E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund t

• Prof. Bujar Sykja *Akademia e Arteve është i vetmi institucion arsimor për artet, por për fat të keq, sot ndodhet në çastin më të vështirë, aq sa, nën zë, përflitet edhe ndonjë opinion i mbrapshtë se, kështu siç erdhën punët, më mirë të mbyllet. Po pse erdhëm në këtë situatë? Kjo është një analizë tjetër. Unë që vendosa të kandidoj për postin e Rektorit të Akademisë së Arteve, kam ende bindjen se institucioni ynë mund të bëhet, se Akademia mund të ringjallet dhe të arrijë të kthehet në laborator të prodhimit të elitave, siç ka qenë për një kohë të gjatë. Po nga duhet filluar? Pikërisht këtu qëndron edhe sfida që unë i kam vënë vetes, por edhe siguria që unë kam, se po të fillojnë menjëherë të paktën katër reforma të thella, Akademia e Arteve mund të bëhet një institucion që prodhon artistë të talentuar dhe sukses. Të mos harrojmë se para 17-vjetësh, nga sallat e Akademisë sonë nisi protesta dhe u formësua thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Por si ka mundësi që tani, që kufijtë janë hapur, që Shqipëria është bërë një vend demokratik, Akademia të katandiset në këtë gjendje. Çfarë nuk ka funksionuar në këto vite? Kush na e ka fajin për këtë vonesë dhe këtë gjendje ku kemi rënë? Unë mendoj se situata e tanishme e favorizon zhvillimin e Akademisë. Natyrisht ajo rrit përgjegjësinë dhe kërkon më shumë mund, buxhet e sakrifica dhe neve na duhet që të përballojmë konkurrencën e ashpër, por ne i kemi të gjitha mundësitë që ta kapim kohën e humbur. Pikërisht mbi këtë sfidë mbështetet edhe platforma ime e cila synon: -Përmirësimin e teknologjisë së mësimdhënies. - Zgjerimin e vizionit të marrëdhënieve me jashtë. -Përmirësimin e imazhit të Akademisë. -Rritjen e punës për të krijuar një ambient frymëzues për studentët. -Ndryshimin e rolit dhe përgjegjësisë së administratës. -Rritjen e investimeve. Le t’i shohim me radhë. Përmirësimi i teknologjisë së mësimdhënies. Sa më parë që të jetë e mundur, ne duhet të bëjmë dy gjëra. E para, të përzgjedhim atë praktikë mësimore që e kemi më të mirën dhe që na ka dhënë sukses dhe e dyta, të përzgjedhim përvojën apo kurrikulat e një Akademie simotër në Evropë dhe mbi këtë bazë të rindërtojmë programet dhe planet tona mësimore. Kështu ne do të realizojmë një nga pikat e Kartës së Bolonjës, që është unifikimi i programeve dhe planeve mësimore dhe kjo do të na sigurojë më pas që pedagogët tanë të shkojnë të zhvillojnë mësim në Akademitë simotra dhe tek ne të vijnë e të zhvillojnë mësim pedagogë të huaj të këtyre Akademive. Implementimi i ligjit të ri për arsimin e lartë na vë para një detyre të menjëhershme. Ne duhet të punojmë për caktimin e statusit të Akademisë. Ky status duhet të përmbajë dy anë themelore: anën arsimore dhe atë artistike, që do të thotë se Akademia duhet t’u nënshtrohet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga sistemi i arsimit të lartë publik në Shqipëri dhe, në të njëjtën kohë, ajo do të duhet të përfitojë nga shteti edhe mbështetjen si institucion i rëndësishëm artistik që ka orkestër simfonike dhe formacione të tjera, teatër, regjisorë dhe ekspozitë të artit pamor. Kjo duhet ta detyrojë shtetin që për Akademinë të miratojë edhe një buxhet special siç ndodh në të gjitha vendet evropiane. Çështja e dytë është rindërtimi i menjëhershëm i marrëdhënieve me jashtë, të cilat aktualisht janë spontane dhe pa ndonjë ndikim në jetën e Akademisë. Departamenti i marrëdhënieve me jashtë duhet të kthehet në promotor të zhvillimit të Akademisë. Unë, së bashku me stafin e profesorëve