Ruçi: Ju rrëfej negociatat e fshehta me Astrit Patozin
Kryetari i grupit parlamentar socialist rrëfen për herë të parë propozimet e opozitës dërguar mazhorancës
Kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, bëri dje të ditur për herë të parë negociatat e zhvilluara së fundmi me homologun e tij demokrat, Astrit Patozi. Në një bashkëbisedim me gazetarët nga selia e PS, zyrtari i lartë i kësaj partie deklaroi se i ka paraqitur demokratëve një projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike dhe projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.
Deputeti socialist sqaroi qëndrimin e socialistëve për kutitë, aksionin politik të PS për muajin shtator dhe mënyrën se si mund të hetohen zgjedhjet. Ruçi deklaroi se opozita nuk do t'i bojkotojë zgjedhjet e ardhshme, por askush të mos mendojë se do të ketë zgjedhje për zgjedhje si deri tashti në Shqipëri.
Zoti Ruçi, jemi njohur për disa propozime dërguar mazhorancës për zgjidhjen e krizës. Cilat janë propozimet e PS?
Me qëllimin e mirë për t'i dhënë fund situatës së rënduar politike dhe krizës së institucioneve të shtetit shqiptar, në vazhdim të kontakteve të zhvilluara gjatë muajit korrik midis meje dhe kryetarit të Grupit parlamentar të mazhorancës, z. Astrit Patozi, unë ju deklaroj se ne që në datën 28 korrik kemi formalizuar propozimet tona duke i paraqitur mazhorancës përmes kryetarit të saj të grupit parlamentar dy dokumente:
1. Projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike;
2. Projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.
Si projektmarrëveshja ashtu dhe projektvendimi të paraqitur nga ana jonë te z. Patozi shprehin vullnetin tonë politik dhe konsistojnë kryesisht në tre drejtime:
1. Në miratimin e një Rezolute nga ana e parlamentit shqiptar për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE;
2. Në angazhimin tonë për zgjidhjen e shpejtë të krizës politike lidhur me transparencën e zgjedhjeve të qershorit 2009 si dhe hapat konkretë që duhen hedhur në këtë drejtim;
3. Angazhimin tonë politik për një reformë të plotë elektorale sipas rekomandimeve të Raportit të OSBE-ODHIR dhe sipas përfundimeve të Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.
Ku do lëshoni për fletët e votimit?
Nuk bëhet fjalë për lëshime. Kur bëhet fjalë për materialet zgjedhore nuk përjashtohet të niset me listat e zgjedhësve, vazhdohet me fletët e votimit, kartat e identitetit dhe me gjithë dokumentacionin deri te vula në fletët e votimit apo në kutitë e votimit. E megjithatë meqë ka lexime të ndryshme mes pozitës dhe opozitës ne vlerësojmë dhe gjykojmë që nuk ka hetim të zgjedhjeve me ekzekutim të fletëve të votimit.
Parë në këtë këndvështrim kompromisi ynë konsiston në atë që duke pasur parasysh që ka lexime të ndryshme, atëherë le t'ia lëmë në dorë një arbitri asnjanës siç është Komisioni i Venecias, ku ne sugjerojmë që:
1. Me kërkesë të Komisionit Hetimor parlamentar Presidenti i Republikës t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të trajtuar çështjen e kutive të fletëve të votimit;
2. Me kërkesë të Komisionit Hetimor parlamentar Kryetarja e Kuvendit mund t'i drejtohet Komisionit të Venecias për interpretim për çështjen e kutive të fletëve të votimit;
3. Me kërkesë të institucioneve të shtetit shqiptar meqë Shqipëria është anëtare e Këshillit të Europës, Sekretari i Përgjithshëm i KiE, meqë ka dhe një Rezolutë të KiE dhe meqë Komisioni i Venecias është pjesë e KiE, mund t'i drejtohet për interpretim Komisionit të Venecias për kutitë e fletëve të votimit;
4. Gjykata Kushtetuese me kërkesë të parlamentit shqiptar t'i kërkojë Komisionit të Venecias interpretim për fletët e votimit. Nëse Gjykata nuk e bën dot këtë, pasi është institucion i pavarur në vendimmarrje, atëherë i rikthehemi Kryetares së Kuvendit që t'i drejtohet ajo, sigurisht nëse ekziston vullneti politik;
5. Për të mos bllokuar procesin le të ngrihet Komisioni Hetimor për materialet zgjedhore sipas leximit që i bën mazhoranca, dhe të vazhdojmë negociatat lidhur me kutitë e fletëve të votimit, duke përjashtuar në çdo rast asgjësimin e kutive të fletëve të votimit.
