E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët i kthehen Greqisë në numra rekord

Vizitorët në Greqi që qëndruan larg me shumicë vitin e kaluar mes protestave e grevave mbarëkombëtare kundër masave shtrënguese, po kthehen në numra rekord e po u japin shpresë zyrtarëve të turizmit se peizazhi legjendar i vendit do të ndihmojë për t’a nxjerrë atë nga honi i thellë financiar i saj.
Greqia pret vitin e vet më të mirë ndonjëherë me 17 milionë vizitorë, që përfitojnë nga stabiliteti relativ politik e trazirat në destinacionet konkurruese turistike si Turqia e Egjipti. Banka e Greqisë tha se në pesë muajt e parë të ardhurat e turizmit u rritën me 38.5 për qind dhe ardhjet e huaja u rritën me 24 për qind.
Në prill, turizmi u rrit me 360 për qind krahasuar me të njëjtin muaj më 2012, ndërsa në maj rritja ishte 120 për qind e viti duket se do të mbarojë me një rritje gjithsej prej 15 deri 20 për qind. “Kjo është shumë pozitive për zhvillimin e ardhshëm të Greqisë”, tha për SETimes Jorgos Drakopulos, administrator i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërmarrjeve të Turizmit Grek. “Njerëzit vijnë për diellin e detin, historinë e ushqimin”.
Kryeministri Antonis Samaras i ka bërë turistët e mirëpritur një çelës në ndihmën për të kompensuar një krizë dërrmuese ekonomike, duke shpresuar për një rritje në këtë industri, që sjell rreth 18 për qind ose 39.4 miliardë euro të 219.94 miliardë eurove të PKB-së së vendit.
Duke u mbështetur në trashëgiminë e saj e duke u përpjekur të kompensojë imazhin e krizës, Greqia i ka dhënë një slogan të ri lartësisë së saj të turizmit, duke e quajtur veten “Vendi më i Pasur i Botës”.
Ministrja e Kulturës, Olga Qefalojani, nisi sezonin e ri turistik duke iu bërë thirrje grekëve e punonjësve të turizmit të mirëprisnin vizitorët.
“Le të tregojmë më të mirën e vetes. Le të provojmë dashurinë tonë për këtë tokë. Le t’u kujtojmë të tjerëve sesa mikpritës jemi... le të tregojmë thesaret e Greqisë në vlera, histori e kujtime”, tha ajo.
Deri tani, kjo po ecën. Rreth 1.5 milionë turistë do të qëndrojnë në Mikonos deri në fund të tetorit e 5,500 punëtorë janë punësuar vetëm për periudhën e verës gjatë një kohe rekord me 26.9 për qind papunësi, ku rreth 64 për qind përbëjnë të rinjtë më pak se 25 vjeç.
Santorini, me pamjen e tij spektakolare të perëndimit të diellit rreth, qe vullkani që shkreptin në imazhe anembanë botës, regjistroi një rritje me 27.5 për qind të turistëve në qershor.
“Nuk ka dyshim se shifrat janë rritur thelbësisht, por na duhet të presim rreth të ardhurave që sjellin ato”, tha për SETimes Haralambos Cardinidis, kreu i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare Ekonomike në Athinë.
“Në qoftë se shkon në ishuj është një marrëveshje pakete e njerëzit shkojnë në hotele me gjithçka të përfshirë, me çmime të ulëta, kështu që nuk kanë stimulin për të shpenzuar jashtë”, shtoi ai.
Ministri i Financave, Janis Sturnaras, llogarit që turizmi të shpëtojë Greqinë e të mbushë një mungesë prej 3.8 miliardë eurosh në buxhetin e 2014-ës, tha Cardinidis. “Kjo do të varet nga cilësia e shërbimit, sepse turizmi është me të thënë, por deri tani është absolutisht një shenjë pozitive”,
Antonio Troisi, 54 vjeç, një arkitekt nga Milano, tha për SETimes se, vjen aq shpesh sa mundet në Greqi. “Sa herë që vij këtu ndjehem më mirë. Mund të ndjesh kulturën e na pëlqen të shkojmë në det”. Ai ishte drejtuar me familjen e tij për në Muzeun e ri të Akropolisit, që është bërë një tërheqje e madhe pasi u klasifikua një nga më të mirët në botë.
Ka pasur një rritje të vizitorëve nga një sërë vendesh, me rritjet më të mëdha nga Austria, Bullgaria, Spanja, Rusia e Gjermania, si dhe nga Azia e turqit, të tërhequr nga ishujt grekë të bregut të tyre. Agelos Cakanikas, kreu i kërkimit për Fondacionin për Kërkimin Ekonomik e Industrial në Athinë, tha se rritja në turizëm është e mirëpritur, por nuk do të jetë e mjaftueshme për të shpëtuar ekonominë greke.
“Vetëm turizmi nuk mund të shpëtojë të gjithë ekonominë, - tha ai për SETimes. - Kjo nuk është zgjidhja e vetme, ndonëse këtë verë po shkon shumë mirë”.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›