të Akademisë, synoj që çdo departament ta kthej në qendër artistike dhe t’u krijoj mundësi atyre që të jenë partnerë në një projekt ballkanik dhe evropian. Në këto projekte do të përfshihen si pedagogët ashtu edhe studentët dhe ato do të jenë të planifikuara e të mbështetura me buxhet dhe do të llogariten si pjesë integrale e kualifikimit pasuniversitar. Ato do të shërbejnë edhe për studentët, në mënyrë që ata të mësohen më pas që të aplikojnë e të realizojnë projekte kulturore ballkanike e evropiane. Një pikë tjetër e platformës sime është edhe përmirësimi rrënjësor i imazhit të Akademisë së Arteve të Republikës së Shqipërisë. Sot, për fat të keq, institucioni ynë nuk është aq sa duhet faktor në jetën kulturore e artistike, nuk është faktor në përpunimin e ideve dhe politikave kulturore. Nuk prodhon elita që të jenë pika referimi për gjithë ata të rinj të talentuar që kanë dëshirë të përfshihen në rrugën e artit. Ne nuk po arrijmë që të gatuajmë e të përsosim talente që të jenë të aftë, jo vetëm të ndryshojnë tregun mediokër të kulturës shqiptare, por të përballojnë edhe sfidat evropiane. Problemi që sa vjen e rëndohet është niveli gjithnjë e më i ulët e me përgatitje të pamjaftueshme i kontingjenteve të muzikantëve, aktorëve, regjisorëve, skenografëve, piktorëve e skulptorëve në momentin e paraqitjes në Akademinë e Arteve. Mendoj që në mënyrë institucionale, ne duhet të ndikojmë te Ministria e Arsimit dhe Shkencës për një kontroll periodik mbi stafet e shkollave artistike dhe t’i ndihmojmë ato, në përmirësimin e kurrikulave dhe specialistëve, që të sigurojmë sistemin zinxhir të formimit të artistëve të ardhshëm. Lidhja e akademisë me institucionet e tjera artistike në vend dhe jashtë do të sigurohet me ngritjen e cilësisë artistike të prodhimeve tona si dhe me transformime të ndërsjella projektesh, gjë që do të na ndihmojë për të dhënë dhe marrë eksperiencat respektive. Për këtë, unë kam ndjekur modelin e universitetit amerikan, i cili në kushtet e polarizimit privat -publik ndërtoi qendra audio-vizuale që u bënë promotore të debatit intelektual e kulturor. Në këtë qendër do të organizohen po ashtu dhe forume të kritikës për aktivitete të rëndësishme si tonat ashtu edhe ndërkombëtare, me të ftuar dhe nga jashtë institucionit me qëllimin final deri në organizimin e video-konferencave. Një çështje tjetër e rëndësishme e platformës sime është puna me studentët. Ata janë objekti dhe subjekti kryesor i punës sonë dhe, në të njëjtën kohë, pasqyra e stafit akademik. Është një fakt i pamohueshëm që talentet shqiptare nuk mungojnë. Ndaj një nga sfidat e mia do të jetë përmirësimi rrënjësor i punës me studentët. Për këtë ne duhet të përsosim atë traditë që kemi pasur dhe që ka prodhuar talente të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë duhet të implementojmë menjëherë modelet më të mira të shkollave evropiane. Studentëve duhet t’u tregojmë hapur se çfarë studiojnë kolegët e tyre evropianë dhe çfarë studiojnë ata. Ne duhet t’u vëmë atyre në dispozicion programet dhe planet mësimore të akademive më të mira evropiane, në mënyrë që ata të dinë se çfarë bëjnë dhe çfarë nuk bëjnë në shkollën e tyre. Vetëm kështu, ne do të duhet më pas që të rrisim kërkesën ndaj tyre dhe të krijojmë klimën e punës dhe vetëm të punës sipas parimit: një talent dhe 99 punë. Atelietë, studiot dhe auditorët tanë duhet të jenë atelie dhe studio ku punohet non stop. Për këtë ne duhet t’u kthejmë studentëve dëshirën dhe entuziazmin dhe t’i bëjmë ata që të ndihen si artistë që me ardhjen në Akademi. Ka ardhur koha që studentët