Do merrni pjesë në komisionin hetimor?
Ne jemi iniciatorë dhe kemi një vit që kërkojmë ngritjen e këtij komisioni hetimor parlamentar dhe që në nisje të këtij komunikimi me ju deklarova se ne kemi formalizuar propozimet tona në një projekt, ku përcaktojmë objektin e komisionit të hetimit, ku përcaktojmë numrin e pozitës dhe të opozitës në komisionin e hetimit, drejtimin e komisionit, kohën e komisionit të hetimit dhe kërkesa të tjera që kërkon ligji i komisionit hetimor.
Në qoftë se një komision i ri hetimor parlamentar do të ngrihet në shtator, pra në hapjen e parlamentit dhe në qoftë se koha e hetimit, që zakonisht është 3-mujore, i bie që ky komision t'i nxjerri konkluzionet e tij në dhjetor.
A mendoni se kjo kohë është e mjaftueshme për hetim?
Ne kemi humbur shumë kohë, unë atë që parashtrova qysh në fillim thashë që duhet të fitojmë kohën e humbur. Që të fitosh kohën e humbur, s'duhet të humbasim asnjë ditë më, asnjë orë, asnjë sekondë.
Pram, thashë që parlamenti shqiptar duhet ta fillojë me ngritjen e Komisionit Hetimor, gjë që do të thotë Komisioni Hetimor duhet të punojë në mënyrë intensive. Gjë që do të thotë duhet të ketë vullnet të përbashkët midis forcave politike për përfundimin sa më shpejt të veprimtarisë të këtij komisioni hetimor dhe mandej të ngritjes së një komisioni parlamentar lidhur me ndryshimet që duhet bërë në kodin zgjedhor.
Pavarësisht se kemi humbur shumë kohë, pavarësisht se s'duhet të humbasim asnjë sekondë, në qoftë se do të ketë vullnet të mirë politik, nga të gjithë krahët politikë, unë mendoj se asgjë nuk është e parealizueshme. Në të kundërt, sigurisht përgjegjësinë do ta mbajë pala që i mungon vullneti politik.
Z. Ruçi, nëse në seancën e parë të kuvendit, nuk ndodh kjo që thoni ju, nuk nis hetimi zgjedhjeve, pra edhe nëse në shtator marrëveshja nuk arrihet, e jeni gati të rinisni bojkotin dhe sërish protestat?
Nuk do ta dëshironim këtë çështje, megjithatë pyetjes suaj i kemi dhënë përgjigje në disa dalje tonat. Nëse mazhorancës do t'i mungojë ky vullnet, për të hedhur këtë hap, për të ngritur këtë komision, sigurisht që nuk do të ketë zgjidhje të krizës politike, do të ketë përkeqësim të saj.
Opozita nuk do të ketë asnjë tërheqje, përkundrazi do të ketë një intensifikim të veprimtarisë së saj politike, gjithmonë demokratike, si në raport me funksionim e parlamentit, ashtu edhe në raport me lëvizjet demokratike, siç janë protestat popullore, në çdo shesh, në çdo qytetet, në çdo fshat, e deri në kryeqytet.
Nuk do ta dëshironim, nuk është zgjedhja jonë lidhur me këtë çështje, prandaj ne kemi ofruar një zgjidhje. Megjithatë jemi në pritje që pyetja juaj, "nëse", të kthehet në pohuese që mazhoranca do të ketë vullnetin politik për ta zgjidhur krizën.
A do të kushtëzohen zgjedhjet vendore nga hetimi i zgjedhjeve, nëse do të vazhdohet pa fund të ketë një zgjidhje të krizës politike në vend?
Në qoftë se flasim për një kërkesë permanente të opozitës shqiptare prej 1 viti dhe një kohe të humbur, këtu nuk është e vështirë të evidentosh se kush është shkaktari apo fajtori i humbjes së kësaj kohe, i zvarritjes së këtij problemi dhe i përgatitjes për fushatën e ardhshme elektorale vendore.
Ne jemi opozitë dhe opozita e çdo vendi në radhë të parë lufton që të vijë në pushtet dhe që të vijë në pushtet duhet të vijë me zgjedhje të lira dhe demokratike. Në qoftë se flasim për zgjedhje, ne disa herë kemi deklaruar që askush të mos mendojë se opozita shqiptare do të bojkotojë zgjedhjet.
