E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi-Topallit: Elektorati do të dijë ku shkoi vota e tij

TIRANË- "Ne nuk po mundojmë njeri, është elektorati shqiptar ai që do të dijë e të lexojë se ku shkoi vota e tij". Kështu është shprehur Gramoz Ruçi, si reagim ndaj deklaratës së kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, sipas të cilës PS-ja nuk ka pse mundon njeri, pasi mjafton iniciativa e një deputeti për shqyrtimin parlamentar.
Në një intervistë për BBC-në, Gramoz Ruçi nuk e ka konsideruar punë mundimi mbledhjen e firmave në mbështetje të projektligjit për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. "Nuk është thjesht punë mundimi apo mosnjohje, por nisma ka një përmbajtje më të thellë se kush është pronari i kësaj vote. Ne nuk po mundojmë njeri, është elektorati shqiptar ai që do të dijë e të lexojë se ku shkoi vota e tij. Zonja Topalli le të marrë nismën apo të deklarojë që mazhoranca që ajo përfaqëson është e gatshme të bëj transparencën përpara këtyre qytetarëve"- tha ai.
Sa për vendimin për vijim të protestave dhe bojkot të zgjedhjeve sipas Ruçit, kjo vjen pasi qëndrimi i mazhorancës nuk është aspak premtues, por tepër i ngurtë.
Ai ka theksuar më tej se gjithë Shqipëria do të jetë në përshkallëzim të protestave dhe në kërkim të atyre kushteve që opozita shqiptare ka shtruar. "Nëse këto kushte nuk realizohen ne nuk futemi në parlament, sepse kemi 20 vjet që bëjmë zgjedhje, 20 vjet me standarde të parealizuara dhe me shkelje të përsëritura"- tha ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›