Ruçi: Gjyqet ndaj deputetëve të PS-së, kamxhik politik i qeverisë për të mbyllur gojën

Gramoz Ruçi / Foto arkiv
Deputetët e Partisë Socialiste vazhdojnë të humbasin gjyqe për shpifje. Më i fundit që rrezikon një gjë të tillë është Sajmir Tahiri, për të cilin gjykata mund të vendosë dënim me 8 milionë lekë për shpifje ndaj fëmijëve të kryeministrit Berisha.
Dje Tahiri u dërgojë letër ambasadorëve në Tiranë duke u kërkuar që të ndalin këtë farsë dhe të bëhen dëshmitarë të drejtësisë shqiptare.
Ndërsa sot ka reaguar kreu i gripit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili e cilësoi procesin të njëanshëm dhe të deformuar. Ai nënvizon se në procese gjyqësore janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë Kryesia e Grupit Parlamentar.
Sipas Ruçi, deputetët e PS-së po dënohen për shkak se kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të kësaj qeverie, të kryeministrit dhe familjarëve të tij, të ministrave dhe deputetëve të pushtetit.
Këto gjyqe po kthehen në kamxhik politik të qeverisë ndaj deputetëve të opozitës, me synimin për ti mbyllur gojën kujtdo tregon me gisht vjedhjen, korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit, e bashkë me to, përgjegjësit në qeveri e në familje, tha Ruçi. Por këto procese gjyqësore po nxjerrin në dritë, deformimin e sistemit gjyqësor për çdo qytetar të ndershëm që përplaset dyerve të gjykatave. Sot në gjykatë fiton i forti, jo e drejta. Fiton ai që ka pushtet, jo ai që ka të drejtë. /F.Stafa/