Një opozitë, është opozitë për të ardhur në pushtet. Kjo është sfida jonë, përballë do të na ketë kundërshtari jonë politik. Por njëkohësisht askush të mos mendojë se do të ketë zgjedhje për zgjedhje si deri tashti në Shqipëri. Pra, edhe kjo duhet të jetë e qartë.
Ne si forcë politike, nëse e ka fjalën sesi po përgatitemi ne, sigurisht ne po kryejmë detyrat tona të shtëpisë, që krahas ngritjes së komisionit hetimor, ne jemi të gatshëm në çdo kohë, për ndryshimet dhe korrigjimet që i duhen bërë infrastrukturës zgjedhore, kodit Elektoral.
Ashtu sikurse për të qenë e gatshme, makineria jonë elektorale, në të gjitha planet, në të gjitha drejtimet, për t'u përballuar me kundërshtarin tonë politik, në fushatën e ardhshme elektorale.
Duke supozuar se kërkesa i shkoi komisionit të Venecias, pavarësisht nga kush institucion.
A jeni të gatshëm ju të prisni mendimin e komisionit të Venecias për të nisur hetimin?
Nuk ka pse pritet vendimi i Komisionit të Venecias. Komisioni hetimor sipas propozimit dhe gjykimit që ne kemi, mund të ngrihet qysh në ditët e para të shtatorit. Ai mund të fillojë menjëherë nga puna, me objekt hetimi, materialet zgjedhore dhe palët të angazhohen me vullnet politik, që cilido qoftë verdikti që do të japë Komisioni Venecias, ai të jetë i pranuar nga të dyja palët.
A është PS për një shtyrje të mundshme të datës së zgjedhjeve. Dhe a mendoni për ndryshimin e sistemit zgjedhor?
Kur e mbylla hapjen e këtij bashkëbisedimi me ju, thashë që kemi humbur shumë kohë dhe thashë që jemi të gatshëm në çdo moment për të filluar nga puna e komisionit hetimor.
Në qoftë se kundërshtari jonë politik do të fitojë kohë, duke e çuar problemin deri tek përmbajtja e të gjithë pyetjeve tuaja, që në esencë kishin një fjalë të përbashkët, kohë, kohë, kohë, sigurisht që nuk do të ketë zgjedhje fare në Shqipëri.
Fjalën kohë që ju përzgjodhët në pyetjet tuaja me të drejtë, nuk jemi ne që e kemi çuar në këtë pikë, është kundërshtari jonë politik që e ka çuar në këtë pikë. Unë thashë që duhet të fitosh kohën e humbur. Që të fitosh kohën e humbur duhet vullneti politik i të dy palëve.
Ne veç propozimeve tona në tavolinë, që kemi qenë tepër konstruktiv, i kemi formalizuar ato, edhe në dy dokumente që kemi paraqitur sot e 1 muaj dhe kemi qenë të gatshëm, bile pasi e kemi paraqitur këtë në prezencë tuaj, përfaqësues të lartë të PS, kanë komunikuar me ju, duke kërkuar që PS është e gatshme që edhe në pushim, gjatë gushtit, të thirret parlamenti shqiptar, me qëllim që të miratojë ngritjen e komisionit hetimor.
Mirëpo, kjo nuk u bë e mundur, do të duhet një muaj, që pas një muaji të thoshte kryeministri, që ne kemi një propozim dhe atë propozim e kemi në tavolinë dhe që ekziston vullneti për t'i dhënë një zgjidhje
. Le të presim, por jo gjatë.
Mbi çfarë tagër Presidenti Republikës mund të dërgojë ankesën për fletët e votimit ose për interpretim në Komision e Venecias? Është e mbështetur në ligj kjo kërkesë e Presidentit në Komisionin e Venecias?
Absolutisht që po. Ne jemi interesuar me përfaqësues të Komisionit të Venecias, pasi atje ka pasur në vazhdim edhe përfaqësues nga shteti shqiptar. Edhe në komunikimin informal që kemi pasur me përfaqësues të Komisionit të Venecias, absolutisht është i përligjur si Presidenti Republikës, ashtu edhe kryetarja e parlamentit në emër të parlamentit, presidenti në emër të Kushtetutës.
Kështu që s'ka asnjë pengesë, ashtu sikurse është Gjykata Kushtetuese e vendit, ashtu sikurse është Këshilli Europës, që është një institucion nga varet edhe Komisioni Venecias.