Rugova, i turpëruar me nismën për rritje pagash

Deputetit i LDD-së, Naser Rugova, tha sot se ndihet i turpëruar nga nisma për rritjen e pagave të deputetëve të Kuvendit. Në një deklaratë për media, Rugova theksoi se në rrethanat aktuale tejet të rëndë ekonomike dhe sociale në të cilën gjendet populli i Kosovës, më i varfri në Evropë, nisma e deputetëve për rritjen e pagave për vete është krejtësisht pa vend.
“Duke pasur parasysh varfërinë e skajshme të një pjesë të popullatës; mungesën e shtesave të fëmijëve për familje; mungesën e sigurimeve shëndetësore, pensionet dhe ndihmat qesharake të vogla; pagat tejet të vogla në shërbimet tona publike (shëndetësi, arsim, administratë publike qendrore dhe komunale, polici...etj) jam kategorikisht kundër çfarëdo rritjeje të pagave të deputetëve”, tha ky deputet.
“Ky propozim është turp”, u shpreh ai. “Ata të cilët e kanë propozuar këtë ide, duhet që të skuqen nga turpi para krejt qytetarëve të Kosovës, e duhet që të kërkojnë falje publike para fëmijëve më të varfër në kontinentin e Evropës, të cilët ende nuk janë duke e shijuar si duhet lirinë e fituar 10-vjeçare të Kosovës”.
Ai paralajmëroi se do të votojë kundër këtij propozimi të paarsyeshëm dhe të paligjshëm, kur ai të paraqitet në Parlament.