Opozita e bllofeve dhe e shkeljes së privacy-së, një shtet paralel që po kërcënon shoqërinë shqiptare
Në mëngjesin e para dy ditëve, dy gazeta të Tiranës, "Shekulli" dhe "Tema", si dhe televizionet e komanduara nga Edi Rama, botuan dhe anonçuan e-mailet e vajzës së kryeministrit Berisha, me të cilët ajo komunikonte me partnerët e saj në biznes. Ndërkaq nja dy orë më pas selia e Edi Ramës u shpreh përmes altoparlantit Erion Braçe, se "Kryeministria është një godinë aferash". Shpejtësia me të cilën vepruan media e PS-së në Tiranë dhe godina e saj nuk kanë lënë asnjë dyshim për lidhjen dhe bashkëpunimin midis "zbulimit sensacional" dhe përfshirjes së vetë opozitës shqiptare. Nuk ka më asnjë dyshim se skenari është shkruar në zyrat e PS-së ose të Bashkisë së Tiranës. Kjo është për këdo një dëshmi tjetër se shtypi në Shqipëri mbetet një mercenar i politikës dhe se politika ushtron ndikim të drejtpërdrejtë mbi të. Ndërkohë që kjo pjesë e medias dhe politikës që quhet "opozitë" ankohet në pafundësi për të ashtuquajturën dhunë kundër shtypit "të lirë" nga ana e qeverisë.
Në konceptin shqiptar, nga viti 1991 e këtej, shtyp i lirë quhet vetëm shtypi kundër Sali Berishës. Shtypi "është i lirë" vetëm nëse ai keqpërdoret nga pjesa tjetër e politikës që fillon te Edi Rama e përfundon te Aleksandër Meksi, edhe pse mercenarizohet herë vullnetarisht e herë i paguar, pra, vetëm nëse shërben si mjet propagande kundër qeverisë së demokratëve. Shtypi "është i lirë", vetëm kur shpif, kur fantazon dhe shpërfytyron realitetin shqiptar për inat të kryeministrit.
Por nuk do të doja të ndalesha në këtë aspekt të pjesës më të keqe të asaj panorame, e cila i jep pamje trishtuese vendit tonë. Një qasje tjetër është akoma më për keqardhje. Në E-Mailet e Argita Malltezit lexuesi nuk mund të gjejë asgjë kundër ligjit dhe kundër rendit demokratik. Nëse do të kishte diçka të tillë, prokurorja shqiptare mezi do të priste të hapte një proces të ri hetimi. Nuk do të kishte pritur më shumë se dy orë nga koha e konferencës së shtypit të Erion Braçes. Por as kjo pamje nuk më ka impresionuar, sepse propaganda anti Berishë është sofistikuar më tej nga Frrok Çupë e Kiço Blushë të rinj, të të njëjtit kallëp si të kohës së vitit 1997.
Nuk mund ta besoj gjithashtu se shoqëria shqiptare është ende në nivelin e para 10-12 viteve, kur i kapërdinte pa i menduar kallëpe të këtij tipi propagandistik e mediatik. Më e shëmtuara pjesë e kësaj komedie shqiptare që i takon pjesës opozitare është fakti se askush në Shqipëri nuk ndjehet më i sigurt. Më mijëra gazeta të lira shtypen e botohen në dhjetëra milionë kopje në Gjermani. Kurrë nuk është botuar ndonjë e-mail biznesi i ndokujt. Dhe të tilla e-maile, si ato të Argitës, me ofertë të caktuar e kërkesë të caktuar sipas rregullave të tregut të lirë, bëhen me mijëra çdo ditë, madje çdo orë. Nuk ndodh kjo, për shkakun e thjeshtë se transmetimi e këtij spektakli mediatik do të shkaktonte tërmet në qarqet e biznesit dhe në vetë shoqërinë gjermane.
Nga momenti kur dy gazeta botuan e-mailet e një zyre biznesi të ligjshëm, për më tepër me përmbajtje krejt normale dhe me etikë, pra nga momenti kur këto e-maile iu shitën publikut shqiptar si "aferë", e gjithë shoqëria shqiptare është e duhet të ndjehet e kërcënuar. Më së shumti vetë biznesi, pa të cilin Shqipëria dhe çdo vend tjetër, nuk mund të mbijetojnë. Por jo më pak vetë mediat vërtet të pavarura nga shteti dhe nga opozita. Nga ky moment ka lind rreziku për një linçim të përmasave sipas seleksionimit politik. Dhe këtë gjueti shtrigash me përmbajtje ideologjike nuk e bën tashmë shteti, siç e bënte para katër vitesh shteti i Edi Ramës dhe partisë së tij, por e bën opozita, pra ajo pjesë e politikës që kishte praktikuar skema të tilla kur qeveriste vendin. Po nga kush kërcënohet prej tash shoqëria shqiptare?! Nga institucionet legale apo nga ato ilegale?! Fenomeni që u shfaq zbulon faktin se në Shqipëri vepron një sistem paralel investigimi, hetimi, gjykimi e vlerësimi, një sistem paralel i shtetit të dhunshëm, me tipare ideologjike, i cili dëshiron të vijë përsëri në pushtetin legal më 28 qershor. Kush fshihet pas këtij sistemi paralel, kush e bën shërbimin e tillë, kush janë investiguesit e tipit të sigurimit të shtetit komunist, kush janë drejtuesit e tij, kush janë përçuesit dhe aranzhuesit e këtij sistemi të frikshëm për shoqërinë shqiptare... Kush ka sy dhe veshë i sheh dhe i dëgjon çdo ditë tek ulërijnë në tribunat elektorale. Por shoqëria shqiptare nuk mund të rrojë gjatë në ankthin e frikshëm të aktivitetit të jashtëligjshëm të ish-sigurimit të shtetit, të cilin duket qartë se e drejtohet dhe komandohet nga selia rosë e kryeqytetit të vendit.
Marrë nga “Bota Sot”