E Shtunë, 31 Tetor 2026

Runi kërkon të ikë, tërbohen senatorët

LONDER-Uejn Runi i ka inatosur së tepërmi senatorët e Mançester Junajtid, të cilët nuk po e kuptojnë sjelljen e tij për t’u larguar. Rajan Gigs, Patrise Evra dhe Rio Ferdinand, tre nga lojtarët më me peshë dhe eksperiencë te “djajtë e kuq”, e shikojnë me dyshim mënyrën e tij të të vepruarit dhe kanë rezerva për zgjidhjen që anglezi do t’i japë kësaj çështjeje. Trajneri Dejvid Mojes po bën gjithçka që ta mbajë sulmuesin anglez në ekip, edhe pse ky i fundit me sjelljet e tij e ka bërë të qartë se dëshiron që të largohet në një klub tjetër. Ai nuk ka luajtur në asnjë takim të kësaj faze parasezonale të Junajtid, duke treguar kështu se nuk ndihet më pjesë e ekipit, edhe pse justifikimi i mungesave ka qenë për shkak të dëmtimeve. Çelsit deri tani i janë refuzuar dy oferta zyrtare, por londinezët nuk dorëzohen. Mojes tani është në dilemë të madhe, pasi nuk di si të veprojë: ta thërrasë apo jo sulmuesin në takimin që do të zhvillohet për nder të Ferdinandit ditën e nesërme.

E ardhmja - Runi e ka vendosur tashmë, që do të lëvizë në një klub tjetër gjatë kësaj merkatoje verore. Por frika e “djajve të kuq” është që të mos u japin rivalëve të tyre kryesorë për titullin një futbollist me kapacitetet e tij. Për këtë arsye, trajneri Dejvid Mojes përkrah mundësinë që anglezi të lëvizë në një klub jashtë Premier Ligës. E në fakt, ofertat për të në të kaluarën nuk kanë munguar. Vetë Runi nuk është kundër transferimit në Europë, pasi ai e gjykon qëndrimin në “Old Trafford” shumë stresues. Nga ana tjetër, edhe Junajtid i duhen të ardhura, ndërsa ka si synim që të ofrojë rreth 25 milionë euro për të blerë mesfushorin e Evertonit, Maruane Felaini.

(d.b/PanoramaSport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›