të organizohen vetë nëpër grupe të vogla menaxhimi dhe spektaklesh dhe me ndihmën e administratës në çdo fakultet dhe degë mësimore të organizojnë vetë koncerte, spektakle, kritika artistike apo ekspozita, të cilat do të mbështeten nga administrata e fakulteteve dhe më pas, më të mirët, me ndihmën dhe mbështetjen e rektoratit, të përzgjidhen për ta treguar punën e tyre në salla, teatro, ekspozita apo forume kombëtare apo ndërkombëtare. Do të insistoj që të identifikohen rezultatet më të mira për studentët apo grupet e tyre (për koncertet, teatrot, ekspozitat, filmat e shkurtër, etj.,) dhe me propozimet e komisioneve të fakulteteve do të mundësojmë delegimin e tyre për të marrë pjesë me Master-clan, workshope apo ekspozita jashtë shtetit me shpenzimet e shkollës.Me organizmin e master-claneve, workshopeve apo seminareve të rregullta nga të tria fakultetet, do të evidentohen studentët më të dalluar dhe do të krijojmë mundësi për studimet e ciklit të dytë në vendet e Evropës Perëndimore. Administrata është një tjetër faktor i rëndësishëm për mbarëvajtjen e aktivitetit pedagogjik artistik e shkencor në akademi. Platforma ime synon që administrata të marrë rolin e saj dhe të ndjehet si menaxhere e jetës akademike e artistike në institucionin tonë. Në konceptin tim, administrata nuk është thjesht ndihmëse e stafit akademik, por duhet të jetë menaxhuese e këtij sistemi. Ne kërkojmë që të kthehemi në një institucion arsimor e kulturor artistik, pra të ripërtërijmë, orkestrën simfonike të Akademisë, teatrin dhe të ndërtojmë galerinë e arteve pamore së bashku me qendrën e prodhimeve audio-vizuale. Të gjitha këto kërkojnë që administrata të marrë një rol të ri. Duke u mbështetur në Ligjin e ri për Arsimin e Lartë dhe në statusin e ri që do të fitojë Akademia, unë mendoj, se administrata jonë do të marrë një rol krejt të ri, rol që unë e kam të qartë dhe do ta shpall me rregullore të veçantë që në ditët e para të mandatit tim të ri. Gjithnjë, sa u thanë më lart nuk mund të realizohen pa buxhet, pra pa investime. Për dhjetë vjet nuk është bërë asnjë investim themelor. Nuk kemi ende rrjetin informatik, nuk kemi blerë as edhe një instrument, nuk është shtuar as edhe një godinë e re, nuk është bërë as edhe një investim në ripërtëritjen e studiove dhe të instrumenteve.  Investimet në akademi për Fakultetin e Muzikës të paktën, janë në nivele shumë të ulëta. Unë e kam të qartë se çfarë mund të bëhet. Që këtë vit do të mblidhen propozimet për investime nga të gjitha fakultetet dhe do të shoshiten në Këshillin e Administrimit. Këto investime do të synojnë në përmirësimin rrënjësor të sallave, atelieve, instrumenteve dhe ambienteve. Ndërsa urgjentisht do të fillojë ndërtimi i rrjetit të informatizimit të Akademisë në mënyrë që në çdo zyrë pedagogu të ketë internet dhe paralelisht me këtë do të ndërtoj me ndihmën e donatorëve sallën e kompjuterizuar të studentëve. Të gjitha këto probleme do të jenë pjesë e një studimi të hollësishme me grupe pune, projekte të sakta të argumentuara mirë dhe duke filluar nga kolegjet e çdo fakulteti, me senatin e akademisë dhe me këshillin e administrimit do të jemi kërkues e transparentë me fondet që mund të na akordohen nga qeveria shqiptare, por edhe nga projektet evropiane apo të organizmave të tjera shtetërore apo private, vendase apo të huaja, që ta kthejmë Akademinë e Arteve në një institucion të mirëfilltë modern e aftë që të përshtatet me sfidat e kohës dhe me tregun evropian të kulturës.* Kandidat për Rektor në Akademinë e Arteve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›