E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi-Topallit: Keni kapur drejtësinë, s`ka bashkëpunim

Kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ka akuzuar mazhorancën se po bën presion ndaj sistemit gjyqësor. Ndërsa ka folur në seancën plenare, Ruçi theksoi opozita nuk do të japë kontributin e saj nëse vazhdohet të mos merren parasysh vendimet e gjykatave.
 

"Në qarkun e Fierit janë një numër i madh vendimesh të gjykatës së shkallës së parë dhe të shkallës së dytë të cilat nuk zbatohen si pasojë e ndërhyrjes politike të mazhorancës dhe në vazhdim të kësaj mbrëmë në Tepelenë është rrahur në mënyrë barbare dhe ndodhet në spital drejtori i ujësjellësit. Nëse nuk zbatohen vendimet e gjykatave dhe nëse ju do të vazhdoni të kapni sistemin e drejtësisë mos kërkoni bashkëpunimin tonë. Nëse shumica do të vijojë të dhunojë opozitën dhe të mos zbatojë vendimet e gjykatave atëherë harrojeni bashkëpunimin e opozitës për reformën në sistemin e drejtësisë” theksoi Ruçi.

I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli e cila është shprehur se opozita duhet të japë konsensusin në interes të shqiptarëve. “Ligjet i shërbejnë drejtësisë, janë detyrimi ndaj qytetarëve, jo ndaj mazhorancës. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformë dhe ne do të vazhdojmë me reformat. Edhe puna jonë është që të votojmë ligjin për Gjykatën e Lartë. Unë ju ftoj të ecim përpara me reformën në drejtësi.Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë, keni detyrime ndaj shqiptarëve”, theksoi Topalli.
 

Kuvendi voton sot heqjen e imunitetit

Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Partia Socialiste vendosi një ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të votojë amendimin e kushtetutës, pavarësisht rrëzimit të paketës së saj për reformën në drejtësi.

Në seancën e sotme, socialistët do të bashkojnë votat me mazhorancën për të plotësuar një nga kriteret e BE në prag të përgjigjes për marrjen e statusit të kandidatit.

Në axhendën e Parlamentit përveç heqjes së imunitetit është përfshirë edhe diskutimi e më pas votimi në fund të seancës i ndryshimeve Kushtetutese të propozuara nga Partia Socialiste. Partia Demokratike ka paralajmërmuar që në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit votën kundër amendimeve të socialistëve.

Ndërkohë Konferenca e Kryetarëve ka futur në kalendarin e punimeve të ditës së sotme edhe projekligjin e Gjykatës së Lartë që kërkon shumicë të cilësuar, votimi i të cilit u shty pasi Patia Socialiste kërkonte më parë diskutimin e propozimeve të saj për reformën në drejtësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›