E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rugovizmi, matrica për një të djathtë në Kosovë

Skena politike/partiake e Kosovës megjithëse me një numër të madh të partive politike e organizimeve të tjera qytetare politike, ende mbetet e paorganizuar/e padefinuar në kontekstin e kategorizimit/klasifikimit orientimor ideologjik(në kuptimin e ideologjive politike). Ky mosdefinim i orientimit ideologjik vjen si pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme në të cilat janë formuar partitë politike shqiptare të Kosovës, çka ka bërë që raporti i tyre me pushtetin, aty ku ndodh profilizimi ideologjik mbi bazën e realizimit të politikave, të mos jetë i zakonshëm dhe normal. Arsye tjetër e mosprofilizimit ideologjik të partive në Kosovë është mosgatishmëria e disa partive për të deklaruar pozicionin real ideologjik/politik që ato mbrojnë.
Megjithatë, ekzistojnë disa elemente/protoelemente të partive politike dhe liderëve partiak/politik të Kosovës, të shpërfaqura në të kaluarën dhe sot, të cilat pak a shumë mund të përcaktojnë ose kanë përcktuar pozicionimin/orientimin e tyre ideologjik sot dhe në të ardhmen. Përveç çështjeve tipike siç janë liria, demokracia, ekonomia, socialja, nacionalja e internacionalja, qëndrimi ndaj të cilave e përcakton në vija të trasha edhe orientimin djathtist, majtist apo centrist të partive, në Kosovë rol në profilozimin e partive politike luan edhe afiniteti bashkëpunues i këtyre partive me partitë e profilizuara politike  nga vendet e tjera dhe në këtë aspekt shquhet bashkpunimi në mes partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë.
Kuptimi i identitetit ideologjik të partive politike të Kosovës është i lidhur pashmangësisht me kuptimin e veprimit historik të këtyre partive në raport me çështjen e Kosovës dhe çështjen shqipare. Kuptimi i këtij veprimi historik e politik nënkuton qasjen/metodën që këto parti politike kanë zgjedhur për të përcaktuar, kuptuar dhe realizuar interesin nacional të popullit të Kosovës. Në këtë moment të venerimit dhe analizimit të këtij veprimi, është e domosdoshme të specifikohen rrethanat në të cilat u ndërmorën këto veprime politike, të cilat sot mund të jenë përcaktuese të vijëzmimit potencial ideologjik të partive politike në Kosovë. Në këtë kontekst veprimtaria politike e partive dhe grupacioneve politike shqiptare të Kosovës në raport me aspiratat dhe interesat e popullit, duhet ndarë në tri periudha të cilat e përbëjnë tranzicionin politik e historik të Kosovës, që kur ajo filloi luftën e saj për liri, pavarësi dhe demokraci. Ky tranzicion i cili po vazhdon ende, përbën periudhën e transformimeve të mëdha konceptuale, ideologjike e politike të shqiptarëve të Kosovës dhe ka synuar të çojë kah krijimi i shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, me identitet të qartë nacional,  evropian dhe proamerikan.
Proto-shteti është faza e parë e këtij tranzicioni dhe fillesën e tij e ka në vitin 1989, për të vazhduar gjatë gjithë viteve ’90 e deri në momentin e instalimit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Padyshim që Lidhja Demokratike e Kosovës si lëvizje/parti politike nacionale dhe demokratike, paraqet protagonisten politike të proceseve edhe tranzicionale në këtë periudhë (e edhe në periudhat e më vonshme). E udhëhequr nga elita kulturore dhe intelektuale e Kosovës në atë periudhë, LDK paraqitet si lëvizje popullore, nacionale dhe tradicionale shqiptare, për faktin se udhëhiqet nga elita dhe ka mbështetje popullore masive. Një lëvizje e tillë e udhëhequr nga njerëzit e dijes dhe e mbështetur nga masa, te shqiptarët e hasim vetëm në periudhën e Rilindjes Kombëtare (si edhe në lëvizjen demokratike për shembjen e sistemit komunist në Shqipëri në vitet ’90).
