir Putin në samitin e Alaskës: “Mendoj se ne kemi ditur gjithmonë se qëllimet e tij janë të marrin Donetskun, për shembull, dhe ai e ka deklaruar këtë hapur.”

Në këtë kontekst, ai rikujtoi se presidenti Trump “ka shprehur shpesh zhgënjimin e tij të thellë” me Putinin lidhur me drejtimin që po i jep luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Rubio sqaroi se Trump po vonohet me sanksionet e reja për të mos penguar negociatat.

Sekretari Rubio shpjegoi se vendosja e sanksioneve të ashpra do të dëmtonte rolin e SHBA-së si ndërmjetës: “Nëse ne shkojmë fort me sanksionet dhe gjithçka tjetër, aftësia jonë për të vepruar si ndërmjetës për të sjellë paqen zvogëlohet, dhe kjo luftë vazhdon për dy vite të tjera dhe mijëra njerëz të tjerë do të vdesin. Pra, ne po përpiqemi ta shmangim atë. Ne shpresojmë ta shmangim atë.”

Ai theksoi se, pavarësisht kësaj, në një pikë, Trump mund të detyrohet të vendosë sanksione të reja, nëse negociatat dështojnë.

Rubio përsëriti pretendimin e Trump se lufta nuk është “lufta jonë”, pasi ai e ka “trashëguar” atë.

Megjithatë, ai nënvizoi se “në fund të fundit, kjo nuk varet nga ne. Kjo varet nga Putin. Dhe ukrainasit duhet të bien dakord për një marrëveshje paqeje. Ajo që Presidenti ka shprehur është se kjo do të jetë një prioritet i tij. Dhe ka qenë.”

Në të njëjtën kohë, Rubio kritikoi Evropën për mosmjaftueshmërinë e saj në kufizimet ndaj Rusisë: “Aktualisht, ka vende në Evropë që ende po blejnë sasi të mëdha nafte dhe gaz natyror nga Rusia, çka është absurde.”

Ai shtoi se Evropa duhet të bëjë më shumë në këtë çështje, duke theksuar se sanksionet evropiane janë thelbësore për të shtyrë Rusinë drejt një marrëveshjeje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›