E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli Bujqesia sektori me dinamik i ekonomise

Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli bëri një analizë të zhvillimeve në këtë sektor gjatë vitit 2012 si dhe pritshmëritë për 2013.  Gjatë fjalës së tij, Ruli evidentoi faktin se gjatë vitit që lamë pas u vu re një rritje e lehtë e prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Konkretisht sipas tij, pati një rritje prej 5 për qind të prodhimit bujqësor, ndërkohë që rritja e kërkesës së jashtme 10 për qind.  Në gjykimin e ministrit Ruli këto tregues pozitiv janë rezultat i investimeve të kryera nga investitori privat si dhe nga masat e marra nga qeveria, duke kthyer sektorin bujqësor në sektorin më dinamik të ekonomisë.
Por në këtë analizë, ministri Ruli zbardhi dhe objektivat e këtij dikasteri për vitin 2013.  “Në vitin që vjen do të vazhdohet të investohet për ristrukturimin dhe modernizimin e fermave bujqësore si dhe rritjen e kapaciteteve ruajtëse dhe përpunuese për produktet bujqësore dhe blegtorale në vend. Në funksion të këtij objektivi është parashikuar që në vitin 2013 rreth 40 % e buxhetit vjetor të bujqësisë, ose 20 % më shumë se në vitin 2012, të përqendrohet në programin e zhvillimit rural, si mbështetje për prodhimin bujqësor dhe agroindustrinë”, u shpreh Ruli. Gjithashtu, menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve natyrore nëpërmjet mirëmenaxhimit të burimeve  ujore, rritjes së kapaciteteve ujitëse dhe kulluese, si dhe mbrojtjes së tokës bujqësore është një tjetër objektiv. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›