E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rudi, shqiptari që do mbrojë Londrën

Rudi Babalia, ndryshe nga shumë
bashkëmoshatarë të tij të rendur
pas botës së madhe të elektronikës,
fushë në të cilën preferohet për t‘u studiuar,
ka zgjedhur rrugën drejt një profesioni
sa të bukur, po aq edhe të vështirë.
Ai është një kadet në një shkollë policie
në Londër. Është e kuptueshme. Për
18-vjeçarin Babalia, e ardhmja që ka përpara
do të jetë e lidhur me profesionin e
oficerit të policisë, për të cilin çdo njëri nga
ne, kur ka qenë i vogël, e ka çuar në mendje
edhe për njëherë të vetme, duke pohuar:
"Unë do të bëhem polic". E ndërsa
profesionet tona tani janë nga më të ndryshmet,
larg të qenit njeri që zbaton ligjin,
për këtë djalë shqiptar duket se shkollimi
drejt të diplomuarit si oficer police, më
shumë se dëshirë, është pasion. Kjo nuk
është aspak e vështirë për ta kuptuar, pasi
djali i gjatë shqiptar që ka filluar të burrërohet,
flet me pasion për shkollën, idetë
që ka kur të diplomohet dhe karrierën
drejt një oficeri të rangut të lartë në radhët
e policisë britanike.
Është pasditja e një dite me shi në
Londër, pavarësisht se kalendari tregon
fillimin e muajit maj, që presupozon
fillimin e verës. Rudi ka pak që ka ardhur
nga palestra, bashkë me të motrën, Julian.
Gjatë bisedës, shpesh ai mbërthen me
dorë muskulin e krahut.
"Më është dashur të ngre shumë kilogramë,
për të kompensuar mosshkuarjen
në palestër një ditë më parë", tregon ai.
Teksa qëndron ulur mbi një kolltuk
ngjyrë kafe, në shtëpinë ku banon me
prindërit, në lagjen
"Angel", gjatë bisedës
me ne hedh sytë
vjedhurazi nga televizori
ku po ritransmetohet
finalja "Top
Fest".
Shpeshherë janë
prindërit ata që vendosin
apo janë shtytës
për fëmijët e
tyre që të studiojnë
në ato degë që ata
mendojnë se do të
shkëlqejnë.
Me Rudi Babalinë
nuk ka ndodhur
kështu, paçka se babai
dikur ka punuar si
shofer policie.
Por si lindi ideja që
ai të niste studimet në
shkollën "Islington
Police Cadets" në
2005-ën? Marrim një
përgjigje të cilën nëse
do ta dëgjonte një
oficer i lartë i policisë
angleze, pse jo ndonjë
politikan që bërtet
për rrezikun e emigrantëve,
e do të ndihej
i lumtur.
"Doja të bëja diçka
për këtë shtet, i cili,
kur unë erdha këtu,
më dha gjithçka. U edukova, pata kujdesin
e tyre dhe më dha shumë mundësi për
t‘u integruar në jetën britanike. Nuk është
një dëshirë e lindur nga ndonjë film
policor në televizion, nga ku mund të
kem marrë frymëzimin. Është thjesht një
dëshirë që kam në zemër për të kontribuar
në këtë shoqëri ku unë u rrita, pasi
kur kam ardhur në Angli isha vetëm 6
vjeç". Kështu e nis rrëfimin shqiptari që
synon të kapë majat e policisë angleze.
Që në ditën e parë kur këmba i shkeli
në këtë akademi policore, pedagogët që
e intervistuan u ndeshën me vendosshmërinë
e këtij shqiptari, plot energji për
të shërbyer në komunitet, përfshi pasionin
që një ditë të vishte uniformën e policit.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ata
do ta pranonin në shkollë Rudin, duke u
bërë kështu shqiptari i parë që frekuenton
një akademi të tillë.
Duke folur ngadalë, me një shqipe të
pastër, ai na tregon se falë pasionit dhe
vullnetit për të arritur objektivin që i ka
vënë vetes, shkolla nuk i është dukur e
vështirë.
Rudi tregon se pjesa më e madhe e leksioneve
ka të bëjë me ligjet, botën e
krimit dhe në veçanti punën parandaluese
me krimet, përfshi anët teknike të
komunikimit, për të cilat ai nuk flet
shumë, pasi përbëjnë sekret.
Në këtë akademi Rudi thotë se janë
shumë pak të huaj, madje ka nga ato raste kur edhe studentët britanikë e nisin
shkollën, por largohen, pasi e shikojnë që
është e vështirë.
Kadeti shqiptar ndihet i barabartë mes
studentëve të tjerë britanikë. Madje ai
shton se ata e respektojnë jashtëzakonisht
shumë, kur marrin vesh se ai është shqiptar
dhe kërkon që me punë e tij të kontribuojë
në shoqërinë britanike.
"Ata janë të lumtur kur mësojnë që nuk
jam me origjinë shqiptare dhe po studioj
t‘u bashkohem atyre në luftën kundra
krimit, për ta bërë vendin e tyre të sigurt.
Do të shtoja se ata janë të interesuar të
bashkëbisedojnë me studentët jobritanikë
për të mësuar gjuhët tona. Është një
avantazh i madh për një oficer policie të
dijë sa më shumë gjuhë të huaja. Kështu
që miqtë e mi në këtë akademi kanë filluar
të mësojnë disa fjalë shqip dhe u
pëlqen kjo gjuhë", tregon kadeti Babalia.
Por jo gjithçka shkon vaj, sikur do të
dëshironin të gjithë pedagogët e kësaj
akademie, përfshi Rudin, i cili sqaron se
pjesa më e vështirë është kur vjen puna
për konkurse të vazhdueshme në këtë
shkollë.