Gjithashtu, LDK duke synuar krijimin e shtetit shqiptar të Kosovës dhe orientimin demokratik e perendimor të saj, ka trashëguar dhe konsoliduar elementet tipike të partive nacionale djathtiste evropiane. Rol të pa-përsëritshëm në dhënien e këtij identiteti nacional/demokratik e modern/përendimor ka prijësi historik i LDK-së dhe Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova. E tërë veprimtaria politike e LDK-së e udhëhequr nga Ibrahim Rugova (deri në janar 2006), sëbashku me konceptet filozofike/politike të Rugovës mbi çështjen shqiptare/çështjen e Kosovës, përbën Rugovizmin si filozofi politike, që në kontekstin orientimor ideologjik nënkupton djathtizmin në Kosovë. Kultivimi i identitetit nacional shqiptar të Kosovës, hulumtimi dhe promovimi i rrënjëve ilire/dardane përmes rikthkimit te traditat e lashta (si Darka e Lamës), kultivimi i vlerave të përbashkëta qytetrimore evropiane, synimi për liri e pavarësi pa i cenuar të tjerët, ndërtimi i shtetit demokratik e ligjor, integrimi në strukturat politike e ekonomike evropiane, si dhe kultivimi i marrëdhënieve të gjithanshme miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përbëjnë Rugovizmin e aplikuar politik. Ndërsa, sot pretenduese të vazhdueshmërise së rugovizmit si djathtizëm konsiderohen Lidhja Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe në një masë (ndoshta për qëllime elektorale) Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Gjithashtu, duhet theksuar që këto parti, e veçanërishtë LDK, shquhen për lidhshmëri dhe bashkëpunim me Partinë Demokratike të Shqipërisë edhe si pjesë e asociacionit të Partive Popullore Evropiane.
Protekt-shteti (protektorati mbi Kosovën) është faza e dytë e zhvillimeve tranzicionale në Kosovë, duke filluar që me instalimin e administratës së OKB-së e deri në momentin e shpalljes së pavarësisë. Në kontekst të zhvillimeve partiake, në këtë periudhë rritet numri i partive reale dhe legale në Kosovë, të cilat kryesisht formohen nga ish-eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më kryesoret janë Partia Demokratike e Kosovës dhe AAK. Ekziston opinioni i përgjithshëm se, PDK si partia më e madhe opozitare deri në nëntor 2007 (tash partia e parë në Kosovë), ka elemente që e identifikojnë atë si potencialisht politikisht të majtë. Simpatia ndaj Enver Hoxhës nga ana e një pjese të zyrtarëve të lartë të kësaj partie (kryesisht ish-eksponentë të grupeve marksiste-leniniste), raportet e ngushta  me Partinë Socialiste të Shqipërisë, si dhe debutimi i kësaj partie në Internacionalen Socialise, përbëjnë disa proto-elemente që kanë ndikur në klasifikimin potencial të PDK-së si parti  majtiste. Megjithatë, kohëve të fundit është vërejtur tendenca nga ana e disa zytarëve të kësaj partie që të shprehen se PDK është parti e djathtë, madje më e djathta në Kosovë. Kjo tendencë e PDK-së për të fshehur apo ndryshuar profilin e saj ideologjik/politik, vie si pasojë e faktit që në Kosovë një parti me identitet të deklaruar majtist nuk do të arrinte të fitonte zgjedhje dhe një parti me pretendime për të qenë parti e verifikuar si e madhe, duhet t’i arrijë përmasat elektorale/popullore të LDK-së së Rugovës.
Supervise-shteti (shteti i mbikëqyrur) si faza e fundit e tranzicionit politik në Kosovë, do të jetë thelbësore në krijimin e profilit të qëndrueshëm ideologjik/politik të partive politike kosovare. Kjo është periudha kur partitë do të kenë rastin që në rrethana normale të deklarojnë programet politike/qeverisëse dhe mbi bazën e realizimit të këtyre programeve politike në qeverisje, të krijojnë dhe konstatojnë identitetin e tyre të fshehur, të munguar apo të formësuar tashmë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›