Kryesia e PS vendos bojkotin e zgjedhjeve të 15 Nëntorit. Rama: Rruga më e drejtë
TIRANE (UPDATE) - Kreu i PS-së, Edi Rama e ka quajtur rrugën më të drejtë mospjesëmarrjen e socialistëve në zgjedhjet e pjesshme të 15 Nëntorit. Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së kryesisë, ai ka deklaruar se në vitin 2009 ky vend nuk mund të merret peng nga pushteti familjar i ricikluar përmes vjedhjes së votës. Sipas Ramës, vendimi i marrë me shumicë në mbledhjen e kryesisë ishte i natyrshëm, pasi kjo është rruga për të mbrojtur lirinë dhe të drejtën si një liri dhe e drejtë që nuk mund të shkelet dhe të deformohet.
Në nje njoftim te PS, te sapo mberritur ne redaksite e mediave thuhet:
"..Kryesia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, duke vlerësuar se zgjedhjet e 28 qershorit NUK përmbushën standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme për një vend anëtar në NATO dhe aspirant për në BE, duke e konsideruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një vegël politike në shërbim të Sali Berishës, duke nënvizuar faktin e theksuar edhe në raportin e OSBE ODIHR, se për një të tretën e kutive të votimit, procesi i numërimit ka qenë i keq ose shumë i keq, duke mbajtur parasysh shkeljen flagrante të Kodit Zgjedhor, i cili sanksionon rinumërimin e votave në rast të kërkesës së 2 anëtarëve të KQZ, në mungesë të plotë të një reflektimi nga ana e qeverisë ndaj kërkesave legjitime të opozitës dhe popullit opozitar, për të hetuar në mënyrë transparente procesin zgjedhor dhe për të hapur kutitë si një kusht për zbardhjen e së vërtetës së 28 Qershorit:
Shumica e anëtarëve të kryesisë janë të mendimit që PS të MOS marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 15 Nëntor..."
Me tej, në deklaratën e Arta Dades, lidhur me këtë vendim thuhet: "Partia Socialiste e Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të behet pjesë e një tjetër procesi zgjedhor të manipuluar, jashtë standardeve, që shkel ligjin dhe deformon vullnetin e shqiptarëve..."
Ndërkohë mbledhja e kryesisë së PS vazhdon, në këtë mbledhje do të diskutohet edhe axhenda politike e partisë, e cila do jetë mjaft dinamike në periudhën Tetor - Dhjetor 2009.
Po ashtu do të diskutohet mbi organizimin e zgjedhjeve në organizatat socialiste, dhe ngritja e grupeve të punës për përmirësime statutore. Një pikë tjetër e mbledhjes së kryesisë së PS është dhe riorganizimin e organizatave socialiste në emigracion
**************
TIRANË- Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë, e cila ka në axhendë vendimin për pjesëmarrjen ose jo të PS-së në zgjedhjet e pjesshme të 15 Nentorit. Ndonëse për këtë vetë lideri i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se pjesëmarrja do të ishte e pakuptimtë, si një zgjatim i procesit të kontestuar të 28 qershorit, ky vendim do të merret sot nga Asambleja.
Mësohet se tjetër pikë e diskutimit gjatë mbledhjes do të jetë edhe thirrja e Asamblesë Kombëtare, si organizimi më i lartë vendimmarrës për të miratuar vendimin e kryesisë.
Paraditen e sotme, kreu i PS-së u shpreh i gatshëm për të kontribuar për procesin e integrimit të vendit, duke bërë të ditur se "PS është e gatshme të hyjë në parlament me ngritjen e komisionit hetimor për zbardhjen e zgjedhjeve". Ai shtoi se protestat nuk do të përfundojnë dhe sipas agjendës të premten është protesta e Beratit.
"Ne jemi të gatshëm të japim ndihmën tonë në integrimin e vendit, por transparenca e zgjedhjeve është receta e vetme për të ndalur degradimin e pushtetit", tha Rama. Ndërsa shtoi se "mbajtja peng e kutive thellon krizën e trefishtë dhe rrit dëmin politik dhe ekonomik të vendit.
PS po vazhdon mbledhjen e firmave dhe deri tani njoftoi Rama janë bërë afro 50 mijë persona që kërkojnë hapjen e kutive. Ai u shpreh se "nuk zmbrapsemi dhe nuk lodhemi. Apeli ynë për Sali Berishën është të vërë interesin e vendit mbi interesin e pushtetit familjar dhe transparenca e zgjedhjeve është domosdoshmëri për një parlament legjitim".