Rrugët e amortizuara, nis faza e dytë e punimeve
Nis faza e dytë e rehabilitimit të rrugëve të amortizuara në kryeqytet dhe vendosja e 577 zgarave të pusetave. Gjithçka e bëri me dije dje drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli. Deri tani kanë përfunduar 91 rrugë të parashikuara si emergjente nga Bashkia e Tiranës, mes të cilave është edhe rruga Kujtim Laro, për të cilën ka pasur një shqetësim të madh të banorëve. Ai tha se aktualisht po punohet në të tjera akse rrugore, të cilat janë të amortizura, por edhe për ato që ka pasur një shqetësim të shprehur nga qytetarët, në takimet me kryetarin e Bashkisë, ashtu edhe përmes letrave, e-maileve apo faqes së facebook-ut, një prej të cilëve është rruga Sadik Petrela. Ndonëse është asfaltuar disa herë, kjo rrugë vazhdon të jetë tejet e amortizuar, pasi nuk është ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut.