Albana Vokshi merret në pyetje nga prokuroria
KONCESIONET
Task Forca po heton në lidhje me mënyrën se si i janë dhënë koncesionet bashkëjetuesit të Albana Vokshit. Deputetja jep shpjegime në prokurori. Merret në pyetje deputeti Erjon Braçe
TIRANË- Njësia e task-forcës në Prokurorinë e kryeqytetit ka marrë dje në pyetje deputeten e PD-së, Albana Vokshi në lidhje me çështjen e dyshimtë të dhënies me koncesion të disa hidrocentraleve dhe të drejtës për kërkimin e naftës për bashkëjetuesin dhe babanë e fëmijës së saj, Arjan Tartari.
Lejet koncesionare i janë dhënë Tartarit në një kohë kur njeriu që bashkëjetonte, Albana Vokshi, ishte këshilltare e kryeministrit për ekonominë ndërsa e motra, drejtoreshë e privatizimeve dhe koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, njësia e përbashkët hetimore ka filluar hetimet kryesisht për çështjen duke regjistruar procedimin penal për akuzat e korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike; korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike; shpërdorim detyre si dhe akuzat e tjera që mund të dalin nga hetimi, por pa ndonjë autor konkret.
Për regjistrimin e këtij procedimi, mësohet se prokuroria ka përdorur, shkrimet e publikuara në Gazetën "Shekulli" dhe më pas deklaratat e deputetëve të Partisë Socialiste, kryesisht ato të deputetit Erjon Braçe.
Vokshi
E para që është thërritur dhe ka dëshmuar në prokurori për këtë çështje është vetë deputetja Vokshi. Ajo i është përgjigjur interesimit të prokurorëve dhe ka dhënë shpjegime në lidhje me çështjet në fjalë. Ndërkohë prokurorët e çështjen kanë pyetur deputeten Albana Vokshi edhe në lidhje me deklarimet e saj se njeriu që bashkëjeton ka dhënë 100 milionë euro ryshfet për një leje ndërtimi.
Vetë Vokshi ka pohuar se Arjan Tartari i ka dhënë 20% të aksioneve të njërës nga kompanitë e tij, vlera e të cilave shkonë rreth 100 milionë euro, shtetasit Dritan Avllaj. Sipas saj, kjo gjë është bërë në formë ryshfeti për të përfituar një leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës.
Por në lidhje me këtë çështje bashkia ka pohuar se nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në pronën e pretenduar nga deputetja Albana Vokshi. Madje nga ana e bashkisë është bërë një kallëzim penal për deputeten Vokshi duke e akuzuar për shpifje.
Pas Vokshit, në prokurori është ftuar deputeti Erjon Braçe për të dorëzuar dokumentet që ai disponon në lidhje me këto çështje. Mësohet se deputeti Braçe i ka dorëzuar grupit hetimor të gjitha dokumentet që Partia Socialiste disponon në lidhje me deputeten Albana Vokshi, motrën e saj Mimoza si dhe Arian Tartarin.
Përveç dorëzimit të këtyre dokumenteve, mësohet se deputeti Braçe ka dhënë deklarime edhe në lidhje me burimin e këtyre dokumenteve zyrtare dhe dijeninë që ai ka për këto çështje.
Hetimet
Ndërkohë, grupi hetimor konfirmoi për "Shekullin" se hetimet kanë filluar për verifikimin e procedurave të hapjes së tenderit për koncesionet, mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese.
Si dhe hetimin për ndikimin e mundshëm që mund të ketë pasur ish-këshilltarja ekonomike e kryeministrit Sali Berisha tashmë deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, për përzgjedhjen e firmës fituese, ku aksioner figuron të jetë babai i fëmijëve të saj, (bashkëjetuesi) shtetasi Arian Tartari.
Sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të dhënave të disponuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, rezulton se bashkëjetuesi i deputetes shtetasi Arian Tartare dhe kompanitë ku ai është aksioner apo administrator ka përfituar katër nga gjashtë koncesionet për kërkim-shfrytëzimin e vend burimeve të naftës dhe gazit në vend.
Koncesione këto të fituara në kohën që deputetja Vokshi kryente detyrën e këshilltares ekonomike të kryeministrit Sali Berisha dhe më pas si deputete e Kuvendit të Shqipërisë.
Vlera totale e këtyre aksioneve, sipas denoncimeve të PS-së, kapin shifra qindra milionë dollarësh. Gjithashtu rezulton se bashkëjetuesi i deputetes Vokshi është aksionier në pesë shoqëri të ndryshme, shoqëri këto kryesisht të ngritura pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.
Ndërkohë, opozita e ka akuzuar METE-n se i ka dhënë brenda një dite gjashtë kontrata koncesionare kompanisë "Alba Energy Plus" ku administrator është Arian Tartari për ndërtimin e HEC-eve në rrjedhën e lumit Kardhiq duke e favorizuar atë dukshëm në raport me kompanitë e tjera, nisur dhe nga fakti që pjesë e stafit të ministrisë ishte edhe Mimoza Vokshi, motra e Albana Vokshit e cila bashkëjeton me Tartarin.