Tiranë, 4 të plagosur për një sherr grash
Tiranë- Një sherr mes grash ka shkaktuar 4 të plagosur në Tiranë. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës në zonën e Nish Tullës, ku konflikti i nisur mes dy grave të zonës ka degjeneruar deri në ndërhyrjen e bashkëshortit dhe djalit të njërës prej tyre, të cilët pasi kanë shkuar në banesën e familjes Faslia kanë nisur të konfrontohen deri në përdorimin e sendeve të forta. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se kanë arritur të arrestojnë dy persona, si të dyshuar për këtë ngjarje. “U bë arrestimi në flagrancë i Dod Brahimajt, 52 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë dhe i djalit të tij, Orest Brahimajt, 20 vjeç, pasi gjatë një konflikti të ashpër dhe të dhunshëm, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta Zamir Faslinë, 29 vjeç, Fatmir Faslinë, 30 vjeç, duke u shkaktuar plagosje të lehtë si dhe janë dëmtuar gjatë konfliktit Elona Faslia 22 vjeçe dhe E. Faslia 5 vjeçe, të cilat kanë qenë në ambientet e brendshme të banesë dhe janë dëmtuar gjatë konfliktit” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Ndërkohë materialet në ngarkim të Dod e Orest Brahimajt i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprave penale të “Plagosje e lehte me dashje” dhe “Shkatërrim i pronës me mjete të tjera”. Th.S