E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e Librit në Tiranë

Programi çmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo”

Dita Botërore e Librit festohet edhe në Tiranë. Ndiqen edhe te gjurmët e vendeve të tjera dhe përpos aktiviteteve “në bashkëpunim me...”, sot më 23 prill do të jepet çmimi i bibliofilisë “Lumo Skëndo”, i cili jepet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve prej katër vitesh tashmë. Do të jetë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, ai që do të dorëzojë çmimin prej 500 mijë lekësh tek ai që do ta meritojë për cilësitë më të mira të botimit të një vepre. Vitin që shkoi u vlerësua me këtë çmim shtëpia botuese "çabej", për botimin e vëllimit "Sonete" të Eqrem çabejt.

Ekspozitë retrospektive e Ismail Mal’Osmani

Paraditen e sotme, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare do të zhvillohet me rastin e 23 prillit ceremonia e përkujtimit të botuesit Ismail Mal'Osmanit. Gjatë kësaj veprimtarie do të prezantohet botimi "Ismail Mal'Osmani - Njeriu i Librit", nga shkrimtari Spiro Mëhilli, si dhe do të përurohet ekspozita retrospektive e botuesit.

“Letërsia dhe integrimi”

Bashkëpunimi me Italinë, në kuadër të veprimtarive “Itali-Shqipëri. Dy popuj, një det, një miqësi”, nuk do të mungojë as sot, në Ditën Botërore të Librit. Sot do të organizohen disa takime mbi letërsinë italiane dhe mbi autorët shqiptarë që kanë zgjedhur italishten si gjuhë të krijimit. Tema e aktivitetit të parë, “Letërsia dhe integrimi”, me shkrimtarët italianë, do të zhvillohet paradite, në Departamentin e Letërsisë. Ndërsa një takim tjetër mbi letërsinë shqipe do të jetë në sallën e Galerisë së Arteve, në të cilin do jenë të pranishëm shkrimtarët shqiptarë. Pasditen e datës 23 prill do të zhvillohet edhe një tjetër takim mbi gazetarinë, titulluar “Viti 2010, informacioni në kohën e krizës”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›