E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi koordinon aksionin diplomatik në Bruksel

Opozita Rama pret përfaqësuesit e sindikatave. Ngjela: Dëmshpërblimi im, në dispozicion të protestave

Pjesëtarët socialistë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, kanë zhvilluar dje një mbledhje paraprake me karakter organizativ lidhur me takimin e 3 – 4 majit në Bruksel. E drejtuar nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, takimi ka konsistuar në një ndarje pune mes anëtarëve socialistë për një takim kalendarik që ka të bëjë me integrimin. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ai prezanton dhe jep vlerësime për situatën në Shqipëri duke u konceptuar në një ndarje pre 6 tematikash si; situata politike, ekonomike, liberalizimi i vizave, zgjedhjet, liria e mediave dhe të drejtat e njeriut. Për të gjitha këto çështje PS do të japë një qëndrim të vetin, krahas gjykimeve të pjesëtarëve të djathtë në përfaqësinë shqiptare. I vendosur në kontekstin e debateve të tanishme është i pritshëm që qëndrimi socialist të jetë kritik sidomos për situatën politike, ekonomike dhe zgjedhjet. është vetë kauza e PS ajo që legjitimon të drejtën e saj për të vendosur në tryezë një të vërtetë politike, të cilën ajo e mbron me forcë. Sakaq, vendimi i qeverisë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë është perceptuar si demagogji nga ana e një prej pjesëtarëve të njohur të kësaj kategorie, Spartak Ngjela. Ai është shprehur se përfitimi financiar që vjen prej kësaj mase është vetëm një zbatim ligjor, i munguar deri më tani. Por një aspekt shumë domethënës është deklarimi i ish-deputetit demokrat lidhur me përdorimin e shifrës prej 10 milionë lekësh(të reja) që ai përfiton me këtë vendim të qeverisë. “Lekët që unë përfitoj, pra 10 milionë, do t’ia dhuroj, do t’ia vë në dispozicion protestës. Të gjithë shumën do e jap për protestat që kanë nisur për rrëzimin e tiranisë në Shqipëri”, deklaroi për “Shqip”, Ngjela. Një donacion i papritur edhe financiar, por edhe moral që i adresohet një aksioni të nisur nga opozita socialiste. Edhe pse në pamje të parë paradoksale, angazhimi i ish të përndjekurve në krah të një partie të majtë që gjerësisht etiketohet si trashëgimtare e Partisë së Punës, është një reagim që pasqyron jo vetëm aktualitetin politik, por edhe zhgënjimin 20-vjeçar të kësaj shtrese. Madje, sipas Ngjelës edhe dëmshpërblimi i tanishëm i ndërmarrë nga qeveria “Berisha” është më shumë një reagim ndaj ndryshimeve programore të PS, e cila përfshiu si pjesë të axhendës së saj politike edhe vëmendjen ndaj një shtrese që deri më tani konsiderohej si bërthamë mbështetëse e të djathtës zyrtare. Simbolikisht, angazhimi i selisë rozë në këtë drejtim ka shumë rëndësi, aq më shumë që gjasat janë që shoqata e ish të përndjekurve mund të përfshihet në protestën e 30 prillit. Një takim i djeshëm i përfaqësisë së kësaj kategorie së bashku me drejtuesin e sindikatave të pavarura, me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, në selinë e saj, ka zhvlerësuar moralisht vendimin e qeverisë “Berisha”. “Jemi këtu bashkë me përfaqësues të të përndjekurve politikë për datën 20 shkurt, për të përshkruar realitetin historik të kësaj date, sepse nuk jemi dakord me ligjin që ka miratuar Parlamenti shqiptar në të cilat përjashtohet kontributi i bashkimit të sindikatave të pavarura, dhe forcave të tjera dhe popullit të Tiranës, se data 20 shkurt është data historike që ndan Shqipërinë nga e kaluara komuniste, rrëzimi i diktatorit”, deklaroi pas takimit Gëzim Kalaja, presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›