Rubio vishet kuqezi
SPORT
Sevilja - Burime pranë klubit Flamurtari thanë se trajneri Rubio ka negociuar për ndeshjen e datës 9 shtator me Seviljen në Tiranë
Kontrata - Kontrata e trajnerit spanjoll do të jetë njëvjeçare me Flamurtarin, ndërsa pas rezultateve, do të rinegociohet
Titulli - Rubio nuk ka premtuar që do të rikthejë titullin në Vlorë, ndërsa pohoi se do të luftojë për një objektiv të tillë
Prezantimi:
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, njëherësh president i klubit të futbollit Flamurtari, ka prezantuar dje trajnerin spanjoll, Huan Rubio
Firmosa, por nuk garantoj titullin
Mikel Marsi
Ish-trajneri i Tiranës, Huan Rubio, ka firmosur dje një kontratë njëvjeçare me skuadrën e Flamurtarit të Vlorës. Dje paradite Rubio ka qenë i pranishëm në ambientet e klubit të qytetit të Vlorës, i shoqëruar nga presidenti Gjika dhe drejtues të tjerë të skuadrës. Pasi kanë qëndruar për më shumë se një orë brenda ambienteve të stadiumit, presidenti dhe trajneri kanë dalë para mediave, duke deklaruar se firmosa një kontratë njëvjeçare, por nuk iu garantoj titullin, ne do të luftojmë. Në lidhje me ndarjen nga klubi i Tiranës, trajneri spanjoll tha se: Me drejtuesit e Tiranës u ndamë në mënyrë shumë pozitiviste, ndërsa tani jam këtu në Vlorë, pasi kam arritur një akord për të drejtuar Flamurtarin në vazhdim. Me këtë rast dua të falënderoj sërish nga zemra tifozët e Tiranës, për mbështetjen dhe gjithçka kanë bërë për mua deri më tani, me shpresën se kam bërë më të mirën e mundshme për skuadrën e tyre të zemrës. Rrethanat e sollën të largohem nga Tirana, pa asnjë hatërmbeje, ndërkohë që tani kam përpara një tjetër mision: të bëj për vete tifozët vlonjatë. Do të jem i pranishëm në stërvitjen e parë të Flamurtarit. Ai tha se do të vëzhgojë skuadrën e re dhe do të implementojë filozofinë e tij të punës në stërvitje dhe në ndeshjet zyrtare. Ndihem mirë në Vlorë, sepse më ngjan pak me qytetin tim, Seviljen, vetëm se atje nuk ka det si këtu, por lumë, vijoi Rubio, i pyetur nga gazetarët. Ndërkaq mësohet se dje spanjolli ka marrë edhe pagat e fundit nga klubi i Tiranës, duke u shlyer totalisht për periudhën që drejtoi bardheblutë.
Pse vendosët që të drejtoni Flamurtarin?
Sepse kështu ma tha zemra.
Tifozët e Tiranës kanë mbetur të zhgënjyer nga ju?
Mendoj dhe besoj se jo, unë kam dhënë maksimumin tim te Tirana dhe besoj se nuk kanë pse të kenë mbetur të zhgënjyer. I falënderoj nga zemra për gjithë mbështetjen e plotë dhe për gjithçka që më kanë dhënë gjatë vitit dhe tani duhet të punoj në një vend tjetër dhe ata do të më kuptojnë shumë mirë.
Kur e pranuat ofertën e Flamurtarit?
Tani, në këto momente (ishte ora 13:00)
Sa është shuma financiare?
Të lutem, pyetje të tilla nuk shkojnë. Është sikur tju them se sa e ke rrogën ti.
Po me drejtuesit e Tiranës si u ndatë?
U ndamë shumë mirë, madje edhe drekuam së bashku.
Kontrata sa është?
Është një kontratë njëvjeçare.
Si e njihni Flamurtarin?
Aq sa i njoh të gjitha ekipet e tjera shqiptare.
A do të jeni në stërvitjen e sotme?
