E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: Gjyqet ndaj socialistëve, të montuara politikisht

Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi i ka cilësuar si të montuara politikisht proceset gjyqësore të hapura ndaj deputetëve socialistë. Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të mbledhjes së grupit, Ruçi ka theksuar se proceset gjyqësore ndaj socialistëve janë të njëashme dhe tregojnë deformimin e sistemit të drejtësisë.

Ruçi është ndaluar në gjyqin më të fundit ndaj nënkryetarit të grupit, Samir Tahiri për të cilin ka thënë se ai është një proces jo vetëm i njëanshëm, por edhe i paracaktuar, për të dënuar me çdo kusht atë.
 

“Në proces gjyqësor janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë kryesia e grupit të PS, ka vetëm një motiv pse këta sot gjenden në dyert e gjykatave, të gjykuar nga gjyqtarë që nuk bëjnë drejtësi, por që si klientë të bindur të pushtetit bëjnë padrejtësi në emër të pushtetit. Arsyeja eshte se Tahiri, Kodheli, Hysi, Brace, Shalsi, Gaci, Balla, Felaj, Deda, Xhacka e shumë të tjerë kanë pasur dhe kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të qeverisë, Berishës, familjarëve, ministrave, deputetëve të pushtetit e sot po dënohen.” theksoi Ruçi.

Sipas Ruçit, këto procese po kthehen në simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit politik, të çmontimit të sistemit të drejtësisë. Këto gjyqe po kthehen në kamxhikë të qeverisë ndaj deputeteve të opozitës me synimin për ti mbyllur gojën kujtdo që tregon vjedhjet, korrupsionin, përgjegjësitë e qeveritarëve.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, këto procese janë për t`i mbyllur gojën opozitës por shtoi se opozita do të vazhdojë të bëjë detyrën e saj në denoncim të korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›