"Deri më tani pjesa më e vështirë është
kur në grupet që ne konkurrojnë janë
persona jo në të njëjtën përgatitje që ti
ke. Është punë grupi, në të cilin, nëse
dikush nuk është i përgatitur, na prish
punë të gjithëve", pohon ai.
Ambiciet e Rudit në përfundim të shkollës
shkojnë larg. Ai tregon se me përfundimin
e studimeve do t‘i duhet të
punojë për dy vjen nën supervizion dhe
pastaj mund të aplikojë për një pozicion
më të lartë se ai i PC (Police Constable),
oficer i thjeshtë policie.
Tashmë ai e ka të projektuar në mendje
se ku ka dëshirë të punojë me mbarimin
e shkollës.
"Më pëlqen të jem në shërbim të
qytetarëve në rrugë. Por pas përfundimit
të dy viteve punë nën supervizion, kam
dëshirë të shkoj për departamentin e hetimeve
të krimeve CID (Crime Investigation
Department), ku sfidat janë akoma
më të mëdha dhe puna merr dimensione
ndryshe nga ato të një polici të thjeshtë
në detyrë".
I drejtojmë një pyetje disi të vështirë,
kur e pyesim nëse ai kur të jetë në CID
dhe t‘i bëhet një ofertë për të punuar ekskluzivisht
në hetimin e krimit shqiptar
në Angli, a do ta pranonte një ofertë të
tillë.
Rudi jep këtë përgjigje.
"Është një diçka e mirë, por po ashtu
edhe e keqe, pasi i bie të merresh me
njerëz të komunitetit tënd, të cilët mund
të thonë t‘i po na heton apo arreston ne,
ndërkohë që je shqiptarë si puna jonë.
Megjithatë, mendoj se do të jetë një diçka
e bukur të punosh me komunitetin shqiptar
në Angli, t‘i kuptosh problemet e
tyre dhe të tregosh që rruga e krimit është
rrugë e gabuar. Pra ka dy anë të medaljes.
Njëra anë të kuptuarit e problemeve
që ata kanë dhe tjetra se ata mund të
thonë: Pse më arrestoni, unë jam nga
vendi juaj. Këtu mendoj se do ta kem
problem dhe mund të më vijë keq për ata.
Kështu mendoj të mos punoj në një departament
policie që merret vetëm me
shqiptarët".
Biseda jonë sa vjen e bëhet akoma më
interesante nga përgjigjet që jep i riu shqiptar,
i cili padyshim do të jetë talenti i
ardhshëm i policisë britanike.
Cilido që e njeh, e përkrah në atë që ai
ka zgjedhur të bëjë, paçka se ndonjëri me
shaka i thotë "Mr. Copper" ("zoti polic").
Kjo nuk i bën përshtypje, pasi mbi të
gjitha ai po bën diçka që e ka përzemër
dhe ka marrë bekimin e prindërve që janë
tejet të lumtur për rrugën që ka zgjedhur
djali i tyre.
Nuk do të kishte kuptim kjo intervistë
nëse në një moment të saj nuk do të
ndaleshim në problemet që kanë të rinjtë
shqiptarë në Britani, pasi shumë prej
tyre janë përfshirë në krime, madje tashmë
dergjen në burgjet britanike.
Kadet Babalia është i mirinformuar
për bashkëmoshatarët e tij që kanë
zgjedhur rrugën e krimit dhe jo atë të shkollimit.
Sipas tij, arsyet janë komplekse, se
përse ata tashmë kanë zgjedhur të militojnë
në botën e egër e të frikshme,
mbushur me viktima të krimit.
"Shumë prej tyre kanë ardhur këtu pa
familje. Ata jetojnë të vetmuar. Kështu,
ata në vend që të këshillohen, të bëjnë
gjëra të mira, bëjnë të kundërtën. Pra,
problemi më i madh që ata kanë është se
nuk kanë dikë që t‘i drejtojë në rrugën e
duhur. Ata nuk influencohen nga grupet
e djemve me ngjyrë, por kërkojnë të krijojnë
grupe më të mëdha se ata. Të rinjtë
shqiptarë kanë krijuar grupe gangsterësh.
Kështu, unë di se në zona të
ndryshme, këto grupe ekzistojnë, si për
shembull grupi OTR, apo grupe të tjera
në Barking apo Wood Green. Ky është një
problem serioz, pasi nëse ata kërkojnë të
duken si grupe më të fuqishme se të
tjerët, do të përfshihen në krime të rënda,
përfshi vrasjet. Kjo bën që emri i shqiptarëve,
sa herë që përmendet, të ketë
një nam të keq, si të rrezikshëm dhe shton
akoma më shumë urrejtjen mes tyre
dhe grupeve të tjera. Një situatë e tillë
shkon deri në vrasje", sqaron Rudi Babalia.
A ka një zgjidhje për një situatë të tillë?
Sipas tij, po. Ashpërsimi i ligjit. "Kjo do t‘i
parandalojë shumë krimet dhe jo si tani,
kur gjykatat japin dënime të lehta",
përgjigjet ai prerë.
Nga e gjithë biseda me kadetin shqiptar
të policisë britanike, një gjë është
më se e qartë. Vendosmëria që ky i ri ka,
përfshi pasionin, për t‘ju bashkuar policë
britanike. Mos t‘ju duket aspak çudi, kur
pas disa vitesh të shikoni në faqet e
gazetave apo ekranet e televizorëve, oficerin
e suksesshëm të Scotland Yard, shqiptarin
Babalia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›