Topi: Jam i shqetësuar për tejzgjatjen e procesit zgjedhor, të nisë dialogu politik
Presidenti Bamir Topi ka pritur në një takim kreun e BE-së në Tiranë, Etore Sekui. Gjatë takimit, ata kanë shprehur shqetësimin për tejzgjatjen e procesit zgjedhor, duke kërkuar mbylljen e tij sa më shpejt.
Duke parë situatën e krijuar, presidenti ka kërkuar nisjen e menjëhershme të dialogut politik mes palëve.
Në këtë situatë, është e domosdoshme nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional, ka thënë Topi, duke theksuar gjithashtu se kjo do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë që klasa politike mund ti japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.
Topi theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Evropian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre. At ritheksoi gjithashtu se klasa politike duhet të arrijë në të njëjtat standarde. Ka ardhur koha të kalohet nga fjalët dhe premtimet pafund të politikanëve në vepra konkrete në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.