Madhi: Do të ankohemi në Gjykatën Kushtetuese për legalizimet
Legalizimet revoltojnë republikanët. Partia Republikane do t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, nëse Kuvendi rivoton ndryshimet në ligjin për legalizimin e zonave informale, pa bërë më parë ndryshimet e nevojshme. Ky ishte ultimatumi i bërë dje nga kreu i grupit kuvendor të Partisë Republikane, Arjan Madhi. Madhi, gjatë një prononcimi për mediat, deklaroi se "ne do të jemi konsekuentë në qëndrimin tonë dhe nëse nuk do të reflektohet mbi çështjet që lidhen me parimet dhe me standardet kushtetuese sigurisht rrugët tona janë të hapura dhe do t‘i drejtohemi më tej Gjykatës Kushtetuese, e cila le të shprehet përfundimisht për pretendimet tona". Deklarata e republikanit Madhi vjen katër ditë pasi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje". "Nëse ka vullnet mazhoranca të hartojë një projekt ndryshimesh, që të jetë në përputhje të plotë me ligjin që aktualisht është në fuqi, ne nuk kemi asnjë kundërshtim dhe rezervë", tha deputeti Madhi, ndërsa nënvizoi se ligji në fuqi ka parashikuar afate dhe procedura. Partia Republikane e kundërshton këtë ligj tashmë të amenduar, sepse, sipas përfaqësuesve të saj, ai nuk përcakton drejt rolin dhe rimbursimin e pronarëve të ligjshëm.