Po, do të jem në stërvitje sot, por nuk do ta zhvilloj unë atë. Do ta shoh stërvitjen dhe do të prezantohem me lojtarët.
Po në pankinë, në ndeshjen ndaj Laçit?
Do ta flasim me presidentin këtë çështje.
Keni fituar tre trofe te Tirana, po te Flamurtari premtoni titullin kampion?
Erdha këtu të bëj gjithçka për të fituar ndeshjet, por mund të them se titullin kampion nuk e siguron askush. Unë do të punoj për një gjë të tillë.
A ka kushte kontrata juaj?
Jo nuk besoj, kur folëm me presidentin, nuk e përmendëm një gjë të tillë. Nëse kemi mundësi ose kohë, mund të bëjmë ndonjë përforcim në kohën e mbetur. Do jap kontributin tim.
Ju kanë mirëpritur vlonjatët?
Unë ndihem shumë i nderuar, dua të falënderoj tifozerinë e Tiranës dhe tani duhet të bëj për vete edhe tifozerinë vlonjate.
Si ndiheni në Vlorë?
Shumë mirë. Më ngjan pak me Seviljen time, por me një ndryshim që qyteti im nuk ka det, por lum.
Do të ketë ndryshime në staf?
Jo, aspak, unë do të vijoj të punoj me këtë staf.
100-vjetori
Katalanasit nuk do të ndeshen me vlonjatët, FSHF-ja negocion për Kombëtaren
Humbet Flamurtari, Barcelona negocion ndeshje me Shqipërinë
Pak ditë më parë, organi më i lartë i futbollit në Shqipëri, bëri me dije se Barcelona dhe Sevilja do të mbërrijnë në vendin tonë për të zhvilluar dy takime miqësore me Flamurtarin për përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Për sa i përket Seviljas, ndeshja me të tashmë është bërë zyrtare. Spanjollët do të ndeshen me Flamurtarin më 9 shtator në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Takimi do të zhvillohet në këtë impiant jo vetëm për kushte më të larta të sigurisë, por edhe se ka kapacitet më të madh të vendeve. Kjo bën që drejtuesit e klubit Flamurtari dhe FSHF-së të gjejnë gjuhën e përbashkët të zhvillimit të këtij takimi miqësor në kryeqytet dhe jo në Vlorë. Megjithatë, një tjetër takim është përfolur për tu zhvilluar në muajin nëntor, që përkon me muajin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Por, këtë herë Flamurtari del i humbur, për vetë faktin që gjithçka e mban në dorë MTKRS dhe FSHF për zhvillimin e kësaj ndeshje. Një fakt tjetër është se tarifa e zhvillimit të këtij takimi miqësor është shumë e lartë, ndaj klubi vlonjat nuk i ka kushtet dhe të ardhurat për të përballuar një sfidë të nivelit të tillë. Nga sa mësohet, Kombëtarja Shqiptare është ajo që do të përfitojë në këtë rast të luajë kundër Mesit & Co. Sipas të dhënave zyrtare mbi këtë ndeshje që mund të zhvillohet në muajin nëntor, bëhet me dije se futbollistët e kombëtares dhe disa të tjerë të përzgjedhur nga kampionati ynë do të luajnë ndaj katalanasve. Megjithatë, drejtues të federatës bëjnë me dije se janë ende në bisedime me klubin spanjoll. Edhe pse disa ditë më parë u tha se është rënë dakord që Barcelona të zbarkojë në vendin tonë në muajin nëntor, ende nuk ka një përgjigje zyrtare që konfirmon se spanjollët do të vijnë. Të gjithë janë në pritje të një vendimi ku pritet të mësohet se do të vijë ose jo Barcelona dhe se në çfarë date do të zhvillohet takimi i shumëpritur për përvjetorin e pavarësisë. Ndërsa automatikisht është përjashtuar mundësia se Flamurtari mund të përballet me katalanasit. E.H
Rubio vishet kuqezi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip