E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Berisha po përpiqet që të ruajë pushtetin e tij me dhunë ndaj opozites

Sekretari i Partisë Socialiste, Gramos Ruçi, ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Ilir Kokona i LSI-së ndaj deputetit të opozitës, Ilir Gjoni.

Ruçi ka thënë se Berisha ka vënë në përdorim falangat e krimit dhe është i gatshëm që të vjedhë, dhunojë dhe vrasë për të ruajtur pushtetin e vet.

Sipas Ruçit, kjo gjë ndodh për shkak të faktit se kushdo që vepron për llogari të Sali Berishës në këtë vend, nuk ndëshkohet për asnjë krim.

Dje u rrah barbarisht deputeti Ilir Gjoni. Dhuna fizike dhe verbale ndaj deputetit Gjoni dhe të zgjedhurve të tjerë të PS-së, tregon se pushteti i Berishës nuk kursen askënd. Ky është shteti i Sali Berishës, që nga njëra anë përgëjrohet për dialog me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e krimit për të dhunuar opozitën. Fatmir Xhindi u vra në derën e shtëpisë dhe nuk dihet se kush e vrau. Katër qytetarë të pafajshëm u vranë në mes të bulevardit më 21 janar. Autorët dihen, por shteti nuk lejon ndëshkimin e autorëve. Unë i bëj apel Sali Berishës, pasi kjo ngjarje nuk mund të kalojë në heshtje. Dhuna ndaj çdo qytetari dhe mbështetësi të PS-së, nuk mund të vazhdojë pa u ndëshkuar. Pushteti i Sali Berishës të vjedh, të dhunon dhe të vret për të ruajtur pushtetin. Ndaj unë i them Berishës tërhiqi njerëzit nga rruga dhe tërhiqu vetë nga rruga e dhunës, duke lënë drejtësinë që të veprojë, tha Ruçi gjatë fjalës së vet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›