Ruçi uron Oshiman: Marrëdhëniet Shqipëri – Japoni, mundësi të reja bashkëpunimi

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë Tadamori Oshima, me rastin e Festës Kombëtare. “Kremtimi i kësaj date të shënuar të themelimit dhe historisë së kombit japonez është një rast për të ridëshmuar dashurinë dhe përkushtimin për kombin dhe të ardhmen e tij” shkruan zot Ruçi.
Kreu i parlamentit shqiptar vlerëson se “Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Japonisë janë shumë të mira dhe dhe vitin që vjen marrëdhëniet tona dypalëshe mbushin një shekull”. “Gjej rastin të shpreh mirënjohjen për ndihmën e dhënë gjatë këtyre viteve nga Japonia, e cila është një nga vendet donatore më të rëndësishëm për Shqipërinë, duke dhënë rreth 400 milion USD mbështetje financiare në formë grantesh, asistencë për bashkëpunim ekonomik, kredi të buta në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, mjedis, energjetikë etj. 15 marrëveshje janë nënshkruar mes dy vendeve, ndërkohë që disa të tjera janë në proces” shkruan zoti Ruçi.
Kreu i parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi vlerëson rritjen e interesit gjeopolitik të Japonisë për rajonin, nëpërmjet Iniciativës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, e cila sipas tij krijon mundësi të reja bashkëpunimi me Shqipërinë dhe vendet e rajonit.