Obama gati të mbrojë ligjin për reformën e sistemit financiar
Presidenti amerikan, Obama, do të luftojë për një sistem më të rreptë të rregullatorëve financiarë ndaj bankave të mëdha. Ky është thelbi i një fjalimi që ai do të mbajë në Nju Jork. Ai do të paralajmërojë që nëse mësimet e krizës financiare nuk do të mësohen “ne jemi të destinuar që t’i përsërisim ato”
Ai do t’u thotë bankierëve se është në interesin e tyre që të kenë një sistem të ri rregullator dhe të mos bëjnë përpjekje për ta ndaluar një gjë të tillë.
Obama do të mbajë fjalimin e tij në një kolegj të Nju Jorkut ku si kandidat presidencial në vitin 2008 ai paralajmëroi se dështimi i sistemit rregullator dhe mbikëqyrës e çoi tregun në një çrregullim të madh dhe ndaloi rritjen ekonomike”.
Në vitin 2008 më pas sistemi financiar u përfshi i gjithi nga një krizë shumë e rëndë pas rënies së bankës gjigante “Lehman Brothers” që tronditi të gjithë sistemin bankar dhe financiar në të gjithë botën. Ne fjalimin e tij, Obama do të thotë: “është thelbësore që të mësojmë mësimet e kësaj krize dhe të mos gabojmë më në të njëjtën mënyrë. Kjo është thelbësore për momentin që po kalojmë për mua dhe për të gjithë popullin amerikan”.
Një projektligj që propozon një sistem rregullator shumë më të rreptë pritet që të debatohet në Senatin amerikan javës së ardhshme. Ligji është aprovuar në Kongres në dhjetorin që shkoi dhe ai parashikon rregulla që do të përfshijnë një organ të ri mbikëqyrës. Ai parashikon edhe krijimin e një organizmi me 9 anëtarë që do të ketë shumë pushtet dhe fuqi për kompanitë e mëdha dhe do të marrë edhe masa ndaj tyre nëse do të dalë që veprimtaria e tyre mund të shkaktojë probleme për të gjithë sistemin bankar apo financiar. Ndërkohë, një pjesë e republikanëve janë kundër këtij ligji dhe për këtë kanë paraqitur shumë argumente. Për ta ai është një ligj shumë burokratik dhe ata kërkojnë që pjesë të tijat të ndryshohen. Për miratimin e ligjit, Obamës i duhen në Senat një shumicë 59-41, por aktualisht Obamës i mungon një demokrat për këtë shifër.
#