E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi-Braçe: Votoni masivisht, që të shpëtoni nga pushteti i korruptuar

LUSHNJE- Gramoz Ruçi dhe Erjon Braçe kanë qenë së bashku në Çermë të Lushnjës. Të dy drejtuesit e lartë socialistë që kryesojnë listën e kandidatëve në qarkun Fier, kanë bërë apel për pjesëmarrje sa më të madhe në votim.

“Ju kemi premtuar që do të heqim akcizën e naftës, madje 800 lekë taksa në 1900 lekë që është litri i naftës dhe do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar që do të heqim TVSH-në për plehrat kimike dhe do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar që do të kontrollojmë cilësinë e farërave dhe fidanëve që të mos ndodhë më kurrë që nga dyqani i farave këtu në Çermë të shpërndahet farë dhe të mos mbijë misër atje në arat tuaja. Duke i’u marrë para dhe duke ju vjedhur”, është shprehur Erjon Braçe

‘Vota në numrin 29, për Partinë Socialiste’, kanë bërë apel Ruçi dhe Braçe ‘është një votë për të ulur kostot e jetesës dhe për të nxitur prodhimin në fshat’.

“Siç e nisa në fillim u thashë që keni 67 parti në listë. I prisni të gjithë. E di që do t’ju lodhin, do t’ju mundohen edhe t’ju blejnë me para, se shumë nga ata janë paralli. Një porosi do t’ju jepja, asnjë lekë mos refuzoni, merrini se është gjaku, djersa dhe mundi juaj nëpërmjet korrupsionit që ju kanë vjedhur 8 vjet rresht. Por votën hidheni atje ku duhet”, theksoi Ruçi ndër të tjera gjatë fjalës së tij.

‘Ilaçi për të larguar këtë pushtet të korruptuar që varfëroi Shqipërinë’ tha Ruçi ‘është vetëm pjesëmarrja masive në votim në datën 23 qershor’.
(e.m/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›